Rusia e sulmon Ukrainën gjatë bisedimeve SHBA–Ukrainë në Gjenevë

Pasojat e një sulmi rus me dronë në Zaporizhja, Ukrainë, 26 shkurt 2026.

Shtetet e Bashkuara dhe Ukraina e kanë nisur rundin e ri të bisedimeve në Zvicër, për dy çështje kyç, rindërtimin e Ukrainës pas luftës dhe përgatitjen e një takimi të ardhshëm trepalësh me Rusinë.

Bisedimet në qytetin e Gjenevës nisën më 26 shkurt, disa orë pas sulmeve me dronë dhe raketa nga forcat ruse në disa rajone të Ukrainës, dhe gjithashtu pasi Moska i ktheu trupat e njerëzve të vrarë në luftën tashmë katërvjeçare.

“Ka filluar një takim dypalësh me delegacionin amerikan, me Steve Witkoff dhe Jared Kushner”, shkroi kryenegociatori ukrainas Rustem Umerov në një postim në rrjetet sociale.

Umerov konfirmoi se do të diskutohet për një “paketë për prosperitetin”, duke përfshirë çështje si mbështetja ekonomike dhe investimet, si dhe për “trakën humanitare dhe çështjen e shkëmbimeve të mundshme”.

Rusia dhe Ukraina kanë kryer shumë shkëmbime të burgosurish dhe trupave të ushtarëve të vrarë gjatë konfliktit. Më 26 shkurt, zyrtarët nga të dy vendet thanë se Rusia ka kthyer ato që ajo i quante trupat e 1.000 ukrainasve.

Autoritetet në Kiev thanë se ata “mund t’i përkisnin mbrojtësve ukrainas” dhe se do të fillojë puna për identifikimin e tyre. Vladimir Medinsky, ndihmës i presidentit rus Vladimir Putin, tha se Ukraina ka kthyer trupat e 35 ushtarëve rusë në këmbim.

Përveç diplomacisë dhe shkëmbimeve, realiteti brutal i luftës po vazhdon.

“Dhjetëra persona janë plagosur si rezultat i këtij sulmi, përfshirë edhe fëmijë”, shkroi në rrjetet sociale presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, disa orë para nisjes së pritshme të bisedimeve.

SHIKONI EDHE: A do të përfundojë sivjet lufta e Rusisë kundër Ukrainës?

Ndërtesa banimi u përfshinë nga zjarri si pasojë e sulmeve, sipas videove të shpërndara nga shërbimet e emergjencës.

Zelensky tha se Rusia lëshoi 420 dronë dhe 39 raketa, duke goditur gjithashtu infrastrukturën e gazit dhe nënstacionet e rrymës.

Para bisedimeve, sekretari amerikan i Shtetit Marco Rubio - i cili nuk po merr pjesë - tha se vetëm Uashingtoni mund të udhëheqë negociatat për t’i dhënë fund luftës.

“Kombet e Bashkuara nuk do ta bëjnë. Franca nuk do ta bëjë. BE-ja nuk do ta bëjë. Rusët as që do të flasin me ta. Prandaj ne nuk duam të tërhiqemi, e dimë që, në fund, lufta në Ukrainë nuk zgjidhet ushtarakisht”, tha ai.

“Nëse ne heqim dorë nga ky rol, askush tjetër nuk mund ta bëjë”, shtoi ai.

Trump dhe Zelensky zhvilluan një bisedë telefonike më 25 shkurt. Në një postim në rrjetet sociale pas telefonatës, Zelensky theksoi se të dërguarit e Trumpit morën pjesë në diskutim, i cili u përqendrua kryesisht në agjendën e rundeve të ardhshme diplomatike.

“Ne presim që ky takim të krijojë një mundësi për t’i çuar bisedimet në nivelin e liderëve”, shkroi Zelensky, duke shtuar se Trump “e mbështet këtë sekuencë hapash”.

Ai e përshkroi një samit të drejtpërdrejtë mes liderëve si “e vetmja mënyrë për të zgjidhur të gjitha çështjet komplekse dhe të ndjeshme dhe për t’i dhënë përfundimisht fund luftës”.

SHIKONI EDHE: Donbasi dhe më gjerë: Pengesat territoriale për paqen në Ukrainë

Takimi në Gjenevë po mbahet dy ditë pasi në mbarë Ukrainën u mbajtën ceremoni përkujtimore për të shënuar përvjetorin e katërt të pushtimit të plotë nga Rusia dhe pason bisedimet trepalëshe Rusi–Ukrainë–SHBA më 17 dhe 18 shkurt.

Pak informacione thelbësore kanë dalë nga takimet e mëparshme, përtej përshkrimeve të paqarta se ato kanë qenë “të vështira” në disa fusha, ndërsa kanë arritur “përparim” në të tjera.

Pas katër vjetëve lufte të plotë, vlerësimet për numrin e përgjithshëm të viktimave ndryshojnë. Megjithatë, një raport i fundit e vendos numrin e të vrarëve, të plagosurve dhe të zhdukurve në 1.2 milion rusë dhe 500.000–600.000 ukrainas.

Banka Botërore tha më 23 shkurt se rindërtimi i ekonomisë ukrainase do të kushtonte rreth 588 miliardë dollarë gjatë një dekade.