QKUK-ja ua “merr” pacientët spitaleve rajonale

Pajisje për rëntgen në Ambulancën Specialistike, në kuadër të spitalit rajonal të Pejës.

Spitalet rajonale të Kosovës, ndonëse me aparatura të sofistikuara dhe staf profesional, shpesh nuk i bindin pacientët se ofrojnë shërbime adekuate.

Janë shtatë spitale të tilla që mbulojnë secilën zonë të vendit, por barra kryesore duket se bie mbi Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

Aty qarkullojnë mijëra pacientë në ditë, që marrin shërbime nga më të ndryshmet: nga kontrolli rutinor deri tek operacioni.

“Kam ardhur në Prishtinë [në QKUK] se mendoj se është më mirë”, thotë Fatosi, një burrë në të 50-tat.

Paraditen e 3 tetorit, ai kishte udhëtuar nga Klina - mbi 60 kilometra larg Prishtinës - për të bërë një termin për rrezatim të mushkërive, apo skanim CT, në Klinikën e Radiologjisë në QKUK.

Rajonin ku jeton ai, e mbulon spitali i përgjithshëm i Pejës, por Fatosi thotë të ketë dëgjuar se “në Prishtinë bëhet më mirë”.

Duke folur për Radion Evropa e Lirë, ai tregon se ka arritur ta bëjë terminin vetëm pak ditë pasi “mjeku në Pejë e ka udhëzuar të bëjë CT”.

Fatin e tij nuk e kanë shumë pacientë të tjerë, që për këtë shërbim duhet të presin me muaj.

Radio Evropa e Lirë pa më 3 tetor listën e terminëve në Radiologjinë e QKUK-së dhe i fundit për CT mban datën 30 dhjetor 2022.

Listat e pritjes së pacientëve për rrezatim në Klinikën e Radiologjisë në QKUK.

Mbi 680 raste të referuara nga Peja

Nga spitali i përgjithshëm i Pejës thonë se në QKUK referohen vetëm ato raste që nuk mund t’i kryejnë, për shkak të urgjencës.

Roza Kola-Hajdari, drejtoreshë e Radiologjisë në këtë spital, thotë për Radion Evropa e Lirë se reparti funksionon me dy radiologë dhe se ndodh që pacientëve u duhet të presin deri në një muaj për një skanim CT.

“Ka pacientë që nuk janë të kënaqur me listën e pritjes dhe shkojnë vetë në Prishtinë”, thotë ajo.

Roza Kola-Hajdari, drejtoreshë e Radiologjisë në spitalin e Pejës.

Përveç Pejës, ky spital mbulon edhe komunat: Istog, Klinë, Deçan dhe Junik. Ka aparatura për shërbime të ndryshme - disa edhe të papërdorura fare, për shkak të mungesës së stafit përkatës.

Sipas drejtorisë së spitalit, numri i vizitave te mjeku specialist në këtë institucion kalon 15.000 brenda muajit.

Nga kjo drejtori bëjnë të ditur për Radion Evropa e Lirë se nga 1 janari i këtij viti deri më 28 shtator, në QKUK janë transferuar 688 raste.

“Afër 60% e këtyre transferimeve u përkasin problemeve me zemër dhe aksidenteve me lëndime të rënda”, thonë nga drejtoria e spitalit, duke sqaruar se për raste të tilla, ata nuk mund të ofrojnë shërbime.

Pajisja e quajtur skopi, për ekzaminimin e abdomenit. Kjo pajisje është ende e papërdorur për shkak të mungesës së stafit përkatës, spitali i përgjithshëm në Pejë.

Nga kjo drejtori thonë se edhe mungesa e stafit për të operuar me aparatura të caktuara, çon shpesh te referimet për në QKUK.

Referime edhe nga Gjilani dhe Gjakova

Më 3 tetor, REL bisedoi edhe me Zymer Jerliun nga Komuna e Gjilanit që donte të bënte një CT në Klinikën e Radiologjisë në QKUK.

“Mjeku më ka propozuar kështu, se unë nuk kam asnjë vërejtje në spitalin e Gjilanit”, thotë ky 67-vjeçar.

Drejtori i spitalit në Gjilan, Arsim Emini, pranon se ka raste që nuk do të duhej të referoheshin në QKUK, por thotë se “problemet në këtë spital janë të natyrave të ndryshme”.

“Është edhe mungesa e përgjegjësisë, edhe neglizhenca”, thotë Emini, pa dhënë detaje se cilat raste referohen më shumë.

Spitali i Gjilanit ofron shërbime për atë që njihet si rajon i Anamoravës.

“Ka mundësi që pacientët nga Gjilani, për CT, shkojnë direkt në Prishtinë, ka mundësi që gjejnë lidhje dhe shkojnë menjëherë, se e vërteta është se këtu ka listë të pritjes [për këtë shërbim] që shkon deri në dy muaj”, thotë Emini për Radion Evropa e Lirë.

Ky spital ka të punësuar katër radiologë, që janë të thirrur për të lexuar skanime CT.

Mbi 120 kilometra larg Gjilanit gjendet Gjakova, e cila po ashtu ka spitalin rajonal, që mbulon disa komuna në pjesën jugore dhe perëndimore të Kosovës.

Pajisje për rëntgen, e cila është jashtë funksionit për më shumë se dy muaj, në spitalin e përgjithshëm në Pejë.

Në këtë spital ankohen për mungesë të radiologëve. Aty punojnë tre specialistë të tillë, ndërsa thonë se do të duheshin edhe tre të tjerë.

“Ka qytetarë të pakënaqur dhe shkojnë në mënyrë individuale [në QKUK] dhe kërkojnë mendime të tjera”, thotë për Radion Evropa e Lirë drejtori i spitalit, Jeton Zarari.

“Rastet e rënda i referojmë. Rastet e mesme i trajtojmë këtu, i mjekojmë këtu, por ka pacientë që shkojnë vetë”, thekson ai.

Nuk ka rregullore

Dyndje pacientësh nga të gjitha anët e Kosovës dhe lista të gjata të pritjes, REL ka parë pothuajse në çdo klinikë të QKUK-së.

Nga udhëheqja e këtij institucioni thonë se nuk ka asnjë rregullore të shkruar për referimin e pacientëve nga spitalet rajonale në QKUK.

Referimet, sipas tyre, bëhen pas vlerësimeve nga spitalet, por se ka raste kur pacientët, pavarësisht se nga cila komunë janë, vendosin vetë të drejtohen në QKUK dhe QKUK-ja nuk i refuzon.

Ata pranojnë se ka raste kur pacientët që mund të trajtohen edhe në shtëpi shëndeti, referohen në Emergjencën e QKUK-së.

Pajisje rëntgeni në Repartin e Radiologjisë në spitalin e përgjithshëm në Pejë. Dhoma ku është e vendosur kjo pajisje, shihet e dëmtuar.

Nga Ministria e Shëndetësisë e Kosovës thonë se janë duke punuar që të krijohen kushte më të mira si për pacientët, ashtu edhe për stafin shëndetësor në spitalet rajonale.

“Komisioni Ekzekutiv është duke ndërmarrë hapa për përmirësime të cilësisë së shërbimeve, duke përfshirë edhe komoditetin e punëtorëve shëndetësorë”, thotë për REL-in zëvendësministri i Shëndetësisë, Arsim Berisha, duke mos dhënë më shumë detaje rreth këtyre hapave.

Qeveria e Kosovës ka njoftuar, muajin e kaluar, se ka formuar Komisionin Ekzekutiv për Shëndetësi, përgjegjësitë e të cilit, siç është thënë, do të përfshijnë zhvillimin e sektorit publik të shëndetësisë.

Ky sektor, prej vitesh, përballet me kushte jo të mira të punës dhe largim të stafit shëndetësor. Sipas të dhënave të Odës së Mjekëve të Kosovës, deri më tash këtë vit, nga QKUK-ja dhe spitalet rajonale publike janë larguar mbi 60 mjekë.

Në mungesë të mjekëve, por edhe të kushteve adekuate, pritjet për shërbime të caktuara në QKUK zgjasin me muaj apo vite.

SHIKONI EDHE: Deri në tre vjet pritje për shërbim në QKUK

Pacientët shpesh ankohen edhe për mungesë të barnave nga lista esenciale, të cilat pastaj duhet t’i sigurojnë vetë.

Për shkak të numrit të vogël edhe të infermierëve, dhomat e pacientëve janë shpesh të mbushura me familjarë që i shoqërojnë ata.

Përveç në Pejë, Gjilan e Gjakovë, Kosova ka spitale rajonale edhe në Prizren, Mitrovicë, Ferizaj e Vushtrri.