Presidenti Vladimir Putin tha se Rusia do t’i sekuestrojë anijet në pronësi të shteteve evropiane nëse ato do të përpiqen të shesin ngarkesat e konfiskuara nga anijet e lidhura me Rusinë, që dyshohet se i përkasin të ashtuquajturës “flotë në hije” të Moskës.
“Kjo nuk është asgjë tjetër veçse pirateri dhe grabitje”, tha Putin gjatë stërvitjeve të Flotës ruse të Paqësorit më 12 gusht, duke iu referuar planeve të Evropës për të ashpërsuar masat ndaj anijeve që dyshohet se po ndihmojnë Moskën që t’iu shmanget sanksioneve perëndimore.
“Nëse kjo fillon të zbatohet në praktikë, ne do të detyrohemi të përgjigjemi në të njëjtën mënyrë”, tha Putin, duke shtuar se Moska nuk do ta kufizojë përgjigjen e saj vetëm në ujërat ku po mbahen anijet ruse. Ai nuk dha detaje të tjera.
Qeveritë perëndimore kanë shtuar përpjekjet për të goditur “flotën në hije” – një rrjet anijesh me pronësi të dyshimtë, të cilat Rusia i ka përdorur që të vazhdojë me eksportet e naftës pavarësisht sanksioneve të vendosura për shkak të pushtimit të Ukrainës.
Deklarata e Putinit erdhi pasi Bashkimi Evropian miratoi muajin e kaluar për një paketë të re sanksionesh ndaj Rusisë, e cila përfshin masa që u lejojnë shteteve anëtare të shesin naftën ose ngarkesa të tjera të sekuestruara nga anijet e sanksionuara ose të ndaluara.
Sipas raportimeve të mediave evropiane, dokumentet e një gjykate suedeze treguan se Stokholmi po planifikon t’ia transferojë Kievit një anije të sekuestruar ruse, që dyshohet se transportonte grurë nga pjesët e Ukrainës, të cilat i ka pushtuar Rusia.
Disa ditë para kërcënimeve të Putinit, Senati amerikan miratoi një paketë të gjerë sanksionesh ndaj Rusisë dhe Iranit, e cila i ofron presidentit Donald Trump, më shumë mundësi për ta shtyrë Moskën drejt negociatave me Ukrainën, duke goditur ekonominë e saj të luftës.
SHIKONI EDHE:
Sanksionet e reja amerikane synojnë bankat, oligarkët dhe "flotën në hije" të RusisëSenatori amerikan pret që përkrahja dypartiake ta shtyjë përpara projektligjin për sanksione ndaj Rusisë dhe IranitQë nga fillimi i pushtimit në shkallë të gjerë të Ukrainës nga Rusia, në shkurt të vitit 2022, fitimet nga energjia janë një burim kyç të ardhurash për shtetin rus dhe për përpjekjet e tij të luftës. Kievi synon që të kufizojë aftësinë e Rusisë për ta financuar luftën, duke bërë thirrje për sanksione të ashpra ndaj sektorit energjetik rus.
Mes të tjerash, projektligji – i cili ende duhet të miratohet nga Dhoma e Përfaqësuesve e SHBA-së – shënjestron “flotën në hije” të Rusisë, përfshirë anijet, pronarët, operatorët, siguruesit, portet dhe ndërmjetësit e tjerë të përfshirë në transportin e naftës ruse dhe mallrave të sanksionuara.
Në muajt e fundit, ushtria ukrainase po ashtu ka intensifikuar sulmet e saj me rreze të gjatë veprimi ndaj anijeve të “flotës në hije” të Rusisë dhe infrastrukturës energjetike të saj, një fushatë që presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, e ka përshkruar si “sanksionet me rreze të gjatë veprimi” të Kievit ndaj Moskës.