Serbia dhe Bosnje e Hercegovina vazhdojnë hetimet lidhur me pretendimet për ekzistencën e kampeve paramilitare ruse për trajnim luftarak dhe taktik, të cilat dyshohet se kanë pasur për qëllim nxitjen e trazirave në Moldavi.
Në Serbi, hetimet vazhdojnë për një kamp që u zbulua në shtator të vitit 2025, në një objekt hotelerie të quajtur “Sunçana reka”, pranë lumit Drina, në perëndim të vendit.
Dy persona të dyshuar në këtë rast janë liruar nga paraburgimi.
Autoritetet në Bosnje e Hercegovinë, gjithashtu, kanë hapur një rast për trajnimet që dyshohet se janë mbajtur në territorin e këtij vendi gjatë vitit 2024.
E, për organizimin e këtyre trajnimeve në Bosnje dhe në Serbi gjatë vitit 2024, një gjykatë në Moldavi ka dënuar tre persona.
Autoritetet moldaviane kanë deklaruar dy herë se në vendet e Ballkanit Perëndimor, janë organizuar trajnime për destabilizim, të cilat, sipas tyre, janë koordinuar nga Rusia.
Herën e parë, përpara zgjedhjeve presidenciale dhe referendumit për anëtarësimin e Moldavisë në Bashkimin Evropian në vitin 2024, ato kanë thënë se trajnimet janë drejtuar nga persona të lidhur me grupet mercenare ruse, Ferma dhe Wagner.
Herën e dytë, në shtator të vitit 2025, pak para zgjedhjeve parlamentare, në të cilat forcat proevropiane kanë fituar shumicën, autoritetet moldaviane kanë thënë se shumica e të dyshuarve janë trajnuar në Serbi, në kuadër të një plani që pretendohet të jetë koordinuar nga Rusia.
Disa ditë pas këtyre pretendimeve, autoritetet në Serbi kanë arrestuar dy shtetas serbë.
Në komunikatat zyrtare të Policisë dhe Prokurorisë së Serbisë nuk është përmendur Rusia, por presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se autoritetet kanë konstatuar praninë e tre shtetasve rusë në një kamp.
Pas arrestimeve, disa banorë lokalë i kanë thënë Radios Evropa e Lirë se personat nga kampi, kanë vizituar dyqanet e zonës, kanë folur kryesisht rusisht dhe se, fillimisht, është menduar se janë sportistë.
Rusia e ka mohuar ndërhyrjen në procesin zgjedhor në Moldavi, ndërsa kjo e fundit e akuzon atë për luftë hibride, përfshirë fushatën e dezinformimit dhe financimin e paligjshëm të partive proruse.
SHIKONI EDHE: Gjurmët e spiunëve rusë në SerbiÇfarë thonë prokuroria dhe gjykata në Serbi?
Rasti i kampit për trajnim luftarak-taktik të shtetasve të Moldavisë dhe Rumanisë, i zbuluar në perëndim të Serbisë në shtator të vitit 2025, është ende në fazën e hetimeve.
“Personat e dyshuar janë marrë në pyetje, dëshmitarët janë intervistuar dhe aktualisht po kryhen ekspertizat e nevojshme”, ka deklaruar për Radion Evropa e Lirë Prokuroria e Lartë Publike në Shabac.
Prokuroria po zhvillon hetime ndaj dy të pandehurve: Llazar Popoviq nga Beogradi dhe Savo Stevanoviq nga Lloznica.
Sipas Gjykatës së Lartë në Shabac, më 6 shkurt, Popoviqit i është zëvendësuar paraburgimi me masë garancie, ndërsa Stevanoviq është liruar më 17 tetor, pas marrjes në pyetje të dëshmitarëve.
Branisllav Maniq, ish-avokat mbrojtës i Popoviqit, ka deklaruar më herët për BIRN-in se Popoviq, gjatë marrjes në pyetje nga policia, është mbrojtur me heshtje.
Në përgjigjen e Gjykatës së Lartë thuhet se prokuroria i ngarkon të pandehurit me veprën penale të organizimit të pjesëmarrjes në luftë ose konflikt të armatosur.
Për këtë vepër penale parashihet dënim me burg nga dy deri në dhjetë vjet.
Avokati i Stevanoviqit, Miodrag Terziq, ka deklaruar se ai i ka mohuar akuzat me të cilat ngarkohet.
Terziq ka thënë për Radion Evropa e Lirë se “mbrojtja konsideron se nuk ekziston asnjë provë” kundër Stevanoviqit.
“Ai vetëm dy ose tri herë ka qenë në objektin ‘Sunçana reka’, në mënyrë krejt joformale, për kafe me miqtë”, ka thënë Terziq.
Sipas tij, aty është takuar edhe me të dyshuarin kryesor, Llazar Popoviq, të cilin e ka pasur mik.
SHIKONI EDHE: Ndikimi rus – sfidë e përbashkët e Malit të Zi dhe MoldavisëMinistria e Punëve të Brendshme e Serbisë, pas arrestimit të Popoviqit dhe Stevanoviqit, ka njoftuar se dyshohet se trajnimi luftarak-taktik që ata kanë organizuar, ka pasur për qëllim ofrimin e rezistencës fizike ndaj Policisë së Moldavisë, në rast të trazirave gjatë ditës së zgjedhjeve.
Sipas këtyre pretendimeve, dyshohet se Popoviq ka organizuar dhe financuar trajnimin, ndërsa Stevanoviq akuzohet se e ka ndihmuar atë në realizimin e tij.
Sipas dyshimeve, trajnimi është zhvilluar në periudhën nga 16 korriku deri më 12 shtator dhe ka përfshirë nga 150 deri në 170 shtetas të Moldavisë dhe Rumanisë.
Llazar Popoviq ka qenë këshilltar i ish-ministrit prorus të Inovacionit në Serbi, Nenad Popoviq, ndërsa Savo Stevanoviq fillimisht ka qenë anëtar i Partisë Popullore Serbe (SNP) të Popoviqit, e më pas i partisë “Zdrava Srbija”, e cila është pjesë e koalicionit qeverisës.
Prokuroria e Bosnje e Hercegovinës ka marrë informacione nga Moldavia
Prokuroria e Bosnje e Hercegovinës ka hapur në verën e vitit 2025 një rast lidhur me trajnimet që janë mbajtur në territorin e saj gjatë vitit 2024, por deri tani nuk janë bërë të ditura detaje të tjera.
Prokuroria i ka thënë Radios Evropa e Lirë se ka pranuar një pjesë të dokumentacionit nga Moldavia, si përgjigje ndaj kërkesës për informacione.
“Pas një periudhe të gjatë, kemi disa dokumente të caktuara nga Moldavia, të cilat janë dërguar për përkthim, në mënyrë që të analizohen në detaje. Pastaj, do të vendoset për hapat e mëtejshëm”, thuhet në deklaratë.
Në aktgjykimin e gjykatës në Kishinjev nuk përmenden në mënyrë të drejtpërdrejtë shtetas të Bosnje e Hercegovinës që kanë marrë pjesë në këto aktivitete.
Mediat në Serbi kanë raportuar në tetor të vitit 2024 se Agjencia e Sigurisë dhe Informacionit (BIA), në bashkëpunim me policinë, ka ndërprerë disa aktivitete të paligjshme në një pronë pranë Kuçevës, në verilindje të Serbisë.
Sipas këtyre raportimeve, në atë lokacion janë gjetur, ndër të tjera, katër dronë me pajisje përcjellëse, pajisje për kapjen e dronëve, pajisje “Starlink” për vendosjen e komunikimit satelitor, radiolidhje, fosfor dhe lëngje të tjera që ndizen, si dhe orë që - me shumë gjasa - janë përdorur për aktivizimin e materialeve ndezëse.
BIA dhe Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë nuk u janë përgjigjur pyetjeve të Radios Evropa e Lirë lidhur me pretendimet për kampet e trajnimit, të organizuara në Serbi gjatë vitit 2024.
Çfarë zbulojnë detajet e aktgjykimit në Moldavi?
Sipas aktgjykimit të gjykatës në Kishinjev, një pjesë e përgatitjeve për trazira të dhunshme në Moldavi është zhvilluar jashtë territorit të këtij vendi, konkretisht në Bosnje e Hercegovinë.
Vendimi gjyqësor tregon se trajnimet janë mbajtur kryesisht në Bosnje e Hercegovinë gjatë vitit 2024, ndërsa Serbia ka shërbyer si vend transiti për pjesëmarrësit.
Më 6 shkurt, gjykata në Kishinjev ka dënuar me burg Aliona Gotcon, Ludmila Costencon dhe Vladimir Harcevnicovin për pjesëmarrje në një grup të organizuar kriminal që, gjatë vitit 2024, ka planifikuar dhe përgatitur trazira masive të dhunshme në Moldavi.
Këto aktivitete kanë përfshirë trajnime dhe mbështetje logjistike, të realizuara jashtë vendit.
SHIKONI EDHE: Policia moldaviane gjen më shumë prova për grupin që dyshohet se u trajnua në Serbi për nxitjen e trazirave në MoldaviSipas aktgjykimit, Bosnje e Hercegovina ka pasur rol qendror si vend trajnimi, me aktivitete të zhvilluara në disa lokacione.
Dokumentet gjyqësore përmendin konkretisht zonën e Gllamoçanit, ku është ngritur një kamp i improvizuar në një territor pyjor dhe të izoluar, i përbërë nga baraka dhe tenda.
Kampi ndodhej jashtë zonave të banuara, pa shenja publike dhe pa të dhëna për pronësinë e tokës.
Në aktgjykim, gjykata nuk ka specifikuar se kujt i përket hapësira e shfrytëzuar.
Sipas dëshmive, pjesëmarrësit kanë udhëtuar drejt Bosnje e Hercegovinës në mënyrë të organizuar, kryesisht përmes Serbisë.
Ata, fillimisht, vendoseshin në Banjallukë dhe më pas transportoheshin me automjete drejt një zone pyjore ku ndodhej kampi.
Transporti realizohej nga persona që flisnin gjuhën ruse, ndërsa një pjesë e tyre, sipas dëshmive, ishin me origjinë bullgare.
Gjykata ka konstatuar se Aliona Gotco, Ludmila Costenco dhe Vladimir Harcevnicov kanë qëndruar disa herë në Bosnje e Hercegovinë, nga fillimi i gushtit deri në mesin e tetorit 2024, ku kanë marrë pjesë në trajnime teorike dhe praktike.
SHIKONI EDHE: Moldavia dënon tre persona për planifikim të trazirave pas trajnimeve në Serbi dhe BosnjeSipas aktgjykimit, trajnimet kanë përfshirë përdorimin e dronëve FPV, lidhjen e tyre me qendra komanduese, zbulimin ajror në kuadër të grupeve sulmuese, si dhe simulime të hedhjes së mjeteve shpërthyese përmes dronëve.
Detaje për trajnimet në Serbi
Sipas aktgjykimit të Gjykatës në Kishinjev dhe dëshmive të dëshmitarëve, Serbia përmendet si një nga vendet ku anëtarët e grupit kanë qëndruar dhe kanë bërë trajnime, por edhe si pikë transiti në itinerarin Moldavi - Serbi - Bosnje e Hercegovinë.
Gjykata ka konstatuar se të dënuarit, si dhe persona të tjerë të përfshirë, kanë udhëtuar përmes Serbisë gjatë shkuarjes në trajnime dhe se gjatë vitit 2024 janë ndalur disa herë në këtë vend.
Edhe pse aktgjykimi nuk specifikon lokacione të sakta në Serbi, as qytete apo adresa, Serbia trajtohet si pjesë e zinxhirit logjistik dhe operacional, ku anëtarët e grupit mblidheshin, pushonin, riorganizoheshin dhe vazhdonin komunikimin me koordinatorë jashtë vendit.
Sipas dëshmive, gjatë qëndrimit në Serbi, ata kanë qenë në kontakt të vazhdueshëm me shtetasin rus, Vladimir Firsov, i cili u jepte udhëzime të mëtejshme dhe i informonte se destinacioni përfundimtar është Bosnje e Hercegovina.
Gjatë bastisjeve, te të pandehurit janë gjetur kartëmonedha në dinarë serbë, si dhe pajisje dhe dokumente që konfirmojnë lëvizjen dhe qëndrimin e tyre në Serbi.
Aktgjykimi thekson se Serbia është përdorur si vend transiti për hyrje në Bosnje e Hercegovinë, por edhe si rrugë për kthim.
Gjykata përfundon se Serbia ka pasur rol në një pjesë të trajnimeve, ndërsa Bosnje e Hercegovina ka qenë lokacioni qendror për trajnimet intensive, veçanërisht në përdorimin e dronëve dhe në taktikat e veprimeve të dhunshme.
Në këtë aktgjykim nuk përmenden shtetas të Serbisë si pjesëmarrës në trajnime apo si ndihmës në transportin e pjesëmarrësve nga Moldavia.
Vendimi është marrë në shkallë të parë dhe të pandehurit nuk kanë qenë të pranishëm gjatë shpalljes së dënimit.
Gjykata ka urdhëruar ndalimin e tyre për ekzekutimin e dënimit, por kundër aktgjykimit mund të bëhet ankesë.
SHIKONI EDHE: Çfarë informacionesh mbledhin hakerët shtetërorë rusë në Serbi?Gjatë zhvillimit të këtij procesi gjyqësor, Prokuroria e Moldavisë ka ngritur aktakuza edhe ndaj disa personave të tjerë të lidhur me trajnimet për nxitjen e trazirave.
Në fillim të dhjetorit 2025, autoritetet moldaviane kanë kryer rreth 50 bastisje në disa lokacione në vend dhe kanë gjetur prova se një grup i organizuar, i trajnuar më herët në një kamp në Serbi, dyshohet se ka planifikuar trazira në Moldavi.
Për ndikimin rus në Serbi ka paralajmëruar edhe Bashkimi Evropian në raportet e tij.
Serbia, përndryshe, është vend kandidat për anëtarësim në BE.
Serbia, si dhe entiteti i Bosnje e Hercegovinës, Republika Sërpska, kanë mbetur ndër partnerët e rrallë evropianë të Kremlinit edhe pas pushtimit rus të Ukrainës dhe vendosjes së sanksioneve perëndimore.
Beogradi dhe Moska kanë vazhduar bashkëpunimin në fushën e inteligjencës - gjë që reflektohet edhe në takimet e rregullta të drejtuesve të shërbimeve sekrete të të dyja vendeve.