Përpjekja e fundit e Shteteve të Bashkuara për të rifilluar bisedimet, që kanë ngecur, për përfundimin e luftës në Ukrainë ka tërhequr vëmendjen shumë përtej fushëbetejave, përfshirë edhe në dy rajone me rëndësi strategjike të ish-Bashkimit Sovjetik, të cilat Kremlini ende i konsideron se janë pjesë e ndikimit të tij.
Një artikull i gazetës The New York Times i publikuar më 13 nëntor iu referua një dokumenti negociues rus, në të cilin përsëriteshin kërkesat e vjetra që NATO-ja t’i tërheqë forcat e saj në pozicionet që kishte në vitin 1997. Përveç ndikimit të madh që një veprim i tillë do të kishte në pozicionimin e aleancës në Evropë, ai do të ndikonte edhe në aktivitetet e NATO-s në Kaukazin e Jugut dhe në Azinë Qendrore.
Marrëveshja ende është larg që të arrihet, por ekspertët e sigurisë, diplomatët dhe politikanët nga Bishkeku deri në Tbilisi po i ndjekin me vëmendje zhvillimet.
SHIKONI EDHE:
Kërkesat e Rusisë janë pengesë e madhe për një marrëveshje paqeje në Ukrainë. Cilat janë ato?Shtrirja e NATO-s
Bashkëpunimi i NATO-s me këto rajone nisi në vitin 1994, pak pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, kur Gjeorgjia, Armenia, Azerbajxhani, Kazakistani, Kirgizia, Turkmenia dhe Uzbekistani iu bashkuan Programit të aleancës për Partneritet për Paqe. Taxhikistani iu bashkua këtij programi në vitin 2002.
Programi, i krijuar për të krijuar lidhje praktike në fushën e sigurisë pa kërkuar anëtarësimin në NATO, u zgjerua gjatë dekadave për të përfshirë trajnimin ushtarak, sigurinë kufitare, luftën kundër terrorizmit, mbrojtjen kibernetike dhe modernizimin e forcave të armatosura.
Në kulmin e këtij bashkëpunimi, Gjeorgjia dhe Kazakistani organizonin rregullisht stërvitje shumëkombëshe, teksa në Uzbekistan dhe Kirgizi kishte baza ushtarake amerikane.
Këto stërvitje nuk zhvillohen më – raportet mes Uashingtonit dhe Tbilisit janë veçmas të tensionuara – teksa bazat janë mbyllur që kaherë. Megjithatë, ende ka lidhje në fushën e sigurisë të cilat luajnë rol.
Bashkëpunimi i NATO-s me Gjeorgjinë përfshin sigurinë kibernetike, forcat speciale dhe menaxhimin e krizave. Armenia dhe Azerbajxhani kanë ndjekur një model të një bashkëpunimi më të kufizuar, teksa shtetet e Azisë Qendrore i shfrytëzojnë këto partneritete kryesisht për arsimimin dhe trajnimin profesional ushtarak, si dhe për të diversifikuar lidhjet e tyre tradicionale të sigurisë.
“Vendet do të humbnin qasjen në ekspertizën alternative ushtarake, rrjetet e trajnimit, reformat institucionale dhe standardet perëndimore”, tha për Radion Evropa e Lirë Vakhtang Kapanadze, ish-shef i Shtabit të Përgjithshëm të Gjeorgjisë dhe ish-përfaqësues ushtarak në NATO dhe Bashkim Evropian. .
“Kontributi i tyre kryesor është përmirësimi i profesionalizmit ushtarak, ndërveprueshmërisë, planifikimit të mbrojtjes, qëndrueshmërisë institucionale dhe aftësisë për të bashkëpunuar me partnerë të shumtë ndërkombëtarë”, shtoi ai.
Kapanadze theksoi se humbja e këtyre lidhjeve do t’i detyronte vendet të kërkonin partnerë alternativë, të cilët mund të ishin Rusia ose Kina.
SHIKONI EDHE:
Zelensky: SHBA-ja përmendi tërheqjen e Ukrainës nga Donbasi në këmbim të anëtarësimit në NATOPërgjigjja e NATO-s: Test për besueshmërinë?
I pyetur nga Radio Evropa e Lirë për të komentuar kërkesat e Moskës, për të cilat u raportua, një zyrtar i NATO-s i kundërshtoi ato pa e përmendur drejtpërdrejt Rusinë.
“Çdo vendim për zhvillimin e mëtejshëm të këtyre partneriteteve është prerogativë ekskluzive e aleatëve të NATO-s dhe e partnerëve përkatës”, tha zyrtari.
Kapanadze tha se beson që NATO-ja do të përpiqet t’i mbrojë këto parime, por shtoi se aftësia e saj për ta bërë këtë varet nga uniteti politik, veçanërisht mes Uashingtonit dhe aleatëve të tij evropianë.
“Në fund, besueshmëria e NATO-s varet nga garantimi që shtetet më të vogla të mos trajtohen si leva”, tha Kapanadze. “Çdo marrëveshje që prek Ukrainën, Gjeorgjinë ose vende të tjera post-sovjetike duhet t’i përfshijë drejtpërdrejt këto vende dhe të respektojë zgjedhjet e tyre sovrane, veçmas kur rajoni i gjerë i Detit të Zi dhe Azia Qendrore meritojnë jo më pak vëmendje strategjike sesa shtetet baltike”.
Deri më tani, qeveritë në të gjithë Azinë Qendrore dhe Kaukazin e Jugut nuk kanë reaguar publikisht për dokumentin rus, që doli në publik. Mbetet e paqartë nëse Moska ua ka komunikuar zyrtarisht qëndrimin e saj këtyre qeverive përpara se, sipas raportimeve, ta shpërndante dokumentin negociues gjatë bisedimeve të paqes mes SHBA-së, Rusisë dhe Ukrainës në Abu Dabi, më 10 dhe 11 nëntor.
Analistët në Kirgizi, një vend që është i lidhur ngushtë me Moskën përmes tregtisë dhe Organizatës së Traktatit të Sigurisë Kolektive (CSTO), të udhëhequr nga Rusia, paralajmëruan se kërkesat që Moska thuhet se po parashtron prekin drejtpërdrejt pavarësinë e rajonit.
Analisti politik nga Kirgizia, Emil Joroev, i tha Shërbimit kirgiz të Radios Evropa e Lirë se kjo “minon sovranitetin e vendeve të Azisë Qendrore. Para së gjithash, është një përpjekje për të kufizuar të drejtën e tyre për të përcaktuar dhe hartuar politikën e tyre të jashtme të pavarur dhe për të vendosur vetë se me kë do të bashkëpunojnë”.
Joroev tha se nuk pret që Kirgizia apo vendet fqinje të kenë protesta zyrtare diplomatike, por argumentoi se udhëheqësit e rajonit duhet ta ballafaqojnë drejtpërdrejt Moskën, në takime të mbyllura gjatë samiteve të nivelit të lartë.
“Këto çështje duhet të ngrihen pikërisht në ato takime dhe duhet të bëhet plotësisht e qartë se vendet tona nuk do t’i pranojnë veprime të tilla”, tha ai.
Bakyt Amanbaev, ish-ambasador i Kirgizisë në SHBA, shkoi edhe më tej, duke argumentuar se Moska nuk ka autoritet të diktojë partneritetet e jashtme të rajonit dhe se heshtja nuk mjafton.
Duke folur për Shërbimin kirgiz të Radios Evropa e Lirë, Amanbaev tha se “asnjë vend nuk ka të drejtë të përcaktojë dhe të udhëheqë politikën e jashtme në emër të shteteve të Azisë Qendrore”.
“Do të ishte plotësisht e përshtatshme që ministrat e Jashtëm të vendeve të Azisë Qendrore të mblidheshin dhe të shprehnin një qëndrim të qartë dhe konkret”, shtoi ai.