Rusia pritet të nisë prodhimin e platformave lundruese sulmuese për të mbrojtur Shën Petersburgun nga dronët detarë dhe ajrorë të Ukrainës, tha më 18 gusht guvernatori i rajonit të Leningradit.
“Presim që deri në tetor të identifikojmë modelet që më pas mund t’i blejmë për të mbrojtur kufijtë e rajonit të Leningradit”, tha Aleksandr Drozdenko në një postim në Telegram, ku u shfaqën edhe skema të një posti lundrues vrojtimi të quajtur PLOT-40. “Plot” do të thotë trap në gjuhën shqipe.
Një diagram i pikës lundruese sulmuese Plot-40 (djathtas) shihet gjatë një vizite të zyrtarëve lokalë në një kompani të ndërtimit të anijeve në rajonin e Leningradit. Fotografia është publikuar më 18 gusht.
Pamjet e trapit të armatosur u shfaqën për herë të parë në fund të korrikut, kur një prototip u prezantua në një port në Viborg.
“Pas analizimit të sulmeve të armikut, u bë e qartë se ishte e rëndësishme të forcohej mbrojtja nga uji”, tha në atë kohë Drozdenko. Anija e pazakontë “është projektuar për të mbrojtur bazat detare, infrastrukturën e porteve dhe objektet e karburanteve dhe energjisë nga kërcënimet moderne, përfshirë anijet pa ekuipazh dhe mjetet ajrore pa ekuipazh”, tha guvernatori.
Scott Savitz, inxhinier i lartë në RAND, një organizatë jofitimprurëse kërkimore me bazë në Shtetet e Bashkuara, i tha Radios Evropa e Lirë se efektiviteti i trapeve do të varej nga disa faktorë, përfshirë shpejtësinë dhe saktësinë me të cilën mund të identifikojnë dhe godasin dronët që afrohen, si dhe “dobësitë e vetë platformave lundruese ndaj sulmeve”.
Kapakët që shihen në versionin e prototipit nuk duken të jenë të blinduara rëndë.
Një armë e montuar në prototipin Plot-47.
Anijet janë të pajisura me një top automatik ose mitraloz që komandohen nga distanca, të pajisur me një grup sensorësh elektro-optikë. Prototipi i trapit, i fotografuar pranë Viborgut, ka pesë kapakë të vegjël rreth pjesës së sipërme të trupit të objektit, të cilët mund të përdoren si vende qitjeje për ushtarët, si dhe një kapak më të madh hyrës për personelin, megjithëse nuk është e qartë nëse anijet janë projektuar për të pasur ekuipazh.
Një platformë e vogël rreth trupit të trapit do t’u mundësonte ushtarëve të përdornin raketa të lëshuara nga supi, kur kushtet në det janë të qeta.
Savitz vuri në pah se anijet e kontrolluara në distancë nuk e zvogëlojnë domosdoshmërish numrin e personelit ushtarak të nevojshëm për operimin e tyre. Nëse mjeti PLOT-40 është pa ekuipazh, tha ai, përparësia e vetme do të ishte zvogëlimi i rrezikut për ushtarët.
Prezantimi i Plot-40 afër Viborgut.
“Personeli në bordin e një platforme mund të ofrojë një nivel të vetëdijes për situatën dhe përshtatshmërisë që zakonisht është më i madh se ai i dikujt që i vëzhgon dhe i kontrollon ato nga distanca”, tha Savitz, duke shtuar se “një platformë pa ekuipazh mund të kërkojë po aq njerëz për operim, dhe ndonjëherë edhe më shumë, sesa një platformë me ekuipazh”, për shkak të nevojës për kontroll, mirëmbajtje dhe furnizim.
“Në kontekstin e mbrojtjes së porteve, përparësia kryesore e mungesës së ekuipazhit në bord është se sulmet ndaj platformave nuk do të dëmtonin njerëzit. Disa vende janë më të shqetësuara për këtë sesa të tjerat”, tha ai.
Eksperti për mbrojtjen e porteve shtoi se “vendosja e personelit në këto platforma për turne 12-orëshe nuk kërkon shumë kushte për qëndrimin e tyre”.
Një fortesë detare Maunsell në lumin Tamiz, e parë nga një anije furnizuese që po afrohej, në nëntor të vitit 1943.
Projekti rus Plot-40 të kujton për nga funksioni, nëse jo nga forma, fortesat Maunsell, të vendosura në det disa kilometra larg brigjeve britanike gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Ndryshe nga trapi lundrues rus, instalimet britanike të radarëve dhe armëve ishin të fiksuara në shtratin e detit, por kishin të njëjtin qëllim: të përfshiheshin në luftime kundër avionëve dhe anijeve armike përpara se ata të hynin në rrezen e veprimit të baterive që ishin në tokë.
Sipas raportimeve, dhjetëra avionë nazistë dhe bomba V-1 u rrëzuan nga ekuipazhet në fortesat britanike, ndërsa një anije luftarake gjermane u fundos.
Prototipi Plot-40 në Viborg.
Përparësia kryesore e trapeve ruse ndaj një anijeje konvencionale do të ishte stabiliteti më i madh në det, tha Savitz. “Këto platforma mund të jenë në gjendje të mbajnë më shumë dhe armë më të mëdha sesa një anije e vogël dhe mund të ofrojnë më shumë stabilitet për të mundësuar sulme të sakta”.
Ai shtoi se “inovacioni i jashtëzakonshëm që ukrainasit kanë demonstruar vazhdimisht” do të thotë se vendosja në masë e trapeve nuk do ta “zhdukte aftësinë e ukrainasve për të goditur portet ruse”.
Duke pasur parasysh “zjarrin kaotik me armë dhe raketa” që është parë rreth porteve ruse gjatë sulmeve ukrainase me dronë, ka të ngjarë që trapet të ankorohen larg bregut për të minimizuar rrezikun e zjarrit nga vetë forcat ruse.