Rusia po bën përparim të shpejtë në krijimin e një rrjeti të internetit me bazë në hapësirë, i cili mund t’i heqë Ukrainës avantazhin që gëzon në fushëbetejë falë përdorimit të Starlink-ut. Por, sipas ekspertëve, interneti satelitor rus ka të ngjarë të ketë një dobësi kyç.
Rassvet (Agimi), një projekt i kompanisë ruse Bureau 1440, në mars lëshoi në orbitë grupin e parë prej 16 satelitësh operacionalë. Një grup tjetër u lëshua në korrik dhe kompania, sipas raportimeve, planifikon të ketë qindra satelitë në orbitë deri vitin e ardhshëm.
Një antenë satelitore interneti Rassvet, e dizajnuar për trenat. Nëntor, 2025.
Bureau 1440 e ka prezantuar sistemin e saj të internetit, të ngjashëm me Starlink-un, për përdorim civil, por presidenti rus, Vladimir Putin, e ka diskutuar hapur projektin në kontekstin e luftës në Ukrainë. Gjatë një takimi më 12 qershor në Kremlin, Putin u tha një grupi ushtarësh se puna për një sistem ekuivalent me Starlink-un po “ecën në ritëm të mirë” dhe se shpreson që trupat “ta ndiejnë në terren së shpejti”.
Kina, BE-ja dhe disa fuqi të tjera po zhvillojnë gjithashtu versionet e tyre të Starlink-ut.
Ian Muirhead, inxhinier i sistemeve hapësinore dhe ish-ushtarak britanik, i tha Radios Evropa e Lirë se nxitimi aktual për zhvillimin e internetit satelitor në orbitë të ulët të Tokës lidhet kryesisht me faktin se “një ushtri moderne nuk mund të operojë pa komunikime me kapacitet relativisht të lartë të të dhënave”.
Ai tha se konflikti në Ukrainë ka treguar se “e vetmja mënyrë reale për të garantuar [komunikimet me sasi të mëdha të dhënash] në zonat e konfliktit është përmes konstelacioneve satelitore”.
Trial Rassvet satellites being prepared for launch in Russia's Vostochny Cosmodrome in July 2023.
Sistemet më të vjetra të internetit, me bazë në hapësirë, përdornin satelitë të vetëm, në dhjetëra mijëra kilometra larg Tokës, duke rezultuar në lidhje të paqëndrueshme. Ndryshe nga këto, satelitët e Starlink-ut qarkullojnë në “guaska” në lartësi prej 550 dhe 350 kilometrash, duke mundësuar transferime shumë më të shpejta të të dhënave, por duke kërkuar konstelacione të tëra satelitësh në orbitë për të garantuar që një përdorues të mund të lidhet me të paktën një satelit në çdo moment dhe nga çdo vend.
Muirhead tha se interneti rus në orbitë të ulët të Tokës nuk do të jetë i krahasueshëm me Starlink-un, i cili aktualisht ka më shumë se 10.000 satelitë që rrotullohen rreth Tokës, dhe miliona klientë që paguajnë për shërbimin. Por, ai tha se “vendosja e çfarëdo standardi të një rrjeti në orbitë të ulët të Tokës do të përbëjë një rritje të madhe të kapaciteteve të komunikimit në dispozicion të trupave [ruse] dhe do të bëjë një ndryshim real në aftësinë e tyre për komandim dhe kontroll”.
Megjithatë, Muirhead vuri në pah një avantazh kyç të sigurisë që Ukraina ka me qasjen në Starlink, krahasuar me sistemin analog rus, për shkak të komponentit që quhen stacione tokësore.
Një stacion tokësor i Starlink-ut, i njohur si "porta". Usingen, Gjermani.
Stacionet tokësore janë përgjithësisht një grup antenash të lidhura fizikisht me internetin tokësor. Stacionet janë burimi i të dhënave të internetit, të cilat dërgohen lart përmes satelitëve që kalojnë sipër dhe më pas kthehen te përdoruesit individualë.
Stacionet tokësore janë të mëdha, të palëvizshme dhe emetojnë sinjale elektromagnetike, duke i bërë të vështira për t’u fshehur.
Përdoruesit e Starlink-ut në Ukrainë aktualisht shërbehen nga stacionet tokësore në Poloni, Lituani dhe Turqi. Të tria janë vende anëtare të NATO-s, që do të thotë se Rusia do të rrezikonte të shkaktonte një reagim ushtarak të mbështetur nga SHBA-ja nëse do të shkatërronte stacionet e përdorura nga Ukraina.
Një ushtar ukrainas shihet duke e fshehur një antenë satelitore të Starlink-ut në lindje të Ukrainës në janar të vitit 2023.
Muajt e fundit, Kievi ka dëshmuar aftësinë e tij për të goditur objektiva në të gjithë territorin e Rusisë, duke përdorur dronë me rreze të gjatë veprimi. Nëse Rassvet funksionalizohet plotësisht, çdo stacion tokësor në territorin rus ka gjasa të bëhet objektiv kyç për Kievin.
“Jam i sigurt se caqet me prioritet të Rusisë janë Starlink-u, por ata nuk mund t’i shkatërrojnë stacionet tokësore të Starlink-ut, ndërsa Ukraina mundet. Edhe nëse [një stacion tokësor i Rassvet-it] do të ishte në Siberi, asgjë nuk e pengon Ukrainën ta sulmojë atë”, tha Muirhead.
Vadym Skibitskiy, zëvendësshefi i Inteligjencës së Mbrojtjes së Ukrainës, tha në një intervistë të publikuar më 10 gusht se dhjetëra satelitë që Rassvet ka aktualisht në orbitë nënkuptojnë se trupat ruse tashmë janë në gjendje ta përdorin rrjetin “për pak kohë, kur një satelit kalon mbi territorin tonë”, duke shtuar se “tashmë po diskutohet se si të përballemi me këtë”.
Inxhinierët dhe kontrollerët e fluturimeve duke monitoruar një satelit Rassvet.
Victoria Samson, drejtoreshë e Sigurisë dhe Stabilitetit Hapësinor në Fondacionin Secure World, i tha REL-it se kapaciteti i kufizuar i Rusisë për lëshimin e satelitëve do të jetë një nga pengesat kryesore për zgjerimin e mbulimit të Rassvet-it.
Rusët “thjesht nuk kanë kapacitetin e nevojshëm për lëshime”, tha ajo. “Kjo nuk do të thotë se ata nuk mund të krijojnë një konstelacion satelitësh për internet, por me shumë gjasë nuk do të jetë aq i shpejtë apo efektiv sa Starlink [ose dy versionet që po zhvillon Kina, të njohura si Guowang dhe Qianfan]”.