Rusia ka dërguar fëmijë të rrëmbyer ukrainas në një kamp veror në Korenë e Veriut, sipas një dokumenti të Bashkimit Evropian të cilin e ka parë Radio Evropa e Lirë, ku përshkruhet rundi i ri i planifikuar i sanksioneve.
Dokumenti liston personat dhe entitetet që do të përfshihen në sanksionet e reja të BE-së ndaj Rusisë, të cilat pritet të miratohen javën e ardhshme.
Personat e propozuar për sanksionim janë kryesisht zyrtarë të lartë në territoret e pushtuara nga Rusia në Krime dhe Donbas, por ndoshta emri më i spikatur në listë është Kampi Ndërkombëtar i Fëmijëve Songdovon, i cili drejtohet nga autoritetet e Koresë së Veriut.
Në dokument thuhet se ky kamp “merr pjesë në programe të organizuara që përfshijnë transferimin e fëmijëve ukrainas nga territoret e pushtuara përkohësisht të Ukrainës në Korenë e Veriut”.
SHIKONI EDHE:
Kampi rus ku fëmijët e rrëmbyer ukrainas besohet se prodhuan dronëTransferimet koordinohen nga zyrtarë rusë dhe, ndonëse supozohet se bëhet fjalë për “shkëmbim kulturor”, në dokument thuhet se ai “shërben për një funksion më të gjerë propagandistik: fëmijët ukrainas ekspozohen ndaj narrativëve të përzgjedhur prorusë”.
Me fjalë të tjera, shtohet në dokument, kampi “është i përfshirë drejtpërdrejt në transferimin e paligjshëm, indoktrinimin ideologjik dhe militarizimin e fëmijëve ukrainas në bashkëpunim me Federatën Ruse”.
Kampi gjendet në bregun lindor të Koresë së Veriut, në Detin e Japonisë, rreth 95 kilometra nga kufiri me Korenë e Jugut.
Uri Tours, një kompani në Korenë e Veriut që promovon kampin, thotë se ai është më i madhi në vend dhe është hapur në vitin 1960 për “promovimin e miqësisë ndërkombëtare”.
Kampi ishte sanksionuar nga Mbretëria e Bashkuar në maj, për “ofrimin e mbështetjes për programin e Qeverisë së Rusisë për dëbimin me forcë dhe riedukimin e fëmijëve ukrainas”.
SHIKONI EDHE:
"Vjedhje e së ardhmes": Dëbimet me forcë të fëmijëve ukrainas në RusiKoreja e Veriut u përgjigj duke tërhequr ambasadorin e saj nga Londra dhe duke ulur nivelin e raporteve diplomatike.
Gjykata Penale Ndërkombëtare (GJPN) ka lëshuar një fletarrestim për presidentin rus, Vladimir Putin, për “dëbimin e paligjshëm... të fëmijëve ukrainas”.
Përfshirja e Koresë së Veriut në fushatën e Rusisë për rrëmbimin e fëmijëve duket se e rrit më shumë rolin e saj në luftë.
Koreja e Veriut dërgoi rreth 12.000 trupa për të luftuar përkrah forcave ruse në vitin 2024, pas inkursionit të Ukrainës në rajonin e Kurskut. Inteligjenca e Koresë së Jugut ka raportuar se rreth 2.000 trupa të Phenianit janë vrarë në luftime.
SHIKONI EDHE:
Pse Koreja e Veriut po nderon vetëm disa ushtarë të vrarë në luftën në Ukrainë?Së fundi, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, deklaroi se në Rusi do të dërgoheshin më shumë trupa të Koresë së Veriut, të cilat mund të përdoren për operimin e raketave balistike, të prodhuara nga Pheniani, në sulmet ndaj Ukrainës.
Entitetet e tjera të renditura në listën e sanksioneve të BE-së janë të ashtuquajturat “kampe verore” në Rusi ose në rajonet e pushtuara të Ukrainës.
Sipas bllokut evropian, fëmijët e dërguar atje ekspozohen ndaj programeve që nxisin “besnikërinë ndaj Rusisë, identitetin kombëtar rus, përvetësimin e vlerave kombëtare ruse, tema të historisë ushtarake dhe pjesëmarrjen në aktivitete të lidhura me organizatat ushtarako-patriotike”.
Në dokument thuhet po ashtu se këto lloj dëbimesh “përbëjnë shkelje të rënda të së drejtës ndërkombëtare dhe shkelje të të drejtave themelore të fëmijës, që kanë për synim fshirjen e identitetit ukrainas dhe cenimin e ruajtjes së identitetit të brezave të ardhshëm”.