Rusia thotë se ka rrëzuar dy dronë ukrainas afër Moskës

Policët rusë afër një ndërtese në Moskë, që ishte cak i një sulmi me dron më 24 korrik 2023.

Rusia tha se ka rrëzuar dy dronë ukrainas afër Moskës të mërkurën. Ministria ruse e Mbrojtjes tha se një dron u rrëzua afër një aeroporti të madh në jug të qytetit dhe një në perëndim të Moskës.

“Një përpjekje nga regjimi i Kievit për të kryer sulm terrorist me dronë është parandaluar mbi territorin e rajonit të Moskës”, tha Ministria e Mbrojtjes së Rusisë.

“Dy dronë janë shkatërruar nga mbrojtja ajrore”, u tha në njoftim.

SHIKONI EDHE:

Rusia thotë se ka rrëzuar një dron në rajonin e Moskës

Një dron u rrëzua afër Domodedovo, ku gjendet një prej aeroporteve më të mëdha ndërkombëtare të Rusisë dhe një tjetër fluturake u rrëzua afër autostradës së Minskut, tha kryetari i Moskës, Sergei Sobyanin.

Autoritetet ruse thanë se nuk ka “viktima e as dëme”.

Kievi, që shmang konfirmimin e sulmeve të mundshme në territorin rus, ende nuk ka reaguar për këto pretendime të Moskës.

Javëve të fundit janë shpeshtuar pretendimet e autoriteteve ruse për sulme të dyshuara ukrainase në Moskë apo në gadishullin e aneksuar ukrainas të Krimesë.