Autoritetet serbe e kanë liruar nga paraburgimi shtetasin e Kosovës, Hazir Haziri – rreth katër muaj pasi e kishin arrestuar për gjoja krime lufte – njoftoi të mërkurën avokati Arianit Koci.
Haziri ishte arrestuar më 8 shtator në pikën kufitare në Merdare dhe prej atëherë ishte mbajtur në paraburgim në Serbi.
Lirimi i Hazirit “konfirmon se arrestimi ka qenë i pabazuar dhe i ngritur mbi pretendime të pambështetura në fakte”, tha avokati Koci, i cili ka qenë i angazhuar në rastin e tij.
“Rasti nënvizon domosdoshmërinë që qytetarët e Kosovës të kenë mbështetje të menjëhershme juridike sa herë që përballen me ndalime të padrejta jashtë vendit”, shkroi Koci në Facebook.
Ai shtoi se gjendja shëndetësore e Hazirit është e mirë.
SHIKONI EDHE: Transiti i pasigurt: Kosovarët “nën gjykimin” e SerbisëHaziri, 77 vjeç, ishte arrestuar për gjoja krime lufte gjatë luftës së fundit në Kosovë më 1998-’99.
Autoritetet serbe pretendonin asokohe se “në qershor të vitit 1999, në Podujevë, në bashkëpunim me disa pjesëtarë të UÇK-së [Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës], e ka vrarë me armë zjarri një civil serb”.
Serbia ka arrestuar vazhdimisht shtetas të Kosovës nën pretendime të tilla, dhe vetëm në vitin 2025 u regjistruan disa arrestime të tilla.
Avokati Koci, i cili bashkëpunon me avokatë vendas në Serbi pasi si avokat nga Kosova nuk është i licencuar për t’i mbrojtur kosovarët atje, tha në dhjetor për Radion Evropa e Lirë se “ka shumë raste të tilla”.
Duke folur për Hazirin, ai kishte thënë: “Në rastin e Hazir Hazirit, dëshmitarët e kanë shfajësuar. Por, prokuroria tani kërkon ta kontrollojë telefonin e tij të vitit 2025 për një ngjarje të vitit 1999. Si është e mundur kjo?”.
Sipas tij, Haziri kishte kaluar dhjetëra herë më parë nëpër territorin e Serbisë dhe nuk ishte ndaluar deri në shtatorin e vitit të kaluar.
“Qytetarët janë [dëm] kolateral. Gjithmonë pëson individi kur dy shtetet kanë probleme. Këtë mekanizëm, si duket, Serbia po e shfrytëzon në mënyrë brutale”, kishte thënë ai.
Rastet e të arrestuarve në Serbi, sipas burimeve në MPJD
Arbnor Spahiu - i arrestuar në qershor nën dyshimet për “vrasje të rëndë” në Banjskë; u lirua më 21 nëntor.
Lulzim Halili - i arrestuar në korrik, i akuzuar për “krime lufte”; mbetet në paraburgim.
Sasha Gjorgjeviq - i arrestaur në korrik, nën dyshimet për “bashkëpunim me Shërbimin Informativ të Shtetit të Shqipërisë (SHISH), përmes Agjencisë Kosovare të Inteligjencës (AKI)”; mbetet në paraburgim.
Behar Preniqi - i arrestuar në gusht, si “pjesëtar i dyshuar i UÇK-së”; mbetet në paraburgim.
Hazir Haziri - i arrestuar në shtator nën dyshimet për “krime lufte”; u lirua në janar 2026.
Avni Qenaj - i arrestuar në nëntor për “krime lufte”; gjykata në Beograd i dha një muaj paraburgim.
Millan Vukashinoviq dyshohet se është rrëmbyer nga xhandarmëria serbe në Leposaviq - pjesa veriore e Kosovës - më 1 nëntor.
Më 14 gusht, autoritetet serbe njoftuaan se i ndaluan edhe dy persona me inicialet X.E. dhe B.E. (Xhemajl dhe Bashkim Emini) në pikën kufitare mes Serbisë dhe Hungarisë, Horgosh, nën dyshimet se si pjesëtarë të UÇK-së, “kanë kryer krime lufte kundër popullsisë civile”. Pesë ditë më pas, ata u liruan.