Parlamenti i Ukrainës pritet të votojë më 15 shtator për dorëheqjen e prokurorit të përgjithshëm të vendit, pasi presidenti Volodymyr Zelensky kërkoi shkarkimin e tij të shpejtë, në mes të tensioneve në rritje lidhur me një seri hetimesh të profilit të lartë për korrupsion.
Ruslan Kravchenko paraqiti dorëheqjen javën e kaluar, duke thënë se nuk dëshironte që pozita e tij të përdorej “si mjet për përplasje politike”, pasi hetuesit kundër korrupsionit u përqendruan në një skemë përvetësimi, të lidhur me një zyrtar të lartë në zyrën e tij.
Më 14 shtator, ai tha se kishte nënshkruar një “njoftim për dyshime” ndaj kreut të Byrosë Kombëtare Kundër Korrupsionit (NABU), një prej organeve që po heton zyrën e tij. NABU-ja tha në një deklaratë në Telegram se ky veprim ishte “vazhdim i një sulmi sistematik ndaj trupave të pavarur kundër korrupsionit”.
“Ka vetëm një rrugë për këtë prokuror të përgjithshëm: shkarkimi nga detyra. Këtë ia thashë”, tha Zelensky në një postim në rrjetet sociale.
“Ukraina i ka parë të gjitha arsyet pse të shkarkohet. Nëse ai e konsideron këtë presion politik, është i lirë ta quajë kështu. U bëj thirrje deputetëve ta mbështesin shkarkimin e tij, pa vonesa”.
Polemika rreth Kravchenkos, i cili më 14 shtator tha se aktualisht ndodhet jashtë vendit në një udhëtim të lidhur me punën e tij, është e fundit në një varg akuzash dhe hetimesh për korrupsion që kanë dëmtuar Qeverinë e Zelenskyt.
Një nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të Zelenskyt, Andriy Yermak, u detyrua të jepte dorëheqjen vitin e kaluar, ndërsa hetuesit nisën hetime lidhur me një skemë që përfshinte qindra miliona dollarë në ryshfete nga kontraktorët për kompaninë shtetërore të energjisë bërthamore, Energoatom.
SHIKONI EDHE:
Zelensky përballet me rreziqe për shkak të përfshirjes së Yermakut në skandalin korruptivMykhaylo Fedorov, i cili shërbeu si ministër i Mbrojtjes deri në shkarkimin e tij në korrik, është ankuar publikisht për korrupsionin në sektorin e mbrojtjes, në atë që shumë vëzhgues e panë si një sfidë të hapur ndaj Zelenskyyt.
Gjenerali i ushtrisë ukrainase, Oleksandr Syrskiy, me të cilin Fedorov ishte përplasur, më vonë u shkarkua nga detyra.
SHIKONI EDHE:
Ish-ministri i shkarkuar ukrainas i Mbrojtjes bën thirrje për zgjedhje presidenciale në mes të luftësTensione politike në Ukrainë mes bastisjeve kundër korrupsionit dhe sfidës së FedorovitZelensky nuk është përfshirë në këto skandale, të cilat më herët çuan në dorëheqjen ose shkarkimin e ministrave të Drejtësisë dhe të Energjisë.
Në korrik, Zelensky bëri gjithashtu ndryshime të mëdha në Qeveri, duke shkarkuar kryeministren Yulia Svyrydenko dhe duke e zëvendësuar atë me kreun e kompanisë shtetërore të energjisë Naftogaz. Ai zëvendësoi gjithashtu ambasadoren e vendit në Uashington, e cila përballet me akuzat për korrupsion.
Por, skandalet kanë dëmtuar popullaritetin e Zelenskyt dhe disa sondazhe tregojnë se ai renditet pas disa figurave të njohura publike.
Në krye të tyre është Valeriy Zaluzhniy, ish-gjenerali i lartë dhe ish-komandanti i përgjithshëm i ushtrisë së Ukrainës. Ai aktualisht shërben si ambasador i Kievit në Londër.