“Marshi për Liri” mbush sheshet në Prishtinë në prag të verdiktit të Gjykatës Speciale

Fotografi ilustruese nga një protestë e mëparshme kundër Gjykatës Speciale në Prishtinë, në gusht të vitit 2025.

Në Prishtinë sot do të mbahet "Marshi për Liri" në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po gjykohen në Hagë, vetëm katër ditë para shpalljes së aktgjykimit përfundimtar në rastin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Një skenë ku do të mbahen fjalime dhe performanca është ngritur në sheshin Skënderbeu, i cili tashmë është mbushur me njerëz, ngjashëm si rrugët që çojnë drejt tij, si sheshi Nëna Terezë.

Të pranishëm janë parë edhe përfaqësues të partive politike, veteranë të luftës në Kosovë, dhe familjarë të të akuzuarve.

Kryetari i Komunës, Përparim Rama, ka njoftuar se transporti publik në Prishtinë do të jetë falas sot. Ndërsa, transport falas drejt kryeqytetit është organizuar edhe nga të gjitha qytetet e tjera të Kosovës për pjesëmarrësit në marsh.

Marshi, i organizuar nga lëvizja qytetare “Liria ka Emër”, zhvillohet në një periudhë kur procesi gjyqësor ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së ka hyrë në fazën përfundimtare. Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë caktuar 16 shtatorin si datën e shpalljes së aktgjykimit, pas më shumë se tre vjetësh nga nisja e gjykimit.

Katër të akuzuarit përballen me akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Ata i kanë mohuar të gjitha akuzat.

SHIKONI EDHE:

Nga UÇK-ja në Hagë: Çka do ta përcaktojë verdiktin e 16 shtatorit?

Në agjendën e marshit janë paraparë fjalime nga kryetarët e PDK-së dhe AAK-së, Bedri Hamza e Ardian Gjini, si dhe nga përfaqësues të “Liria ka Emër”, shoqatave të dala nga lufta dhe familjeve të dëshmorëve, ndërsa programi do të shoqërohet me këngë patriotike.

Protesta e sotme nuk është e para që organizohet në Kosovë kundër Gjykatës Speciale apo në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së.

Në prill të vitit 2023, një ditë para nisjes së gjykimit ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit, mijëra qytetarë marshuan në Prishtinë në mbështetje të tyre. Protestuesit e cilësuan procesin si të padrejtë dhe shprehën përkrahje për luftën e UÇK-së.

Një prej tubimeve më të mëdha të viteve të fundit u mbajt më 17 shkurt 2026, në 18-vjetorin e pavarësisë së Kosovës. Mijëra qytetarë morën pjesë në marshin “Drejtësi, jo politikë”, të organizuar në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së.

Ky marsh u mbajt në kohën kur gjykimi në Hagë po i afrohej fundit. Prokuroria kishte përfunduar paraqitjen e rastit në prill 2025, mbrojtja e kishte përfunduar rastin në dhjetor të po atij viti, ndërsa deklaratat përmbyllëse u mbajtën në shkurt 2026.

Pas kësaj, shpallja e aktgjykimit u shty. Fillimisht ishte paraparë për më herët gjatë vitit, ndërsa në korrik Dhomat e Specializuara njoftuan se verdikti do të shpallet më 16 shtator, duke e arsyetuar shtyrjen me kompleksitetin e rastit dhe vëllimin e madh të provave.

SHIKONI EDHE:

Ellis: Aktgjykimi i Speciales mund të bëhet precedent për drejtësinë ndërkombëtare

Në këtë rast, prokuroria pretendon se Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi mbajnë përgjegjësi penale për krime të kryera në Kosovë dhe në veri të Shqipërisë gjatë periudhës së luftës.

Aktakuza përfshin gjashtë pika për krime kundër njerëzimit dhe katër për krime lufte dhe Prokuroria ka kërkuar nga 45 vjet burgim për secilin të akuzuar.

Të katër ish-krerët e UÇK-së u arrestuan në nëntor 2020 dhe u transferuan në qendrën e paraburgimit të Dhomave të Specializuara në Hagë. Gjykimi nisi më 3 prill 2023.

Aktgjykimi i 16 shtatorit pritet të jetë një prej vendimeve më të rëndësishme të Dhomave të Specializuara, të krijuara në vitin 2015 për gjykimin e rasteve që lidhen me pretendime për krime të kryera nga pjesëtarë të UÇK-së gjatë dhe pas luftës së viteve 1998-1999.