“S’ka paqe pa sigurinë e grave”: Në Prishtinë kërkohet drejtësi për gratë e vrara

“Vrasja e grave të trajtohet si urgjencë kombëtare” – ishte motoja e protestës që u mbajt në Prishtinë më 28 gusht, ku u kërkua drejtësi për gratë e vrara.

Në protestë, familjarët e shtatëzënës 25-vjeçare, që u vra në Malishevë, mbajtën në duar fotografinë e saj. Dorasi i dyshuar është bashkëshorti i saj, 26 vjeç, i cili më 27 gusht nuk iu mbijetoi plagëve nga arma e zjarrit.

"Vrasjet e grave janë të paralajmëruara", shkruan në një nga pankartat që u shfaqën gjatë protestës. Organizatat për të drejtat e njeriut, në disa raste, kanë fajësuar autoritetet për dështim në mbrojtjen e grave të rrezikuara nga dhuna.

Përveç vrasjes në Malishevë më 23 gusht, vetëm tre ditë më vonë, në Prizren një grua 80-vjeçare u vra. Dorasi i dyshuar është bashkëshorti i viktimës, 81-vjeçar.

Pas vrasjeve të fundit, nga Qeveria në detyrë e Kosovës kanë thënë se parandalimi për dhunën ndaj grave dhe dhunën në familje kërkon vigjilencë, përgjegjësi dhe bashkëpunim të plotë mes institucioneve.

Që nga viti 2020, Kosova e ka miratuar Konventën e Stambollit, duke e bërë pjesë të Kushtetutës së vendit. Ky instrument, i hartuar nga Këshilli i Evropës, është obligues dhe detyron shtetet që ta luftojnë dhunën ndaj grave dhe dhunën në familje.

Sipas të dhënave nga Policia e Kosovës, që nga viti 2010 e deri në gusht të këtij viti, 63 gra janë vrarë në Kosovë nga familjarët e tyre.

Ekspertët e sistemit të drejtësisë në Kosovë kanë argumentuar se institucionet nuk po trajtojnë me seriozitet personat me të kaluar kriminale. Dënimet e lehta, sipas tyre, po i “trimërojnë” ata që të vazhdojnë veprimtarinë kriminale.

Organizatat që mbrojnë të drejtat e grave, ndërkaq kanë argumentuar se shteti duhet të parandalojë dhunën, e jo të reagojë pas tragjedive.

Vrasja e grave është problem global. Sipas të dhënave të UN Women dhe Zyrës së Kombeve të Bashkuara për Drogën dhe Krimin, UNODC, afër 50 mijë gra dhe vajza u vranë nga partnerët intimë apo familjarët e tyre më 2024.