Nga faqet anonime te mediat ruse: Kush i përhap narrativët e Kremlinit në Serbi?

Narrativët rusë në Serbi përhapen përmes kanaleve zyrtare ruse, por edhe përmes faqeve në rrjetet sociale dhe portaleve agreguese, pronësia dhe redaksia e të cilave janë të panjohura.

Mijëra njerëz në Facebook dhe Instagram e ndjekin faqen “Govorit Moskva”, përmbajtja e së cilës përbëhet pothuajse tërësisht nga fjalimet e presidentit rus, Vladimir Putin, të përkthyera në gjuhën serbe.

Në një nga fjalimet e publikuara nga kjo faqe, Putin thotë se “miliona njerëz në Perëndim e kuptojnë se [autoritetet] po i çojnë drejt një katastrofe të vërtetë shpirtërore”.

Ndërsa faqja publikon çdo ditë fjalime të Putinit, në të cilat justifikohet pushtimi i Ukrainës, glorifikohet ushtria ruse dhe kritikohet Perëndimi, nuk ka të dhëna se kush qëndron prapa saj.

Në Serbi veprojnë edhe portale agreguese me pronësi të paqartë, të cilat kryesisht nuk prodhojnë përmbajtje origjinale, por ripublikojnë raportime të mediave ruse.

Rusia ka në Serbi edhe mediat e veta zyrtare shtetërore.

Mediat ruse Sputnik dhe RT (ish-Russia Today) veprojnë pa pengesa, pasi Serbia nuk u është bashkuar sanksioneve perëndimore kundër Rusisë pas pushtimit të Ukrainës.

Edhe pas nisjes së pushtimit, Serbia ka vazhduar ta zhvillojë bashkëpunimin me Rusinë, pavarësisht se është vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Në Serbi punojnë gjithashtu gazetarë rusë që raportojnë për zhvillimet në vend përmes narrativave të afërta me Kremlinin. Në disa raste, raportimet e tyre përputhen edhe me narrativët e autoriteteve serbe.

Thomas Brey, ligjërues dhe ish-shef shumëvjeçar i byrosë rajonale për Evropën Juglindore të agjencisë gjermane të lajmeve DPA, në një analizë të vitit 2025 është marrë posaçërisht me rolin e Serbisë në përhapjen e narrativëve propagandistike ruse në Ballkan.

“Të gjitha gazetat dhe televizionet e mëdha serbe, përmes portaleve të tyre digjitale, shërbejnë gjithashtu si nyje për përhapjen e propagandës serbo-ruse”, tha Brey në një përgjigje me shkrim për Radion Evropa e Lirë.

Një vlerësim të ngjashëm dhanë edhe Reporterët pa Kufij në raportin e tyre të vitit 2025, duke thënë se propaganda ruse po “lulëzon” në Serbi, ndër të tjera përmes televizionit shtetëror rus.

Kush qëndron prapa “Govorit Moskva”?

Faqja “Govorit Moskva”, e cila publikon fjalimet e Putinit, ka më shumë se 20.000 ndjekës në Facebook. E njëjta faqe ka rreth 14.000 ndjekës në Instagram.

Faqja në Facebook është krijuar në vitin 2025 dhe, sipas të dhënave të disponueshme, administratori i saj ndodhet në Serbi.

Në faqe thuhet gjithashtu se ajo menaxhohet nga një organizatë joqeveritare, por REL-i nuk ka gjetur ndonjë organizatë me këtë emër në regjistrin publik të Agjencisë së Regjistrave të Biznesit të Serbisë.

Faqja në Facebook “Govorit Moskva”, e cila publikon fjalimet e presidentit rus, Vladimir Putin, të përkthyera në gjuhën serbe.

Të njëjtën përmbajtje e shpërndan që nga viti 2024 edhe profili “Sa vrha” në YouTube, por as aty nuk tregohet se kush qëndron prapa tij.

Faqja “Govorit Moskva” mban të njëjtin emër me një radio në Moskë, e cila mbështet politikat e Kremlinit.

Kryeredaktori i radios ruse është Roman Babayan, i cili ushtron disa funksione publike në institucionet shtetërore ruse dhe njihet për mbështetjen ndaj politikave zyrtare të Kremlinit. Babayan është nën sanksionet e Bashkimit Evropian që nga viti 2022.

Në arsyetimin për vendosjen e sanksioneve, BE-ja thotë se ai ka përhapur propagandë antiukrainase dhe ka promovuar qëndrime pozitive ndaj veprimeve të separatistëve të mbështetur nga Rusia në rajonin ukrainas të Donbasit.

As radioja në Moskë dhe as faqja me të njëjtin emër “Govorit Moskva” nuk iu përgjigjën pyetjeve të REL-it nëse ekziston ndonjë lidhje mes radios dhe faqeve në rrjetet sociale që publikojnë fjalimet e Putinit.

Portali i radios moskovite “Govorit Moskva”, e cila mbështet politikat e Kremlinit.

Narrativët rusë përmes mediave shtetërore dhe portaleve agreguese

Fjalimet e Putinit shpërndahen në Serbi edhe përmes mediave të financuara nga shteti rus.

RT dhe Sputnik janë nën sanksionet e Bashkimit Evropian që nga viti 2022, pas nisjes së pushtimit në shkallë të gjerë të Ukrainës nga Rusia.

BE-ja atëherë pezulloi transmetimin e Sputnikut dhe RT-së në territorin e saj “derisa agresioni kundër Ukrainës të përfundojë dhe derisa Federata Ruse dhe mediat e lidhura me të të ndalojnë aktivitetet e dezinformimit dhe manipulimit të informacionit kundër BE-së dhe vendeve të saj anëtare”.

Megjithatë, RT Balkan nisi publikimin e përmbajtjes online në gjuhën serbe në nëntor të vitit 2022, tetë muaj pas fillimit të pushtimit rus në shkallë të gjerë të Ukrainës.

Zgjerimi i RT-së në Serbi nxiti paralajmërime nga Bashkimi Evropian.

Ish-raportuesi i Parlamentit Evropian për Serbinë, Vladimir Billçik, pas hapjes së redaksisë së RT-së në Serbi, shkroi në X se nisja e këtij kanali ishte në kundërshtim me politikën e jashtme evropiane.

“Pravda Srbija”, pjesë e një rrjeti rus të dezinformimit në Evropë

Narrativët prorusë në Serbi nuk shpërndahen vetëm përmes mediave zyrtare ruse, por edhe përmes portaleve agreguese, të cilat marrin dhe rishpërndajnë lajme të mediave të tjera.

Një prej tyre është portali “Pravda Srbija”, i cili nuk ka përmbajtje origjinale dhe kryesisht ripublikon lajme nga Sputnik dhe RT.

Në faqen e tij nuk ka të dhëna për pronësinë apo redaksinë, ndërsa përmbajtjet publikohen në disa gjuhë.

Sekretariati i Përgjithshëm për Mbrojtje dhe Siguri Kombëtare i Francës, në një raport të vitit 2024, e identifikoi këtë portal si pjesë të një rrjeti të një “fushate ruse të dezinformimit në shkallë të gjerë në Evropë”.

Portali agregues “Pravda Srbija”, i cili shpërndan përmbajtje të mediave ruse, nuk publikon të dhëna për pronësinë apo redaksinë e faqes.

“Qëllimi kryesor i kësaj përmbajtjeje duket të jetë raportimi për konfliktin ruso-ukrainas duke paraqitur pozitivisht ‘operacionin e posaçëm ushtarak’ dhe duke diskredituar Ukrainën dhe udhëheqjen e saj”, thuhet në raport, i cili shton se portalet në gjuhë të ndryshme nisën të publikonin përmbajtje gjatë vitit 2023.

Në faqen e Bashkimit Evropian thuhet se, edhe pasi rrjeti u zbulua, zgjerimi i faqeve të “Pravdas” nuk u ndal.

Portali nuk iu përgjigj REL-it në pyetjet se kush e menaxhon faqen dhe si u përgjigjet këtyre pretendimeve.

Raportime për “protestat paqësore të pushtetit” dhe “revolucionin me ngjyra”

Narrativët e Kremlinit janë të dukshme edhe në raportimet e gazetarëve rusë që qëndrojnë në Serbi.

REL-i analizoi disa prej raportimeve të tyre për media ruse të kontrolluara nga Kremlini.

Në to vërehet një raportim pozitiv për pushtetin në Serbi, ndërsa protestat antiqeveritare vendosen në kontekstin e një “revolucioni me ngjyra”, duke lënë të kuptohet se ato janë organizuar nga shërbimet perëndimore të inteligjencës.

Disa prej këtyre raportimeve janë publikuar në faqen e gazetës ruse Izvestia, shpërndarjen e së cilës Bashkimi Evropian e ndaloi në vitin 2024 për shkak të promovimit të luftës së Rusisë në Ukrainë.

Gazetari Sergei Petrov raportoi për këtë medium në vitin 2025 nga një tubim proqeveritar në Vranjë, në jug të Serbisë, duke thënë se ai ishte “paqësor, ndryshe nga tubimet studentore që mbaheshin në Beograd dhe shumë protesta të tjera”.

Partia në pushtet organizoi një varg tubimesh si kundërpërgjigje ndaj protestave antiqeveritare në Serbi, në të cilat kërkohej përgjegjësi për vdekjen e 16 personave nga shembja e strehës së betonit në Stacionin Hekurudhor të Novi Sadit.

Në anën tjetër, duke raportuar për një protestë antiqeveritare të organizuar në mars pranë Rektoratit të Universitetit të Beogradit, pas ndërhyrjes së policisë në atë institucion, Petrov e lidhi tubimin me “humbjen e listës studentore në zgjedhjet lokale”.

Një interpretim i tillë i ngjarjeve para Rektoratit përkon me deklaratat e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili gjithashtu e lidhi protestën me zgjedhjet lokale të zhvilluara më herët në disa komuna, ku fitoi partia në pushtet.

Zgjedhjet u përcollën me një sërë incidentesh, të cilat komisionarja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, i cilësoi si të papranueshme.

I pyetur nga REL-i për raportimin e tij nga protestat, Petrov tha se punon si gazetar i pavarur dhe se nuk është “i përfshirë në politikat redaktuese të mediave” për të cilat raporton.

Për protestat antiqeveritare në Serbi raportoi edhe Daria Grigorova, korrespondente e Kompanisë Shtetërore Mbarëruse të Televizionit dhe Radios, VGTRK, e cila gjithashtu ndodhet nën sanksionet e BE-së që nga viti 2022.

Ukraina ia ndaloi Grigorovës hyrjen në vend në vitin 2016 për një periudhë pesëvjeçare, vendim që shkaktoi reagim dhe dënim nga Ministria e Jashtme e Rusisë.

Ajo u përmend gjithashtu në një raport të vitit 2018 të Shërbimit të Sigurisë së Letonisë, në kontekstin e “përhapjes së informacionit që u shërben interesave gjeopolitike të Rusisë”.

Në mars të vitit 2025, ajo ndoqi një protestë të madhe studentore dhe antiqeveritare dhe, gjatë një transmetimi me video, raportoi se aty mund të dëgjoheshin slogane të frymëzuara nga “Maidani”.

“Simboli kryesor i këtyre protestave është dora e kuqe, simbol klasik i një revolucioni me ngjyra”, thuhej në raport, duke iu referuar dorës së përgjakur që është bërë simbol i protestave studentore në Serbi.

Grigorova nuk iu përgjigj pyetjeve të REL-it.

Protestat në Maidan në Ukrainë në vitin 2014 çuan në rrëzimin nga pushteti të presidentit ukrainas, Viktor Yanukovych, i cili ishte i afërt me Moskën, pasi ai hoqi dorë nga planet për një marrëveshje tregtare me Bashkimin Evropian dhe u orientua drejt Rusisë. Kremlini i përshkruan këto ngjarje si “revolucion me ngjyra”.

Autoritetet serbe, në anën tjetër, protestat antiqeveritare në vend i kanë quajtur gjithashtu “revolucion me ngjyra”, ndërsa shërbimet ruse i kanë mbështetur këto pretendime.

Kujt i shërbejnë narrativët prorusë?

Sipas gazetarit dhe ligjëruesit gjerman Thomas Brey, mediat, gazetarët, agregatorët dhe faqet proruse kontribuojnë në krijimin e një “pamjeje joreale të politikës ndërkombëtare”, e cila i shërben pushtetit në Serbi.

“Ato paraqesin këtë tablo të botës: bota e dominuar nga Perëndimi po shpërbëhet dhe po zëvendësohet nga një rend multipolar i udhëhequr nga Rusia dhe Kina. Theksohet epërsia e pretenduar e sistemit politik dhe shoqëror rus ndaj atij perëndimor, me Putinin në krye si baba i kombit”, thotë Brey.

Sipas tij, propaganda proruse në Serbi mund të dallohet edhe në forcimin e narrativës se Rusia dhe Serbia janë viktima të përhershme, të cilat pretendohet se trajtohen vazhdimisht dhe padrejtësisht nga pjesa tjetër e botës.

Brey thotë se këto narrativa përhapen pa pengesa sepse i përshtaten pushtetit të presidentit Aleksandar Vuçiq.

“Vuçiq e mban në funksion makinerinë e tij propagandistike për t’i treguar Perëndimit se çfarë ndjenje antiperëndimore mund të nxisë në vend vetëm me një shtypje të butonit”, thotë ai.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u përfshi në listën “Grabitqarët e lirisë së medias” për vitin 2025 të organizatës Reporterët pa Kufij.

Në atë listë u përfshinë 34 udhëheqës apo aktorë të fuqishëm, të cilët, sipas organizatës, i bashkon “urrejtja ndaj lirisë së shtypit”, “heshtja e zërave të pavarur mediatikë” dhe “shkelja e së drejtës për informim”.

Komisioni Evropian, në raportin e tij të vitit 2025 për zgjerimin dhe Serbinë, vlerësoi se mjedisi për funksionimin e lirë, të pavarur dhe profesional të mediave në vend mbetet “i kufizuar”.