Në Prishtinë nis gjykimi në mungesë kundër 21 të akuzuarve për Masakrën e Reçakut

Pamje nga seanca fillestare në gjyqin në mungesë kundër 21 të akuzuarve për Masakrën e Reçakut në Kosovë, në Gjykatën Themelore të Prishtinës, Prishtinë, 31 korrik 2026.

Një gjykim në mungesë ka nisur të premten në gjykatën e Prishtinës kundër 21 personave të akuzuar për Masakrën në Reçak - një ngjarje që ndihmoi në nxitjen e ndërhyrjes ndërkombëtare për t'i dhënë fund luftës së viteve 1998-'99 në Kosovë.

Në fjalët hyrëse, prokurori Ilir Morina tha se gjykimi duhet të zhvillohet pasi janë plotësuar “të gjitha kushtet”, gjë që u pranua nga gjyqtarja Violeta Namani-Hajra.

Gjyqtarja theksoi se janë ndërmarrë të gjitha veprimet ligjore për njoftimin e të akuzuarve, pasi, sipas saj, të dhënat tregojnë se ata ndodhen në Serbi.

Të pandehurit - Obrad Stevanoviq, Radomir Markoviq, Krsman Jeliq, Goran Radosavljeviq, Zhivko Trajkoviq, Bogoljub Janiqeviq, Milan Leçiq, Radomir Mitiq, Dragan Gjorgoviq, Branko Mladenoviq, Dragan Jasoviq, Momqilo Sparavalo, Darko Amanoviq, Srboljub Vujnoviq, Bozhidar Marinkoviq, Zoran Stanojeviq, Milan Josanoviq, Goran Petkoviq, Dragoslav Nikoliq, Çedomir Aksiq dhe Zvonimir Janiqijeviq - akuzohen për kryerjen e krimeve të luftës kundër popullsisë civile.

Prokurorët i akuzojnë ata se gjatë një operacioni të forcave policore serbe gjatë luftës së viteve 1998-‘99, i vranë 42 civilë në Reçak të Shtimes, rreth 30 kilometra larg kryeqytetit Prishtinë.

SHIKONI EDHE:

Masakra që ndryshoi historinë e Kosovës

Prokuroria ka kërkuar që gjykimi ndaj tyre të zhvillohet në mungesë, duke thënë ata janë të paarritshëm për organet e drejtësisë së Kosovës.

Gjykimi ndaj tyre duhej të niste më 20 korrik por Gjykata Themelore në Prishtinë e shtyu atë për këtë të premte në mungesë të kushteve ligjore.

Ramë Shabani, një 60-vjeçar që i mbijetoi Masakrës së Reçakut, tha për Radion Evropa e Lirë para fillimit të gjykimit se - edhe në rast se vërtetohet fajësia e të akuzuarve dhe ata dënohen - drejtësia do të mungojë.

SHIKONI EDHE:

I mbijetuari i Masakrës së Reçakut: Pa autorët, s’ka drejtësi

“Unë jam që të ketë verdikt të drejtë. Por, kjo nuk mund të sjellë drejtësi. Ata 21 persona, të cilëve u janë përmendur emrat, nuk hyjnë më në Kosovë dhe ne [autoritetet e Kosovës] nuk do të mund t’i kapim kurrë... Pa qenë ata në bankën e të akuzuarve, nuk mund të bësh asgjë”, tha ai.

Gjykimi në mungesë

Gjykimi në mungesë mundësohet në Kosovë pas ndryshimeve në Kodin e Procedurës Penale, të bëra më 2022.

Megjithatë, gjykime të tilla mund të bëhen vetëm me kushtin që prokuroria dhe gjykata t’i kenë shteruar të gjitha mjetet për të siguruar praninë e të akuzuarit.

Por, ky Kod përcakton se personat që gjykohen në mungesë kanë të drejtë për një rigjykim pa kushte, nëse arrestohen më vonë.

Ndërkohë, gjatë gjykimit në mungesë në rastin e Masakrës së Reçakut, prokurorët pritet të shpalosin para Gjykatës aktakuzën e plotë.

Aktakuza i ngarkon 21 të dyshuarit se, si pjesëtarë të ushtrisë së ish-Jugosllavisë, Brigadës së 243-të të Mekanizuar të Armatës së III-të, e njohur si “Korpusi i Prishtinës”, dhe të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, gjatë viteve 1998-'99 kryen trajtim çnjerëzor, shkatërrim të pasurisë, dëbim masiv dhe spastrim etnik ndaj popullsisë civile.

SHIKONI EDHE:

“Më shërohet zemra kur i shoh në ëndërr”

Sipas aktakuzës, ata e kishin rrethuar fshatin Reçak nga drejtimet e njohura si “Pishat”, “Gështenjat” dhe “Çesta”, e më pas e kishin granatuar.

Më pas, kishin kontrolluar shtëpitë një nga një, kishin ndarë burrat nga gratë dhe fëmijët, duke i detyruar këta të fundit të largoheshin nga fshati, ndërsa burrat e ndaluar i kishin ekzekutuar.

Por, ky proces gjyqësor nuk është zhvillimi i vetëm lidhur me Masakrën e Reçakut.

Më 12 qershor, gjatë një operacioni të përbashkët të Prokurorisë Speciale dhe Policisë së Kosovës, në kuadër të hetimeve për krime lufte në rastin e njohur si “Reçaku II”, u arrestuan pesë persona.

Prokuroria bëri të ditur se të arrestuarit janë të nacionalitetit serb. Ndërkaq, policia nuk arriti ta arrestonte personin e gjashtë, i cili nuk është gjetur në vendbanimin e tij.

Të arrestuarit dyshohen se kanë qenë pjesë e njësive speciale të policisë serbe që morën pjesë në operacionin e janarit në Reçak.

SHIKONI EDHE:

Pesë të arrestuar për krime lufte në Reçak, dyshohet se ishin pjesë e njësive speciale serbe

Dokumentimin e krimeve të kryera në Reçak e kishte bërë William Walker, i cili më 1999 kishte shërbyer si shef i Misionit Verifikues të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE).

Kjo masakër shkaktoi reagim të fuqishëm ndërkombëtar dhe e rriti trysninë ndaj regjimit në Serbi, gjë që çoi në bisedime mes përfaqësuesve të shqiptarëve të Kosovës dhe autoriteteve të Serbisë, me ndërmjetësim ndërkombëtar, në Konferencën e Rambujesë në Francë.

SHIKONI EDHE:

Fytyrat e Reçakut

Mosarritja e marrëveshjes e shtyu NATO-n të kryejë bombardime ndaj caqeve ushtarake dhe policore të ish-Jugosllavisë për 78 ditë.

Më pas, forcat ndërkombëtare hynë në Kosovë dhe nga vendi u larguan forcat dhe administrata serbe.

Instituti i Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë ka dokumentuar 12.230 viktima të luftës së viteve 1998-'99.

Më herët gjatë vitit, Prokuroria Speciale ngriti aktakuzë në mungesë kundër 21 të dyshuarve për dëbimin me forcë të mbi 800.000 civilëve shqiptarë nga Kosova gjatë asaj lufte.