Dy burra janë arrestuar të dielën nën dyshimin për trafikim me emigrantë, njoftoi Policia e Kosovës të hënën.
Policia tha se ka ndaluar një autobus të linjës Mitrovicë–Beograd në pikëkalimin kufitar mes Kosovës dhe Serbisë në Jarinjë, i cili po bartte 18 emigrantë të paligjshëm nga vende të Azisë Jugore dhe Afrikës.
“Gjatë kontrollit të detajuar të mjetit, është konstatuar se në katin e parë të autobusit ndodheshin 8 udhëtarë të rregullt të regjistruar në listën zyrtare, ndërsa në katin e dytë u gjetën 18 shtetas të huaj, të paregjistruar dhe pa të drejtë hyrjeje apo kalimi në territorin e Kosovës”, thuhet në njoftim.
Policia theksoi se hetimet e para dhe marrja në pyetje e të dyshuarve tregojnë se ka pasur “përpjekje të qëllimshme për kontrabandë me emigrantë”.
Ajo tha se ka arrestuar pronarin e kompanisë së autobusëve dhe shoferin e autobusit që po bartte emigrantët.
SHIKONI EDHE: Nga Gaza në Kosovë, përmes kontrabandës dhe shpresësTë dyshuarit, të identifikuar vetëm me inicialet G. A., dhe B. D., dyshohen për përfshirje të drejtpërdrejtë në organizimin e transportit të emigrantëve në mënyrë të paligjshme.
Sipas njoftimit, pesë shtetas palestinezë kishin hyrë në Kosovë me pasaporta jordaneze përmes Aeroportit të Prishtinës më 23 gusht; gjashtë shtetas nga Bangladeshi posedonin viza pune, por ishin subjekt i vendimeve për largim nga Kosova; dhe shtatë shtetas egjiptianë kishin hyrë në Kosovë përmes Shqipërisë dhe synonin kalimin në Serbi dhe më tej drejt vendeve të Bashkimit Evropian.
Te dyshuarit janë intervistuar në prezencën e avokatëve mbrojtës dhe janë dërguar në mbajtje.
Policia theksoi se emigrantët “janë trajtuar sipas procedurave ligjore nga Drejtoria për Migrim dhe të Huaj e Policisë së Kosovës”, ndërsa të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.
Muajin e kaluar Prokuroria Themelore në Prizren ngriti aktakuzë kundër një burri për veprën penale kontrabandë me emigrantë.
SHIKONI EDHE: Prokuroria e Prizrenit ngre aktakuzë ndaj një të pandehuri për kontrabandim me migrantëSipas rregullave në Kosovë, një emigrant mund të qëndrojë në vend vetëm 15 ditë, pa u lajmëruar tek autoritetet e rendit.
Pas 15 ditësh, ai duhet të aplikojë për statusin e azilkërkuesit - në të kundërtën duhet të largohet nga territori i Kosovës. Për ta fituar statusin e azilit, duhen disa muaj kohë.
Prej vitit 2015, shtetet e Ballkanit Perëndimor janë shndërruar në qendër transiti për personat që ikin nga Lindja e Mesme dhe Afrika dhe që synojnë të arrijnë në shtetet e Bashkimit Evropian.
Kosova ka qendra për pranimin e emigrantëve, por shumica e tyre e përdorin këtë shtet vetëm si transit për në BE.
Edhe në të kaluarën, Policia e Kosovës ka arrestuar të dyshuar për trafikim me emigrantë.