Policia e Kosovës ndalon 37 persona gjatë shënimit të Vidovdanit në Gazimestan

Serbë nga Kosova, Serbia e vendet e rajonit u mblodhën të dielën në Gazimestan, Kosovë, për ta shënuar 28 qershorin, i cili përkujton betejën kundër ushtrisë osmane në Kosovë në vitin 1389.

Disa dhjetëra njerëz u shoqëruan në polici pas shënimit të festës së Vidovdanit në Gazimestan të dielën, rreth dhjetë kilometra larg Prishtinës, ku zakonisht mblidhen serbë nga Kosova, Serbia dhe vendet e rajonit çdo 28 qershor për ta përkujtuar betejën kundër ushtrisë osmane në Kosovë në vitin 1389.

Policia e Kosovës tha në një njoftim se festa kaloi pa ndonje incident që ka mundur të ndikonte në mbarëvajtjen e manifestimeve, përveç shoqërimit të 37 personave në stacion policor për intervistim.

Ata dyshohen se kanë provokuar masën me thirrje provokuese me elemente të nxitjes së urrejtjes, në kundërshtim me dispozitat ligjore, ndërsa një personi i është shqiptuar gjobë për prishje të rendit dhe qetësisë publike.

Vidovdani është gjithashtu festë fetare, ndërsa Kisha Ortodokse Serbe tradicionalisht mban një shërbesë përkujtimore në Gazimestan për ushtarët e rënë në atë që njihet si Beteja e Kosovës.

Disa nga të pranishmit në Gazimestan, ndër të tjera, brohoritën "Kosova është Serbi" ose kënduan këngë kushtuar Kosovës dhe Vidovdanit.

Policia theksoi se 37 personat e ndaluar janë proceduar në gjykatë dhe janë në pritje të vendimit nga gjykata, pasi u morën në pyetje.

Zyra e Qeverisë së Serbisë për Kosovën e dënoi ndalimin e një pjese të pjesëmarrësve në shënimin e Vidovdanit, duke e cilësuar atë si “akt të turpshëm dhe të papranueshëm represioni”.

Sipas informacioneve të Zyrës, në mesin e të ndaluarve janë serbë nga Kosova dhe nga Serbia qendrore.

Në komunikatë thuhet se Zyra do t’i njoftojë për këtë përfaqësuesit ndërkombëtarë.

Edhe këtë vit, gjatë shënimit të Vidovdanit në Gazimestan pati prani të madhe të policës kosovare.

Në hyrje, oficerët policorë ua shpërndanë vizitorëve një njoftim ku thuhej se nuk do të tolerohej "mbajtja dhe shfaqja e simboleve të ndryshme që përfaqësojnë ose nxisin urrejtje ndëretnike, fetare ose politike".

Në atë njoftim thuhej gjithashtu se do të arrestoheshin të gjithë ata që kryenin ndonjë nga këto vepra penale.

Pjesëmarrësit në Vidovdan kalojnë nëpër kontrolle të Policisë së Kosovës në Gazimestan, 28 qershor 2026.

Lista Serbe - partia kryesore e serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit - tha se disa pjesëtarë të komunitetit serb u shoqëruan në polici, edhe pse atyre nuk iu paraqit "asnjë dokument me shkrim që shpjegon arsyet e ndalimit".

"Në lidhje me këtë veprim, të cilin e konsiderojmë si një përpjekje për frikësim dhe si dëshmi të represionit të regjimit në Prishtinë, kemi njoftuar përfaqësuesit ndërkombëtarë dhe u kemi kërkuar që të ndërhyjnë urgjentisht dhe të kërkojnë lirimin e të gjithë të arrestuarve", thuhet në deklaratë.

Policia shtoi se, përfundimit të aktiviteteve në orët e pasdites të gjithë pjesëmarrësit janë shpërndarë të qetë.

Ndërkohë, gjatë shënimit të Vidovdanit në vitin 2025, autoritetet ligjzbatuese të Kosovës shoqëruan 17 njerëz për marrje në pyetje në stacion policor për shkak të "nxitjes së urrejtjes" dhe "veshjeve provokuese".

Ndryshe, gjatë shënimit të Vidovdanit, edhe shfaqja e flamurit të Serbisë shpesh ka qenë burim tensionesh.

SHIKONI EDHE:

Policia ndalon 17 persona gjatë festimit të Vidovdanit në Gazimestan

Vitin e kaluar, Gjykata Themelore në Prishtinë e shfuqizoi vendimin e Komunës së Graçanicës që lejonte vendosjen e flamurit serb me rastin e Vidovdanit, me arsyetimin se komuna kishte tejkaluar kompetencat e saj dhe kishte vepruar në kundërshtim me ligjet e Kosovës, pasi Vidovdani nuk është festë zyrtare në Kosovë.

Ndërkohë, në mesin e qershorit të këtij viti, vendet e QUINT-it, Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, Italia dhe Franca, si dhe Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, u dërguan një letër autoriteteve qendrore dhe lokale, duke u thënë atyre se përdorimi i simboleve dhe flamujve kombëtarë të komuniteteve pakicë është e drejtë e mbrojtur nga Kushtetuta.

Neni 59 i Kushtetutës së Kosovës u garanton të gjitha komuniteteve të drejtën për të përdorur dhe shfaqur simbolet e tyre kombëtare, për të ruajtur dhe zhvilluar kulturën e tyre, si dhe për të pasur qasje në arsim dhe informim në gjuhën e tyre.

Gazimestani në Kosovë njihet gjithashtu për fjalimin që presidenti i atëhershëm serb, Sllobodan Millosheviq, mbajti atje në vitin 1989.

Ky fjalim shpesh citohet si hyrje në konfliktet e armatosura që pasuan shpërbërjen e ish-Jugosllavisë.

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, deklaroi se autoritetet e Kosovës nuk e kanë lejuar gjatë tri vjetëve të fundit të marrë pjesë në shënimin e Vidovdanit, por shtoi se "asnjë ndalim dhe asnjë pengesë politike nuk mund ta zbehë vendosmërinë tonë për të qëndruar pranë çdo shtëpie dhe çdo familjeje serbe që jeton në Kosovë dhe Metohi".