Disa qytete të Kosovës protestojnë kundër dënimit të ish-krerëve të UÇK-së

Qytetarë mblidhen në qendër të Gjilanit për të protestuar ndaj vendimit të Gjykatës Speciale për ish-krerët e UÇK-së, 25 shtator 2026.

Qytetarë në disa qytete të Kosovës kanë dalë në rrugë të premten pasdite për të protestuar kundër dënimit të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) me burgim për krime lufte nga gjykata kosovare në Hagë.

Shqiptarët e Kosovës janë duke protestuar vazhdimisht në kryeqytet qëkurse Hashim Thaçi, Kadi Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi - të cilët udhëhoqën UÇK-në gjatë luftës së saj kundër forcave serbe më 1998-99 - u shpallën fajtorë më 16 shtator nga ajo që njihet si Gjykata Speciale e Kosovës, për katër akuza për krime lufte.

Por tani, qytetarë në pjesë të ndryshme të vendit, Podujevë, Istog, Rahovec, Deçan, Gjilan, Kaçanik dhe Drenas, i janë bashkuar nismës duke protestuar njëkohësisht të premten.

Protesta pritën më vonë në mbrëmje edhe në Prizren dhe në Prishtinë.

Protestat e të premtes, të thirrura nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, vijnë pas protestave të përnatshme në qendër të kryeqytetit dhe i paraprijnë një proteste kryesore të thirrur për 1 tetor.

Protestuesit në kryeqytet, ku shihen edhe familjtarë të katër ish-krerëve të dënuar të UÇK-së, kërkojnë ndryshimin e ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, i cili ishte votuar nga Kuvendi i Kosovës më 2015.

Nisma për plotësimin dhe ndryshimin e këtij ligji i është dërguar për mendim Qeverisë së Kosovës të premten në mëngjes.

SHIKONI EDHE:

Qytetarët mbushin sheshin e Prishtinës në natën e pestë të protestës kundër dënimit të katërshes së UÇK-së

Në dokumentin e ndryshimeve të propozuara, të cilën e ka parë Radio Evropa e Lirë, kërkohet ndër të tjera, që dënimet më të larta që mund të shqiptohen nga Gjykata në Hagë të jenë 15 vjet burgim dhe që të dënuarit të mund të jenë subjekt i faljes presidenciale.

Ish-presidenti Thaçi dhe ish-kryeparlamentari Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burgim secili, ndërsa ish-kryeparlamentari tjetër Veseli u dënua me 18 vjet, dhe ish-deputeti Selimi me 13 vjet.

Që të katërtit i kanë mohuar akuzat dhe kanë thënë se do të ankohen ndaj aktgjykimit të shkallës së parë në Apelin e Speciales.

SHIKONI EDHE:

Njeriu i 17 shkurtit nën hijen e 16 shtatorit

Dënimi i tyre me burgim është kritikuar ashpër në Kosovë, ku ata shihen si heronj kombëtarë.

Instituti i Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë më 1998-'99 thotë se i ka dokumentuar gjithsej 12.230 viktima të luftës, mbi 10.000 prej tyre shqiptarë të vrarë nga forcat serbe.