Policia arreston një burrë si të dyshuar për vrasjen e të birit dhe foshnjës së tij në Gjilan

Një automjet i Policisë së Kosovës.

Një burrë është arrestuar të dielën pasdite në Gjilan si i dyshuar për “vrasje të rëndë”, disa orë pasi autoritetet gjetën pa shenja jete djalin dhe foshnjën e tij, njoftoi Policia e Kosovës.

Policia tha se u njoftua rreth orës 08:47 se në një shtëpi në fshatin Demiraj të komunës së Gjilanit, dyshohej për dy trupa të pajetë, një burrë 27-vjeçar dhe foshnja e tij disamujore.

“Me urgjencë në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet përkatëse policore, prokurori i Shtetit dhe ekipi emergjent mjekësor, ku nga mjeku kujdestar është konstatuar se të dy personat janë pa shenja jete”, thuhet në njoftim.

Policia shtoi se hetimet fillestare tregojnë se dyshohet se incidenti ka ndodhur brenda familjes. Për këtë, Policia e ka arrestuar babanë e viktimës, 65 vjeç, dhe e ka dërguar në mbajtje për 48 orë.

“Në bashkëpunim me prokurorin e Shtetit janë duke u ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme operative dhe hetimore për ndriçimin dhe sqarimin e plotë të rrethanave të rastit, i cili është cilësuar si ‘vrasje e rëndë’”, tha Policia.

Trupat e viktimave janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për obduksion, theksoi ajo.