Banka Botërore: Rritja e normave të interesit mund të nxisë recesion më 2023

Dollarë amerikanë.

Rritja e normave të interesit nga bankat qendrore në botë, mund të nxisë recesion global më 2023, ka thënë Banka Botërore.

Bankat qendrore kanë rritur normat e interesit “duke vepruar sipas një sinkroni që nuk është parë në pesë dekadat e fundit”, për të luftuar rritjen e çmimeve, ka thënë ky institucion.

Recesioni përshkruhet si tkurrje e ciklit të bizneset, dhe për pasojë ka rënie të përgjithshme të aktivitetit ekonomik.

Rritja e normave të interesit e bën huamarrjen më të shtrenjtë, dhe kështu tentohet të luftohet rritja e çmimeve.

Megjithatë, një vendim i tillë i bën edhe kreditë më të kushtueshme, diçka që mund të ngadalësojë rritjen ekonomike.

Ky njoftim i Bankës Botërore vjen pas takimit të zyrtarëve të Bankës amerikane të Rezervave, dhe Bankës së Anglisë, të cilat pritet të rrisin sërish normat e interesit javën e ardhshme.

Lexoni edhe këtë: Vlera e funtës britanike bie në nivelin më të ulët prej vitit 1985

Të enjten, Banka Botërore ka thënë se ekonomia globale është duke ecur me ritmin më të ngadalshëm prej vitit 1970.

“Në situata të tilla, edhe një goditje jo shumë e madhe në ekonominë globale, mund të nxisë recesion vitin e ardhshëm”, ka thënë mes tjerash Banka Botërore.

Ajo u ka bërë thirrje bankave qendrore që të koordinojnë veprimet dhe të “bisedojnë qartë për vendimet e tyre” për të shmangur vështirësitë më të mëdha.

Në Shtetet e Bashkuara dhe Mbretëri të Bashkuar është regjistruar së fundi niveli më i lartë i inflacionit në 40 vjetët e fundit.

Kjo situatë është rezultat i rritjes së kërkesës pas heqjes së kufizimeve për luftim të pandemisë së koronavirusit, dhe pas shpërthimit të luftës në Ukrainë, e cila ka ndikuar në rritje të çmimeve të energjisë, naftës dhe ushqimeve.

Lexoni edhe këtë: Gjak dhe kaos: Kostoja e luftës së Rusisë në Ukrainë

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka urdhëruar pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt.

Ai e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.