Spiunazh për BIA-n: Çfarë dyshohet se zbuloi Fehim Sali?

Fotografia e publikuar nga Sistemi Prokurorial i Kosovës, ku shihet një zyrtar policor duke kontrolluar veturën e të dyshuarit.

Prokuroria Speciale e Kosovës ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit prej një muaji ndaj Fehim Salit, i dyshuar për kryerjen e veprës penale të spiunazhit.

Kërkesa është bërë pas arrestimit të djeshëm të Salit, shtetas i Kosovës, në pikën kufitare në Merdar, nën dyshimin për spiunazh.

Sipas kërkesës së Prokurorisë Speciale, të cilën e ka parë Radio Evropa e Lirë, Sali dyshohet se për një periudhë të pacaktuar deri më 13 gusht i ka ofruar vazhdimisht informacione dhe ndihmë Shërbimit Inteligjent të Serbisë (BIA), me qëllim të përfitimit material.

Prokuroria thotë se ai i ka ofruar BIA-s informacione për situatën politike në Kosovë, ka fotografuar dhe identifikuar zyrtarë të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), si dhe ka ofruar të dhëna për persona që, sipas Prokurorisë, i përkasin sektit vehabi.

Disa prej këtyre personave, thuhet në kërkesë, Sali i ka propozuar si objektiva të mundshëm për kontaktim dhe rekrutim.

Vehabizmi është një rrymë konservatore brenda islamit, e cila lidhet me teologun Muhamed ibn Abd al-Vehhab, e që thekson kthimin te interpretimet që i konsiderojnë më të pastra të Islamit dhe te praktikat e gjeneratave të para të myslimanëve.

Në Kosovë dhe në rajon, termi është përdorur për të përshkruar persona ose grupe të ndikuara nga interpretime konservatore të islamit, por personat që identifikohen me këtë rrymë nuk janë detyrimisht të përfshirë në veprimtari të dhunshme apo ekstremiste.

"Dyshimi i bazuar mirë u vërtetua edhe nga deklarata e vet të pandehurit i cili në detaje përshkruan veprimet e tij inkriminuese, duke ofruar mënyrat dhe vendtakimet e komunikimit dhe ofrimit të informacioneve dhe ndihmën për BIA-n serbe", thuhet në kërkesën e Prokurorisë Speciale.

Sipas Prokurorisë, paraburgimi është i nevojshëm për të parandaluar vazhdimin e veprës penale, rrezikun e arratisjes së tij, duke pasur parasysh edhe shtetësinë serbe, si dhe mundësinë e zhdukjes ose dëmtimit të provave.

Më herët, Prokuroria Speciale kishte njoftuar se i dyshuari ishte ndaluar për 48 orë, ndërsa hetuesit policorë kishin kryer edhe një bastisje në vendbanimin e tij në Dragash.

Gjatë bastisjes, sipas Prokurorisë, janë gjetur dhe sekuestruar 39.500 euro para të gatshme, 500 dinarë serbë dhe katër telefona celularë.

Sali, i cili vjen nga Komuna e Dragashit dhe është i angazhuar në sistemin arsimor serb në Kosovë, kishte qenë edhe anëtar i Këshillit Konsultativ për Komunitete, që vepron pranë Presidencës së Kosovës.

Sipas Presidencës, ai kishte qenë anëtar i Këshillit si përfaqësues i komunitetit goran për dy mandate, nga viti 2020 deri më 2022 dhe nga viti 2022 deri më 2024.

Ai ishte shkarkuar nga Këshilli më 3 maj 2024, pas një raporti të informacioneve të sigurisë dhe me propozim të sekretarit të Këshillit.

Në një përgjigje për REL-in, Presidenca kishte thënë se Sali nuk është anëtar i Këshillit që nga shkarkimi i tij në vitin 2024, ndërsa nuk kishte dhënë detaje për raportin e sigurisë.

Këshilli Konsultativ për Komunitete është një mekanizëm që vepron nën autoritetin e Presidentit të Kosovës dhe në të përfaqësohen të gjitha komunitetet në vend.

Këshilli ka 27 anëtarë dhe përbëhet nga përfaqësues të komuniteteve rom, egjiptian, goran, ashkali, malazez, kroat, boshnjak, turk dhe serb, si dhe nga përfaqësues të Zyrës së Presidentit dhe të Qeverisë.

Anëtarët e Këshillit emërohen nga Presidenti i Kosovës me vendim. Para emërimit zhvillohet procesi i nominimit të kandidatëve nga organizatat përfaqësuese të komuniteteve ose nga kandidatët individualë. Presidenti, gjatë emërimit, bazohet në raportin e Sekretariatit të Këshillit dhe merr parasysh renditjen e kandidatëve sipas votave të fituara, si dhe përfaqësimin e barabartë gjinor.

Këshilli Konsultativ për Komunitete shërben si urë komunikimi ndërmjet komuniteteve dhe Qeverisë, duke u mundësuar përfaqësuesve të tyre të japin mendime për nisma ligjore dhe politika që i prekin, të propozojnë iniciativa dhe të kërkojnë që pikëpamjet e tyre të merren parasysh në politikat dhe programet përkatëse.

Spiunazhi, sipas Kodit Penal të Kosovës, përfshin veprimet e fshehta të mbledhjes, transmetimit ose shpërndarjes së informacionit të ndjeshëm te një shtet, organizatë ose grup tjetër dhe dënohet me së paku pesë vjet burgim.