REL-i rifillon transmetimin në Afganistan me programe për edukimin e vajzave

Radio Azadi duke transmetuar programe nga studioja në Pragë më 24 nëntor.

Radio Evropa e Lirë (REL) ka rinisur transmetimin përmes valëve të shkurtra radiofonike në Afganistan me programe të reja edukative që kanë në qendër vajzat të cilave talibanët ua kanë ndalura shkollimin.

Transmetimet e reja nisën më 24 nëntor, në orën 07:00, sipas kohës lokale, dhe përfshijnë tri orë program, ku ka lajme, analiza dhe muzikë. Muzika është ndaluar nga talibanët që kur grupi e rimori pushtetin në Afganistan në vitin 2021.

Po ashtu, ka edhe programe dedikuar grave, të cilat janë përballur me kufizime të shumta nën sundimin e talibanëve, dhe raportime për kriketin, sport që së voni u ndalua në Kandahar, bastionin rajonal të talibanëve.

SHIKONI EDHE:

Të përjashtuara nga talibanët, vajzat dhe gratë afgane po mbeten pa shkollim edhe në Iran e Pakistan

Shërbimi i REL-it në Afganistan, që njihet edhe si Radio Azadi, po ashtu është i ndaluar nga talibanët.

“Radioja ka rëndësi në Afganistan sepse mund të arrijë te njerëzit në vende ku qasja në internet është e kufizuar ose jo e qëndrueshme. Një radio me bateri, që transmeton në valë të shkurtra, mund t’i kapë programet tona edhe kur nuk ka energji elektrike”, tha shefja e Radio Azadit, Malali Bashir.

Arsimimi i vajzave

Programet edukative u dedikohen nxënëseve të klasave të shtata deri në të dymbëdhjetën, pra vajzave të moshës 12 deri në 17 vjeç. Talibanët ende lejojnë që vajzat në moshë më të vogël të ndjekin shkollën. Programet, të cilat transmetohen edhe për tri orë në mbrëmje, janë në gjuhët dari dhe pashto.

Programet edukative u lansuan online në vitin 2025 dhe janë krijuar për t’i ndihmuar vajzat në Afganistan të vazhdojnë mësimin, pavarësisht kufizimeve të vendosura nga talibanët.

SHIKONI EDHE:

Islami nuk ndalon shkollimin e vajzave – pse talibanët s’e lejojnë?

Ato janë krijuar në partneritet me LEARN Afghan, një organizatë jofitimprurëse me seli në Shtetet e Bashkuara që është krijuar dhe udhëhiqet nga gra afgane, e cila ofron edhe mbështetje shëndetësore dhe emergjente në Afganistan. Programet mbështeten nga Malala Fund, organizata e themeluar nga fituesja e Çmimit Nobel për Paqe, Malala Yousafzai.

Rikthimi i transmetimeve të Radio Azadi në valë të shkurtra u mirëprit nga dëgjuesit në jug të Afganistanit, në zonën që tradicionalisht është bastion i talibanëve.

“Po e dëgjoj përsëri Radio Azadi në valë të shkurtra dhe sinjali po vjen shumë qartë këtu”, tha një dëgjues nga një fshat në provincën Zabul, i cili kontaktoi radion më 24 nëntor.

“Ky do të jetë një mëngjes i paharrueshëm për mua, pasi edhe një herë kam mundur t’i dëgjoj programet e Radio Azadi në valë të shkurtra. Nuk jam vetëm unë. Edhe miqtë e mi në Helmand dhe Kandahar janë shumë të lumtur për rikthimin e transmetimeve në valë të shkurtra”, tha një tjetër dëgjues nga provinca Helmand.

Përveç lëndëve si kimia, biologjia, historia dhe gjeografia, transmetimet e Radio Azadi përfshijnë edhe programe për shëndetin mendor të grave dhe rolin e grave në histori. Kurrikula bazohet në atë që përdorej në shkollat afgane para se talibanët të merrnin pushtetin teksa forcat ndërkombëtare të udhëhequra nga SHBA-ja po tërhiqeshin nga Afganistani më 2021.

Në kuadër të rritjes së përqendrimit në platformat digjitale, Azadi ka publikuar po ashtu më shumë se 900 mësime në rreth 400 video të programit në kanalin e saj në YouTube.

Rikthim në të ardhmen

Radio Azadi ka një traditë të gjatë të transmetimit në Afganistan, fillimisht nga viti 1985 deri më 1993, dhe më pas u rikthye pas sulmeve të 11 shtatorit, në vitin 2002. Radio Azadi është një emër i njohur dhe i respektuar në familjet në mbarë vendin.

Transmetimet e saj u ndërprenë në mars të vitit 2025, pasi presidenti amerikan, Donald Trump, nënshkroi një urdhër ekzekutiv që kërkoi reduktimin e Agjencisë së SHBA-së për Media Globale (USAGM) dhe transmetuesve që ajo mbikëqyr, “në masën më të madhe të mundshme në përputhje me ligjin në fuqi”.

USAGM-ja është një agjenci e pavarur qeveritare që mbikëqyr REL-in, Zërin e Amerikës dhe transmetues të tjerë të financuar nga SHBA-ja. Kur ajo bllokoi qasjen në transmetuesit radiofonikë që përdorte REL-i, Radio Azadi vazhdoi të ofronte përmbajtjen audio përmes një aplikacioni online.

Tani, me mundësinë për të rifilluar transmetimet tradicionale radiofonike, ajo mund të arrijë një audiencë shumë më të gjerë. Valët e shkurtra janë zgjedhur sërish, pasi është më e vështirë për talibanët që të bllokojnë sinjalin e tyre.

“Për një familje në një zonë të largët, valët e shkurtra ofrojnë një mënyrë tjetër për të dëgjuar lajme të pavarura”, tha Bashir. “Dhe për një vajzë të cilës talibanët ia kanë ndaluar shkollimin pas klasës së gjashtë, programi ynë ‘Ora e Edukimit’ mund ta sjellë një mësim shkollor në shtëpinë e saj”.