Schmidt: Bosnja përbëhet nga entitetet, e tillë do të mbetet

Përfaqësuesi i lartë ndërkombëtar në Bosnje e Hercegovinë, Christian Schmidt, 28 tetor, 2021.

Bosnje e Hercegovina përbëhet nga entitetet dhe e tillë do të mbetet, sepse ato janë pjesë e integritetit territorial, të përshkruar me Marrëveshjen e Dejtonit, tha përfaqësuesi i lartë ndërkombëtar në Bosnje, Christian Schmidt.

Schmidt, i cili ka marrë detyrën në muajin gusht, iu drejtua të enjten për herë të parë Dhomës së Përfaqësuesve të Parlamentit të Bosnjës.

Ai tha se është e qartë se “askush nuk ka interes ta kthejë kohën pas” dhe se “komuniteti ndërkombëtar nuk do të qëndrojë anash”.

Komentet vijnë pasi Republika Sërpska e Bosnjës - entitet i banuar me shumicë serbe - ka kërcënuar me ndarje.

Ky entitet, mes tjerash, ka sfiduar Kushtetutën e Bosnjës me miratimin e një ligji për produktet dhe pajisjet mjekësore.

Përfaqësuesit e tij kanë thënë po ashtu se serbët e Bosnjës do të tërhiqen nga ushtria e përbashkët e vendit.

Lexoni edhe këtë: Republika Sërpska sfidon Kushtetutën e Bosnjës për çështjen e barnave

Përfaqësuesit e Republikës Sërpska nuk morën pjesë në seancën ku foli Schmidt.

Ata janë duke e bojkotuar punën e institucioneve qendrore të Bosnjës që nga fundi i korrikut, kur paraardhësi i Schmidtit, Valentin Inzko, ka vendosur një ligj që ndalon mohimin e gjenocidit dhe krimeve të tjera të luftës.

Republika Sërpska ka refuzuar ta ndalojë me ligj mohimin e gjenocidit.

Schmidt tha se qytetarët e Bosnjës meritojnë të ardhme paqësore dhe të begatë.

“Ajo që ata nuk meritojnë është frika. Atmosfera e frikës dhe e ndarjes vetëm se do ta përshpejtojë largimin e të rinjve”, tha Schmidt.

“Nuk kam mundur të pres në muajin gusht që Bosnja do të përballet me sfidën më serioze ndaj sovranitetit të saj”, tha ai.

Lexoni edhe këtë: Dodik sërish kërcënon me ndarjen e Republikës Sërpska

Republika Sërpska së bashku me Federatën Myslimane-Kroate janë dy entitetet që përbëjnë Bosnje e Hercegovinën.

Organizimi i tillë është bërë me të ashtuquajturën Marrëveshje të Dejtonit, e cila i ka dhënë fund luftës në Bosnje, në vitet 1990.