Rusia shtyn "referendumin" në qytetin e pushtuar të Ukrainës

Ushtarët ukrainas duke ngritur lart flamurin e shtetit të tyre në një qytezë afër Hersonit. 4 shtator 2022.

Autoritetet e instaluara nga Rusia në qytetin ukrainas Herson, kanë shtyrë mbajtjen e të ashtuquajturit referendum për t’iu bashkuar Rusisë.

“Ky hap është shtyrë për shkak të situatës së sigurisë”, ka thënë Kirill Stremousov, zëvendësudhëheqës i administratës së instaluar nga Rusia.

Sipas tij, bombardimet e ashpra ukrainase, e kanë bërë të pakalueshme një urë kyçe në Herson.

Ukraina dhe aleatët e saj perëndimorë kanë dënuar planet për referendum në Herson dhe zonat tjera.

Ndërkohë, Ukraina ka thënë se ka rimarrë kontrollin e qytezës Viskopillja, e cila gjendet rreth 167 kilometra në veri të Hersonit.

Kjo fitore – që nuk është verifikuar në mënyrë të pavarur – është pjesë e kundërofensivës së nisur nga ushtria ukrainase javën e kaluar.

Your browser doesn’t support HTML5

"Ne s’kemi ushtri": Vullnetari rus kthehet i zhgënjyer nga Ukraina

Një disa fotografi janë parë ushtarët duke ngritur lart flamurin ukrainas mbi këtë qytezë, që ka pasur rreth 4.000 banorë para luftës.

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka urdhëruar pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt.

Ai e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.