Një pankartë gjigante që kërcënon një flotë detare amerikane, që aktualisht po i afrohet bregut iranian, është mesazhi më i fundit vizual propagandistik që është vendosur në këndin e një rruge në Teheran gjatë muajve të fundit.
Një pankartë që kërcënon forcat detare amerikane u pa në Sheshin Enqelab më 26 janar. Teksti në anglisht (djathtas) thotë: “Nëse mbjell erën, do të korrësh stuhinë”, duke iu referuar një proverbe biblike.
Imazhi i një aeroplanmbajtësi të dëmtuar që lëshon gjak mbizotëron mbi sheshin Enqelab (Revolucioni Islamik) në Teheran, që ndodhet në rrugën kryesore nga aeroporti ndërkombëtar i qytetit. Gjatë dy muajve të fundit, të paktën pesë posterë të ndryshëm propagandistikë janë vendosur në këtë rrugë mjaft të frekuentuar.
Një mural në kryqëzimin e Sheshit Enqelab më 24 janar deklaron: “Irani është vendi ynë, flamuri i tij është shami për varrimin tonë”.
Murali me përmasa të mëdha i jep Teheranit mundësinë të “hakojë” në mënyrë efektive ekosistemin mediatik perëndimor, sipas Darren Linvill, profesor në Media Forensics Hub në Universitetin Clemson. “Ata krijojnë këto imazhe që të ndahen nga [mediat perëndimore] dhe më pas nga atje të përhapen në rrjetet sociale”. Në këtë kontekst, ai i tha REL-it se pavarësisht shpenzimeve për posterë të ndërruar shpesh, me përmasa të ndërtesave, “në plan të madh, pankartat janë të lira”.
Një poster në sheshin Enqelab në nëntor 2025 kombinon figura historike dhe një incident të vitit 2016 ku ekuipazhet amerikane të flotës u kapën nga forcat iraniane pas një gabimi navigimi. Teksti në farsi thotë: “Do të gjunjëzoheni para Iranit përsëri”.
Janatan Sayeh, analist kërkimor pranë Fondacionit për Mbrojtjen e Demokracive në Uashington, i tha REL-it se një tjetër qëllim i muralëve me përmasa të mëdha si ai në sheshin Enqelab është “ekspozimi konstant, duke siguruar që qytetarët të përballen me propagandën kudo, nga metroja deri në parqet publike”. Ai shtoi se kjo “është një taktikë psikologjike që synon t’u kujtojë iranianëve se nuk ka shpëtim nga regjimi”.
Pankarta në sheshin Enqelab që paraqet shkencëtarë bërthamorë dhe centrifuga me slogane “shkenca është fuqi” në gusht 2025.
Që nga Revolucioni Islamik i vitit 1979, kanë ekzistuar murale në blloqet e qytetit të Teheranit që kërcënojnë SHBA-në dhe Izraelin. Megjithatë, përdorimi i pankartave gjigante që mund të ndërrohen brenda natës është adoptuar vetëm në vitet e fundit.
Pankarta në sheshin Enqelab, fotografuar në tetor 2024, që paraqet një shi raketash që godasin Izraelin. Teksti përfshin një frazë në farsi: “Nëse doni luftë, ne jemi mjeshtrit e luftës”.
Fotografitë e pankartës së Sheshit Enqelab u shfaqën për herë të parë në agjencitë iraniane të lajmeve në fillim të vitit 2023. Një pankartë më e vogël në Sheshin Vali Asr është përdorur që nga viti 2015 për të transmetuar mesazhe të regjimit që shpesh reflektojnë çështjet aktuale ose narrativë islamistë.
Një pankartë që duket se promovonte organizatën paramilitare Basij të Iranit u dogj gjatë protestave në Teheran pas vdekjes së Mahsa Aminit në shtator 2022.
Pankartat propagandistike të Qeverisë janë djegur gjatë protestave antiqeveritare në vitet e fundit, por nuk ka dëshmi që pankarta e sheshit Enqelab, e njohur si pikë tubimi për demonstrata proregjimit, të ketë qenë cak i sulmeve. Disa iranianë thuhet se përdorën gjakun e të vrarëve gjatë trazirave më të fundit për të shkruar mesazhe antiqeveritare mbi dyert e dyqaneve.
Pankarta e sheshit Enqelab me një banderolë që paraqet liderë historikë dhe bashkëkohorë botërorë me fjalët: “premtimi i lirisë amerikane”, në nëntor 2025.
Disa iranianë kanë shprehur zemërim ndaj tonit kërcënues të disa pankartave. Një grua i tha një gazetari se panot si ajo që kërcënon Izraelin janë “vetëm për të provokuar më shumë tension”.
Pankarta e sheshit Enqelab që paraqet një hero nga poezia epike persiane Shahnameh, duke luftuar një krijesë me ngjyrat e flamurit amerikan.
Me Qeverinë iraniane që së fundmi po kalon nga një krizë në tjetrën, analisti Sayeh tha se propaganda agresive e parë mbi sheshin Enqelab shpesh është në kontrast me atë që ndodh pas dyerve të mbyllura.
“Imazhi është gjithçka për regjimin, dhe ai nuk mund të lejojë të duket i dobët para bazës së tij mbështetëse. Kjo është arsyeja pse ka momente kur ai lëshon kërcënime publike ndërsa përpiqet të ulë tensionin privatisht”, tha ai.