Rojet kufitare ndjekin ukrainasit deri në Moldavi

Pamje të shkëputura nga një video tregojnë roje kufitare ukrainase në një varkë, në anën moldaviane të lumit Dniestër, dhe një burrë ukrainas në ujë pranë tyre, më 15 tetor.

Pamjet janë të paqarta, por dramatike: Dy burra të veshur me uniforma kamuflazhi, në një varkë të vogël me motor, sillen rreth një personi tjetër që po përpiqet të qëndrojë mbi ujë, teksa i bërtasin dhe tentojnë ta kapin. Në një moment, një prej burrave tenton që vazhdimisht ta godasë personin që po noton me një lopatë druri.

Ngjarja ndodhi në mes të lumit Dniestër, i cili kalon përgjatë një pjese të kufirit mes Moldavisë dhe Ukrainës dhe përdoret si pikë kalimi nga ukrainasit që përpiqen të largohen nga vendi i tyre, teksa lufta në shkallë të plotë e Rusisë po i afrohet përvjetorit të pestë.

Ukraina po përpiqet me urgjencë të zbusë mungesën e ushtarëve, e cila po dëmton mbrojtjen e saj kundër një agresori me popullsi shumë më të madhe. Ashtu si në Rusi, edhe në Ukrainë rekrutuesit ndonjëherë kanë përdorur metoda të dhunshme për të rekrutuar burra që të luftojnë.

Shumica e burrave të moshës 23 deri në 60 vjeç e kanë të ndaluar të largohen nga vendi. Shumë prej tyre janë përpjekur të kalojnë në Moldavi ose në Rumaninë fqinje, duke rrezikuar ndonjëherë jetën duke ikur nëpër lumenj ku kalimi mund të jetë i rrezikshëm.

SHIKONI EDHE:

Fshati rumun, “pjesë e luftës” për shkak të dronëve rusë

Të paktën dy herë këtë muaj, ka ndodhur diçka e pazakontë: Rojet kufitare ukrainase që u janë vënë në ndjekje bashkëkombësve të tyre kanë përfunduar në anën moldaviane të kufirit dhe janë ndaluar nga kolegët e tyre moldavianë.

Kjo ndodhi edhe në rastin që, sipas raportimeve, është filmuar nga një kalimtar më 15 tetor. Pas përleshjes në lumë, rojet shihen të ulur në varkë, në bregun moldavian, ndërsa më pas pason një shkëmbim fjalësh në gjuhën ruse, ku përdoren fjalë fyese e ku njerëzit i qortojnë për mënyrën se si e kanë trajtuar personin që po përpiqej të arratisej.

Sipas raportimeve të mediave në Moldavi, banorët lokalë e nxorën burrin nga lumi dhe ai u dërgua në spital. Mediat e identifikuan atë si Oleksiy Koval, një psikolog klinik 49-vjeçar nga Kievi, i cili po përpiqej të arrinte te familja e tij, që ishte larguar më herët nga Ukraina.

Zyrtarët thanë se ai kishte aplikuar për azil në Moldavi, çka do të thotë se ka shumë pak gjasa të kthehet në Ukrainë.

Shumë ukrainas që largohen përmes kufirit drejt Moldavisë mbështeten te rrjetet e kontrabandës që veprojnë në të dyja anët e kufirit dhe që marrin pagesa për t’i ndihmuar të kalojnë. Bashkëpunimi mes dy vendeve përqendrohet kryesisht në çmontimin e këtyre rrjeteve.

Megjithatë, pasi burrat ukrainas mbërrijnë në territorin e Moldavisë dhe aplikojnë për azil, ligji praktikisht e pengon riatdhesimin e tyre: Autoritetet nuk lejohen t’i kthejnë aplikuesit nëse ka “arsye të bazuara për të besuar” se jeta e tyre do të ishte në rrezik ose se ata mund t’i nënshtroheshin torturës apo trajtimit tjetër çnjerëzor ose denigrues.

Sipas statistikave të qeverisë në Moladvi, gjatë katër vjetëve të para të pushtimit në shkallë të plotë të Ukrainës nga Rusia, nga shkurti i vitit 2022 deri në mars të vitit 2026, rreth 44.000 ukrainas, kryesisht burra, u kapën duke kaluar ilegalisht kufirin drejt Moldavisë. Shumica vazhduan më pas drejt vendeve të tjera të Evropës.

SHIKONI EDHE:

Të dënuarit forcojnë radhët e ushtrisë ukrainase

“Mizori ekstreme”

Disa ditë pas dy incidenteve, rojet kufitare ukrainase u liruan dhe u kthyen në Ukrainë. Por, ngjarja dramatike në lumë shkaktoi reagime politike në Moldavi, ku qeveria pro-perëndimore e presidentes Maia Sandu është një mbështetëse e zëshme e Ukrainës në mbrojtjen e saj kundër Rusisë.

Incidenti i 15 tetorit u bë fillimisht publik nga Demokracia në Shtëpi, një parti e vogël opozitare parlamentare e krahut të djathtë, e cila publikoi videon përpara se autoritetet e Moldavisë të deklaroheshin për rastin.

Në një video të publikuar, lideri i partisë, Vasile Costiuc, kritikoi vendimin e shtetit e tij për t’i riatdhesuar rojet kufitare ukrainase dhe tha se autoriteteve “u mungon një qëndrim i përbashkët për një çështje kaq jetike si siguria shtetërore”.

Demokracia në Shtëpi i bëri thirrje Ministrisë së Jashtme që t’i dërgonte Kievit një notë proteste. Partia i kërkoi Sandusë të “refuzojë tolerimin e shkeljeve të përsëritura të kufirit shtetëror” dhe të dekorojë dy banorë të fshatit Holoshnita, që gjendet pranë lumit, për “heroizëm qytetar”, duke pretenduar se ata ia kishin shpëtuar jetën ukrainasit.

Grupi kryesor opozitar, Partia e Socialistëve (PSRM), e cila mbështet lidhje më të ngushta me Rusinë, i cilësoi veprimet e rojeve kufitare ukrainase si një rast të “mizorisë ekstreme”, që shfaq “fytyrën e vërtetë të regjimit të Kievit, partnerit dhe ‘mikut’ më të afërt të Maia Sandusë”.

Lideri i socialistëve, Igor Dodon, ish-president i afërt me Moskën, i cili humbi zgjedhjet e vitit 2020 përballë Sandut, e akuzoi administratën e saj se po e shndërron Moldavinë në një “zonë transiti të lirë për shërbimet e huaja speciale”.

Partia kërkoi zyrtarisht përgjigje nga qeveria lidhur me hyrjen e rojeve ukrainase në territorin e Moldavisë dhe bazën ligjore mbi të cilën ato u liruan dhe u kthyen në Ukrainë, në vend që të mbaheshin nën dyshimin për tentativë vrasjeje.

Deputeti i Partisë së Veprimit dhe Solidaritetit (PAS), në pushtet, Lilian Carp, i cili drejton Komisionin parlamentar për Sigurinë Kombëtare, tha se “asgjë nuk e justifikon një sjellje të tillë nga rojet kufitare”. Në një prononcim për transmetuesin publik Moldova 1, ai pretendoi po ashtu se Ministria e Jashtme i kishte dërguar Kievit një notë proteste lidhur me incidentin e 15 tetorit.

Ministria e mohoi kategorikisht këtë, duke thënë se çështja “po trajtohet përmes kanaleve institucionale të komunikimit mes autoriteteve kompetente”.

“Mirënjohës ndaj Ukrainës”

Shërbimi Shtetëror i Rojave Kufitare të Ukrainës tha se ka nisur një hetim për raportimet dhe veprimet e patrullës kufitare të përfshirë në incident. Sipas tij, rojet përfunduan në territorin e Moldavisë sepse niveli i ujit ishte i ulët dhe motori i jashtëm i varkës kishte pësuar defekt gjatë ndjekjes.

Kryeministri Vasile Tofan argumentoi se autoritetet e Moldavisë kanë vepruar me përgjegjësi dhe se incidente të tilla duhet të shihen në kontekstin e luftës së Moskës, duke thënë se ato nuk do të ndodhnin nëse Rusia nuk do ta sulmonte Ukrainën.

“Jam shumë mirënjohës ndaj Ukrainës që po mbron si ne, ashtu edhe Evropën”, tha ai.

Siguria e Moldavisë është cenuar në mënyra të ndryshme nga lufta e Rusisë.

SHIKONI EDHE:

Moldavia mbyll përkohësisht hapësirën ajrore për shkak të dronëve

Dhjetëra dronë dhe raketa të lëshuara nga Rusia kanë rënë në Moldavi, e cila kufizohet me Ukrainën në tri anë, dhe incidente të tilla janë shpeshtuar muajt e fundit.

Javën e kaluar, pas një hetimi nga Shërbimi moldavian i Radios Evropa e Lirë, qeveria njoftoi nisjen e një hetimi lidhur me shqetësimet se gjiganti rus i teknologjisë Yandex po grumbullon të dhënat personale të moldavianëve duke i dërguar ato drejtpërdrejt në serverë në Rusi.