Rusia rikthehet në bazat e veta në Siri

Anija ruse e logjistikës ushtarake "Sparta", shihet e ankoruar në Tartus të Sirisë në fillim të shtatorit.

Një muaj pasi u tha se bazat e Rusisë në Siri do t’i “dorëzoheshin” Damaskut, anijet ushtarake ruse janë rikthyer në portin e Tartusit, konfirmojnë imazhet ekskluzive të siguruara nga Radio Evropa e Lirë (REL).

Një flotë prej tri anijesh ruse, të shoqëruara nga një anije shkatërruese e marinës, u pa për herë të parë duke lundruar drejt jugut, në brigjet e Spanjës, në fund të gushtit. Destinacioni i deklaruar i autokolonës detare ishte Egjipti, por menjëherë pasi kaluan Ngushticën e Gjibraltarit, anijet i fikën transponderët për të shmangur gjurmimin e tyre.

Një imazh i publikuar në llogarinë "Russian Forces Spotter" në X tregon flotën ruse duke lëvizur në drejtim të jugut përgjatë bregdetit spanjoll, gjatë rrugës së saj për në Siri në fund të muajit gusht.

Imazhet e siguruara nga REL-i, të shkrepura në fillim të shtatorit, konfirmojnë se flota është ankoruar së fundi në portin sirian të Tartusit për të shkarkuar një ngarkesë të panjohur. Imazhet, të cilat nuk ishin publikuar më parë, duket se kundërshtojnë pretendimet zyrtare se pjesa e objektit të Tartusit, e cila më herët ishte nën kontrollin rus, i ishte dorëzuar Sirisë për përdorim civil.

Anijet që shihen në imazhet nga Tartusi janë anija shkatërruese e marinës, Admiral Levchenko, Sparta, një anije ushtarake logjistike, dhe Akademik Pashin, një anije furnizuese e projektuar për furnizimin e anijeve të tjera në det. Anija e katërt e flotës, cisterna e naftës, General Skobelev, nuk duket në imazh.

Ankorimi i anijeve ruse mbështet vlerësimet e analistëve se pazaret e ftohta gjeopolitike ia kanë mundësuar Kremlinit t’i mbajë bazat e tij në Siri, edhe pse deklaratat zyrtare duket se janë formuluar në mënyrë të tillë që të sugjerojnë të kundërtën.

“Udhëheqjes së re të Sirisë i duheshin gjëra që vetëm Rusia mund t’i ofronte”, tha për REL-in Ruslan Trad, analist për çështjet e Sirisë. Ndër faktorët e tjerë, rezervat e armëve të Sirisë janë kryesisht ruse dhe Damaskut “i duhet t’i rimbushë depot”, tha Trad.

Hyrja e portit në Tartus më 12 gusht.

Presidenti i Sirisë, Ahmed al-Sharaa, kishte udhëhequr një grup rebel gjatë luftës civile në vend, i cili ishte shpesh objektiv i bombardimeve ruse, ndërsa Kremlini përpiqej të mbështeste ish-udhëheqësin sirian Bashar al-Assad. Në vitin 2017, Moska pretendoi se kishte plagosur al-Sharaan në një sulm ajror.

Assad u rrëzua nga pushteti në dhjetor të vitit 2024 dhe forcat ruse që po evakuoheshin nga Siria në atë kohë u goditën me gurë teksa largoheshin nga bastionet e tyre nëpër vend.

Në janar të vitit 2025, autoritetet e reja siriane i dhanë fund qirasë 49-vjeçare të Moskës për pjesën veriore të portit, e cila ishte e rezervuar për anijet ruse.

“Në përgjithësi, rusët bënë një bast të keq duke mbështetur Assadin, por më pas e luajtën dorën e tyre mjaft mirë dhe armiqtë e tyre sirianë rezultuan të ishin shumë pragmatikë”, tha Aron Lund, analist për Lindjen e Mesme në Agjencinë Suedeze të Kërkimeve të Mbrojtjes.

“Nafta dhe gruri rus e kanë ndihmuar Sirinë të qëndrojë në këmbë gjatë trazirave ekonomike”, ndërsa “votat ruse në OKB kanë mundësuar heqjen e udhëheqjes aktuale të Sirisë nga listat e OKB-së për terrorizmin. Dhe, natyrisht, bashkëpunimi sirian i ka mundësuar Rusisë t’i mbajë bazat e saj”, tha Lund, duke shtuar se objektet “mund të jenë duke funksionuar tani në një formë të kufizuar”.

Automjete ushtarake ruse të grumbulluara në portin e Tartusit para evakuimit të tyre nga Siria, pas rënies së Assadit në dhjetor të vitit 2024.

Tartusi është baza e vetme detare ruse jashtë ish-Bashkimit Sovjetik dhe është një qendër kyç furnizimi për praninë ushtarake të Kremlinit në Afrikë. Objektet alternative të mundshme në Libi dhe Algjeri kanë infrastrukturë më pak të zhvilluar dhe do të kërkonin marrëveshje të ndërlikuara diplomatike, përfshirë me Turqinë.

Një raport i qershorit nga Shërbimi rus i REL-it tregoi se baza ajrore Khmeimim, pika e dytë kryesore e pranisë ruse në Siri, vazhdon të përdoret nga avionët e Ministrisë së Mbrojtjes së Rusisë që fluturojnë drejt Malit dhe vendeve të tjera afrikane. Korpusi Afrikan i Rusisë po përpiqet të ndihmojë ushtrinë e Malit të rimarrë kontrollin e zonave në veri të vendit, të mbajtura nga rebelët tuaregë dhe grupet xhihadiste.

Imazhet e fundit satelitore të bazës ajrore tregojnë se në bazë po zhvillohen punime të mëdha ndërtimore. Siria dhe Rusia kishin deklaruar se baza Khmeimim do të presë një “qendër të përbashkët trajnimi dhe rehabilitimi”.