Raportimi që çoi shefin e medias shtetërore iraniane në gjykatë

Në këtë fotografi, tashmë të fshirë nga agjencia IRNA, shkrimtarja iraniane, Sara Kan'ani shfaqet duke e parë Ahunë, foshnjën për të cilën u përkujdes për 40 ditë.

Agjencia shtetërore e lajmeve e Iranit publikoi një artikull për dashurinë, luftën dhe një foshnje që nuk e dëshironte askush. Brenda orësh, agjencia fshiu pjesë të raportimit të vet. Ditë më vonë, shefi i saj u thirr në gjykatë.

Historia e treguar në artikull nuk u kontestua.

Fotoraportimi i agjencisë IRNA, i titulluar: “Dashuria e një nëne që zgjati 40 ditë”, tregoi historinë e Sara Kan'ani, shkrimtares dhe artistes 37-vjeçare nga Teherani, e cila mori nën përkujdesje një foshnje të porsalindur. Beben ajo e mori nga një program i kujdesit të përkohshëm që udhëhiqet nga organizata Behravish, dhe kjo ndodhi gjatë luftës 40-ditore të Iranit me Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin.

Ajo e pagëzoi foshnjën Ahu – sipas një vargu të poetit Hafez.

Kan’ani tentoi ta birësonte vajzën. Por, asaj iu tha se gratë beqare nuk kanë prioritet të madh në procesin e birësimit. Pas 40 ditësh, ajo e ktheu foshnjën.

IRNA e paraqiti këtë histori si një homazh për vullnetarizmin, për institucionet që merren me mirëqenie dhe e quajti atë “kulturë që ka në epiqendër familjen”.

Ky raportim, në çdo kuptim, kishte përmbajtje të miratuar nga shteti.

Por, problemi qëndronte te fotografitë.

Disa fotografi e shfaqën Kan’anin pa shaminë islamike të kokës, të cilën ajo nuk e kishte vendosur teksa ishte brenda shtëpisë së saj.

Veshja e hixhabit është e obligueshme në Iran, edhe pse zbatimi i këtij obligimi po ngec gjithnjë e më shumë që nga trazirat e vitit 2022 të titulluara: “Grua, Jetë, Liri”, teksa shumë gra nuk iu binden autoriteteve dhe nuk e mbajnë këtë veshje.

SHIKONI EDHE:

Kur sistemet shemben, gratë ngjiten në skenë"Gra, Jetë, Liri": Lëvizja protestuese e Iranit që forcoi shoqërinëSi u bë vdekja e Aminit thirrje për protestë për mijëra iranianë

Disa minuta pas publikimit të artikullit, nisi presioni në rrjetet sociale. IRNA shpejt fshiu disa nga fotografitë dhe e rishkroi këtë artikull pa asnjë shpjegim.

Por, vetëcensura nuk mjaftoi.

Gjyqësori iranian njoftoi më 20 maj se drejtori ekzekutivi i IRNA-s është thirrur në Gjykatën e Shtypit dhe Medias “për të dhënë sqarime” pas publikimit të fotografive të një gruaje “pa respektuar ligjet dhe rregullat islame”.

Fotografja Marzieh Mousavi reagoi përmes një postimi në Instagram: “Duket se në mes të gjithë debatit, thelbi i stories humbi”, shkroi ajo.

“Ky raportim nuk ka të bëjë me veshjen. Nuk ka të bëjë me gjykimin e një gruaje. Ka të bëjë me mëmësinë, kujdesin dhe dhënien e zemrës për një foshnjë që nuk e ka askënd”.

Një grua pa mbulesën islame mban në duar fotografinë e liderit të vrarë suprem, ajatollah Ali Khamenei, gjatë një tubimi të sponsorizuar nga shteti, që u mbajt në Teheran muajin e kaluar.

Kritikët, megjithatë, vunë në pah jokonsistencën.

Fotografitë e grave pa mbulesa në tubime publike, që janë të miratuara nga shteti – ngjarje ku Republika Islamike në mënyrë aktive i promovon dhe i fotografon për të paraqitur një pamje të normalitetit dhe mbështetjes popullore – kanë qarkulluar lirshëm në platforma brenda vendit, pa asnjë pasojë.

Gazetari Ali Khaligh e vuri në dukje kontrastin, duke iu referuar imazheve të grave pa shami në ngjarje të natës pro regjimit, të cilat “publikohen dhe ripublikohen lehtësisht në ueb-faqet dhe rrjetet vendore”.

Dallimi, sipas kritikëve, nuk është shamia. Një grua pa mbulesë në një tubim të sponsorizuar nga shteti është e dobishme. Një grua pa mbulesë në një mjedis krejtësisht të zakonshëm familjar, sipas tyre, nuk është.

Përgatiti: Mimoza Sadiku