Rritet në 2.205 numri i viktimave nga tërmeti në Afganistan

Pasojat e tërmetit të fuqishëm në një fshat të provincës Kunar, në lindje të Afganistanit, 1 shtator 2025.

Qindra trupa të pajetë janë nxjerrë nga shtëpitë e rrënuara si pasojë e tërmetit të fuqishëm në Afganistan javën e kaluar, duke e çuar numrin e përgjithshëm të të vdekurve në mbi 2.200, tha të enjten një zëdhënës i Qeverisë talibane.

Tërmeti 6.0 ballësh goditi disa provinca malore në lindje të vendit të dielën në mbrëmje, duke rrafshuar fshatra dhe duke zënë njerëz nën rrënoja.

Shumica e viktimave janë regjistruar në Kunar, ku shumë banorë jetojnë në lugina të pjerrëta lumenjsh, të ndara nga male të larta.

Zëdhënësi i talibanëve, Hamdullah Fitrat, i cili e bëri të ditur shifrën e përditësuar prej 2.205 viktimash, tha se përpjekjet për kërkim dhe shpëtim po vazhdojnë.

“Janë ngritur shatorre për njerëzit dhe po shpërndahen ndihma të para dhe furnizime emergjente”, tha ai.

Tereni i vështirë po ua bën më të zorshme punën ekipeve për shpëtim. Autoritetet talibane kanë përdorur helikopterë dhe kanë dërguar ushtarë nga ajri për t’i ndihmuar të mbijetuarit. Punonjësit e ndihmës thonë se detyrohen të ecin me orë të tëra për të arritur në fshatrat e bllokuara nga rrëshqitjet e dheut dhe shembja e shkëmbinjve.

Shkurtimet në financim po ndikojnë gjithashtu në reagimin ndaj krizës.

Këshilli Norvegjez për Refugjatët tha se ka më pak se 450 punonjës në Afganistan, ndërsa në vitin 2023 – kur ndodhi tërmeti i fundit i madh në vend – kishte 1.100. Këshilli ka vetëm një magazinë në dispozicion dhe asnjë rezervë emergjente.

SHIKONI EDHE: Pakistani rifillon dëbimin e 1.4 milion afganëve, pavarësisht shqetësimeve nga OKB-ja

“Do të duhet të blejmë artikuj sapo të sigurojmë fonde, por kjo mund të marrë javë të tëra dhe njerëzit kanë nevojë tani”, tha Maisam Shafiey, këshilltar për komunikim i këshillit në Afganistan.

“Ne kemi vetëm 100.000 dollarë për të mbështetur përpjekjet e reagimit emergjent. Kjo lë një boshllëk të menjëhershëm prej 1.9 milion dollarësh”, shtoi ai.

Organizatat humanitare e kanë quajtur këtë fatkeqësi krizë brenda krizës.

Afganistani tashmë po përballej me pasojat e ndryshimeve klimatike, veçanërisht thatësirën, me ekonomi të dobët dhe kthimin e rreth 2 milionë afganëve nga vendet fqinje.