Rumania tha se një marinar ka vdekur dhe tre të tjerë rezultojnë të zhdukur, pasi një anije u godit nga një dron dhe u fundos në sulmin e fundit të regjistruar në Detin e Zi, për të cilin presidenti Nicusor Dan fajësoi Rusinë.
Disa anije janë goditur nga dronë në brigjet e Rumanisë dhe Bullgarisë gjatë javëve të fundit, në atë që besohet të jetë përhapje e pasojave të pushtimit rus të Ukrainës.
Anija tregtare Khoryv, që lundronte nën flamurin e Komoreve, “u godit nga një dron dhe u fundos pranë ujërave territoriale rumune”, tha Dan përmes një postimi në Facebook.
Gjatë një prononcimi për gazetarë, Dan tha se sulmi ishte “qartazi pjesë e përshkallëzimit që Rusia po shkakton në kontekstin e luftës në Ukrainë”.
Rumania nisi një operacion shpëtimi pasi anija Khoryv dërgoi sinjalin e emergjencës rreth orës 10:00, sipas kohës lokale, 13 milje detare larg portit rumun të Konstancës.
SHIKONI EDHE:
NATO-ja forcon mbrojtjen në krahun lindor pas depërtimit të dronëve rusëAutoritetet rumune thanë se në bordin e anijes ndodheshin dhjetë anëtarë të ekuipazhit ukrainas dhe tre azerbajxhanas.
“Nga 13 personat në bord, dhjetë u shpëtuan nga një anije tjetër tregtare që ndodhej në zonë. Nëntë prej tyre ishin gjallë, ndërsa një kishte vdekur. Tre të tjerë vazhdojnë të jenë të zhdukur”, tha Ministria e Brendshme rumune përmes një njoftimi.
Ministria e Brendshme shtoi se anija pësoi “dëme të mëdha dhe u fundos”.
Kryeministri Luca Niculescu, i cili bëri betimin vetëm këtë javë pas muajsh të krizës politike në Rumani, tha përmes një postimi në Facebook se sulmi ishte “i papranueshëm dhe përbën shkelje flagrante të së drejtës ndërkombëtare”.
Sulmet ndaj anijeve civile në ujërat pranë Bullgarisë dhe Rumanisë, shtete anëtare të NATO-s dhe Bashkimit Evropian, kanë lënë dhjetëra marinarë të zhdukur ose të vdekur dhe kanë nxitur reagime të ashpra në Evropë.
Shtatë anëtarë të ekuipazhit u zhdukën më 15 tetor në brigjet e Rumanisë, kur anija cisternë për transportin e kimikateve Wine Trader u përfshi nga flakët pas një sulmi me dron.
Aeroplanët luftarakë rumunë, ndërkaq rrëzuan dy dronë rusë mbi Detin e Zi fundjavën e kaluar.
Të enjten, pas një takimi të Këshillit të Lartë të Mbrojtjes Kombëtare të Rumanisë, Presidenca rumune tha se “kërcënimet ndaj lirisë së lundrimit dhe infrastrukturës kritike janë rritur ndjeshëm”.
Presidenca tha se Rumania po shqyrton “zhvillimin e shpejtë të kapaciteteve të mbikëqyrjes detare, masave kundër minave detare dhe masave efektive kundër dronëve që hyjnë pa autorizim në hapësirën ajrore kombëtare dhe ujërat territoriale”.
Pas bisedimeve për sigurinë në Detin e Zi, NATO-ja tha më herët gjatë javës se po dërgon aeroplanë, dronë dhe sisteme radari shtesë në këtë zonë për shkak të sulmeve ndaj anijeve.