Protestuesit në Leposaviq i afrohen komunës; Petkoviq thotë se ata u provokuan 

Pjesëtarë të KFOR-it duke bërë roje në Leposaviq.

Një grup i protestuesve serbë në Leposaviq - komunë në veri të Kosovës - tentoi të hyjë në objektin komunal, duke besuar se aty është duke u mbajtur një takim mes ministrit të Pushtetit Lokal të Kosovës, Elbert Krasniqi, kryetarit të komunës, Lulzim Hetemi, dhe me drejtorët e rinj të departamenteve.

Sipas informacioneve të REL-it nga terreni, protestuesit u tërhoqën më vonë pas gardhit që ushtarët e misionit të NATO-s, KFOR, kishin vendosur paraprakisht para ndërtesës së komunës.

Ministri i Administimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka thënë se “grupet kriminale kanë penguar takimin”.

Ai po ashtu ka vlerësuar se menaxhimi i KFOR-it, ndaj atyre grupeve, ishte “me shumë lëshime dhe aspak profesional”.

„Është e paligjshme dhe e papranueshme të barazohen përfaqësuesit legjitim e legal me personat me maska”, ka shkruar ai në llogarinë e tij në Facebook.

Ministri Krasniqi theksoi se Prokuroria e Kosovës duhet të hetojë urgjentisht grupet përgjegjëse dhe kriminale që qëndrojnë “prapa sulmeve dhe dhunës ndaj gazetarëve, si dhe dëmtimit të pronës publike”.

SHIKONI EDHE: Dënohet sulmi ndaj gazetarëve në Leposaviq

Pas një bisede të shkurtër me pjesëtarët e KFOR-it, të cilët ruajnë ndërtesën e komunës, zyrtari i Listës Serbe, Zoran Todiq, i ftoi të tubuarit t’i afrohen ndërtesës së komunës dhe, siç u shpreh, të hyjnë në vendet e tyre të punës.

Todiq është ish-kryetar i Komunës së Leposaviqit sipas sistemit të Kosovës, por, në të njëjtën kohë, mban edhe pozitën e kryetarit të Autoritetit të Përkohshëm Komunal, që funksionon sipas sistemit serb.

Policia e Kosovës, përmes një njoftimi për media ka bërë të ditur se, të premten, më 16 qershor, pranë komunës së Leposaviqit, “nga persona të dyshuar është sulmuar me mjete të ndryshme (ngjyrë), automjeti zyrtar” i cili ishte në shoqërim të ministrit Krasniqi.

Policia raporton se, poashtu, në afërsi të komunës së Leposaviqit, është hedhur një mjet, që dyshohet të jetë shok-bombë, nga individ apo grupe kriminale.

Siç thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës, në Leposaviq “janë sulmuar fizikisht, në mënyrë brutale, disa gazetarë të mediave të ndryshme të Kosovës”.

Sipas informacioneve të deritashme që ka policia, “bëhet fjalë për nëntë gazetarë të sulmuar të cilët kanë qenë me detyrë zyrtare duke përcjellë zhvillimet pranë komunës së Leposaviqit”.

Në ndërtesën komunale në Leposaviq, sikurse edhe në dy komunat tjera me shumicë serbe në veri të Kosovës - Zveçan dhe Zubin Potok - vetëqeverisja lokale e Kosovës dhe ajo serbe janë të vendosura në të njëjtin objekt.

Kjo është edhe arsyeja përse pjesëtarët e komunitetit serb protestojnë që nga fundi i majit - ata nuk duan të lejojnë që kryetarët shqiptarë të komunave të punojnë nga ndërtesat komunale.

Vetëm në Mitrovicën e Veriut ekziston një ndërtesë e veçantë e komunës së Kosovës dhe aty nuk ka protesta.

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, shkroi në llogarinë e tij në Twitter se ky është një “provokim i ri”.

“Për këto lëvizje të dhunshme [të kryeministrit të Kosovës, Albin] Kurti e kam informuar menjëherë [të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav] Lajçak”, tha Petkoviq.

Serbët në veri të Kosovës i bojkotuan zgjedhjet e prillit, nga të cilat dolën kryetarët shqiptarë të katër komunave atje.

Tensionet në veri u rritën në fund të majit, kur Policia e Kosovës i ndihmoi kryetarët të futen në ndërtesat komunale, me gjithë kundërshtimet e serbëve lokalë.

Ato kulmuan më 29 maj, kur protestuesit serbë u përleshën me pjesëtarë të KFOR-it.

Dhjetëra të plagosur u raportuan nga të dyja anët.

Bashkësia ndërkombëtare kërkon nga Kosova që menjëherë ta shtensionojë situatën, përkatësisht t’i tërheqë njësitë speciale të policisë nga veriu, të organizojë zgjedhje të reja lokale dhe të kthehet në dialog me Serbinë.

Nga Beogradi zyrtar, në anën tjetër, kërkohet që të sigurojë pjesëmarrjen e pakushtëzuar të serbëve në zgjedhjet e mundshme lokale.

Kërkesë e protestuesve serbë, deri më tash, ishte tërheqja e forcave speciale të Kosovës, si dhe lirimi i të arrestuarve për pjesëmarrje në protesta.

Policia e Kosovës arrestoi gjashtë persona të dyshuar për pjesëmarrje në veprimtari kriminale, por vetëm tre prej tyre iu shqiptua masa e paraburgimit prej një muaji.

I fundit që u arrestua ishte Millun Millenkoviq - Llune, për të cilin autoritetet kosovare pretendojnë se është një nga organizatorët e sulmeve ndaj KFOR-it në Zveçan. Ai akuzohet për terrorizëm, ndryshim të dhunshëm të rendit kushtetues dhe rrezikim të personave nën mbrojtje ndërkombëtare.

Qeveria e Kosovës beson se për shkak të arrestimit të tij, Serbia ka “rrëmbyer”, siç thotë, tre policë kosovarë në komunën e Leposaviqit.

Beogradi zyrtar pretendon se ata janë arrestuar në territorin e Serbisë.