Qeveria miraton projektbuxhetin: Rritje pagash, shtesash për fëmijë dhe mbështetje për ish-krerët e UÇK-së

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë një mbjedhjeje të Qeverisë. Fotografi nga arkivi.

Qeveria e Kosovës miratoi projektbuxhetin për vitin 2027 në vlerë prej 4.27 miliardë eurosh, i cili, sipas ekzekutivit, përfshin rritjen e shtesave për fëmijë, pagën e 13-të, rritjen e koeficientit të pagave, mbështetjen për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë dhe investime kapitale.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se buxheti i projektuar - që do t’i dërgohet Kuvendit për miratim - është 200 milionë euro më i lartë sesa buxheti i rishikuar për vitin 2026.

Ai tha se të hyrat e Administratës Tatimore për vitin 2027 pritet të jenë sa 60 për qind e të hyrave që do të mbledhë Dogana.

“Po rritet ekonomia e po shtohet punësimi”, tha Kurti në mbledhjen e Qeverisë, më 2 nëntor.

Ai shtoi se në tremujorin e parë të këtij viti, rritja ekonomike ishte 5.4 për qind, ndërsa në tremujorin e dytë ishte 5.1 për qind.

Sipas Kurtit, buxheti i vitit 2027 do të jetë i investimeve të mëdha kapitale.

“Për herë të parë, buxheti parasheh mbi 1 miliard euro vetëm në kategorinë e investimeve kapitale. Këtu përfshihet ndërtimi i rrugëve të reja, siç janë: unaza e jashtme e Prishtinës, segmenti Duhël-Banullë që bashkon dy autostrada, autoudha e Dukagjinit dhe shumë rrugë të tjera rajonale dhe nacionale që parashihen të zgjerohen dhe rehabilitohen”, tha ai.

Rritja e shtesave dhe pagave

Gjatë fjalës së tij, Kurti tha se projektbuxheti parasheh rritjen e shtesave për fëmijë, që, siç shpjegoi, do të ndahet në katër faza.

Ai tha se në janar, shtesat do të rriten për 25 për qind, e kjo rritje do të jetë e përvitshme deri më 2030, kur, sipas tij, kompletohet dyfishimi i shtesave.

Si ilustrim, ai tha se një familje që ka dy fëmijë, në janar do të marrë nga 75 euro shtesa.

SHIKONI EDHE:

Qeveria rrit shtesat për lehonatShtesat për fëmijë: Kush fiton e kush humb?

Një tjetër element i projektbuxhetit është rritja e koeficientit të pagave për 120 euro dhe paga e 13-të.

“Në pjesën e parë të vitit është paga e 13-të, ndërkaq në pjesën e dytë rritja e pagës për të gjithë nëpunësit. Kjo e çon buxhetin e pagave në 1 miliard e 85 milionë euro, e që kur përpjesëtohet me rreth 85 mijë nëpunës publikë, paga mesatare bruto rezulton mbi 12 mijë euro [në vit], apo mbi 1 mijë euro bruto në muaj”, tha Kurti.

Punonjësit e sektorit publik e morën pagën e 13-të në mars të këtij viti.

Ata me të paktën një vit përvojë pune përfituan një pagë të plotë, ndërsa ata me më pak se një vit punë morën një shumë proporcionale me kohëzgjatjen e punësimit.

Më shumë fonde për mbrojtjen e ish-krerëve të UÇK-së

Projekbuxheti i ri parasheh edhe rritje të mbështetjes për ekipet mbrojtëse të katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që janë në burg në Hagë.

Ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi dhe ish-deputeti Rexhep Selimi u dënuan në shkallë të parë për krime lufte më 16 shtator.

Qeveria është zotuar se do të ndihmojë që ky vendim, siç ka thënë, “të korrigjohet” në fazën e Apelit.

Vendi ka krijuar edhe një grup punues, që udhëhiqet nga kryediplomati Glauk Konjufca, dhe në të ka përfaqësues të partive politike.

Kurti tha të hënën se Qeveria pret që ky grup të hartojë një strategji, mbi bazën e së cilës do të përcaktohen hapat e mëtejshëm për mbështetjen e ish-krerëve të UÇK-së.

SHIKONI EDHE:

Çfarë strategjie mund ta ndjekë Qeveria e Kosovës për apelin në Hagë?

Ministri i Financave, Hekuran Murati, tha se do të rriten edhe fondet për barnat esenciale, duke shpjeguar se kjo rritje është një nga arsyet pse buxheti i paraparë për mallra dhe shërbime arrin në 586 milionë euro.

Murati tha se për kategorinë subvencione dhe transfere, parashihet një buxhet prej 1 miliard e 446 milionë eurosh.

Rritja prej 6.5 për qind, sipas tij, përfshin rritjen e shtesave për fëmijë, por edhe të pensioneve, siç është ai bazik.

Ky buxhet parasheh edhe themelimin e avionkompanisë së parë të Kosovës.

Ekspertët e aviacionit civil i kanë thënë më herët Radios Evropa e Lirë se kostot e larta dhe konkurrenca ndërkombëtare mund ta vështirësojnë qëndrueshmërinë e një kompanie të tillë shtetërore.

SHIKONI EDHE:

Kosova synon kompaninë e saj ajrore, por me çfarë kostoje?

Miratimi i projektbuxhetit në mbledhjen e së hënës vjen mes kritikave nga opozita për shkeljen e afatit për dërgimin e tij në Kuvend.

Sipas Ligjit për ndarjet buxhetore, Qeveria duhet ta dërgojë projektbuxhetin në Kuvend jo më vonë se 31 tetori.

Po më 31 tetor, deputetja nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Hykmete Bajrami, e kritikoi Kurtin për mosdërgimin e buxhetit në Kuvend brenda këtij afati.

“Ligji dhe afatet ligjore vlejnë dhe duhet të respektohen edhe nga qeveritarët”, shkroi ajo në rrjetet sociale.