Lavrov: Nacionalizimi i mundshëm i NIS-it, nën kushte të caktuara

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq. Beograd, 10 tetor 2021.

Ministri i Punëve të Jashtme i Rusisë, Sergei Lavrov, deklaroi më 11 dhjetor se “nën kushte të caktuara” mund të ndodhë nacionalizimi i Industrisë së Naftës së Serbisë (NIS), me pëlqimin e Rusisë, raportoi agjencia Beta, duke u thirrur në raportimin e agjencisë ruse të lajmeve, TASS.

“Po zhvillohet një proces negociues. E di që udhëheqja serbe iu drejtua SHBA-së, sepse kërkesa e tyre lidhej drejtpërdrejt me ndërmarrjen që u krijua bazuar në marrëveshjen ndërqeveritare midis Rusisë dhe Serbisë, por kjo është një karakteristikë specifike e amerikanëve”, tha Lavrov.

SHIKONI EDHE:

Serbia në gjendje të pashpresë pas vendimit të BE-së për gazin rus, thonë zyrtarëtVuçiq thotë se NIS-i i ka tri mundësi për të shpëtuar, përmend 15 janarin si afatin e funditNIS e merr lejen për ta ndërprerë punën, në pritje të një vendimi nga SHBA për licencën

Ai shtoi se në marrëveshjen ndërqeveritare midis Serbisë dhe Rusisë është përcaktuar se nuk mund të ndodhë asnjë nacionalizim pa miratimin e dyanshëm.

“Nën cilat kushte mund të arrihet pëlqimi për nacionalizim ose për ndonjë formë tjetër të zgjidhjes së këtij problemi? Ndoshta zgjidhja qëndron në gjetjen e një mënyre që NIS-i të vazhdojë të funksionojë, pavarësisht nga mundësitë që ka SHBA-ja për ta ndëshkuar këtë kompani”, tha Lavrov.

SHIKONI EDHE: Serbia në kërkim të zgjidhjes për pronësinë ruse të NIS-it

Duke reaguar ndaj deklaratës së Lavrovit, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi se “Serbia do të bëjë gjithçka që hisedarët rusë në NIS të jenë të kënaqur”.

Nëse funksionimi bëhet i pamundur, Serbia, sipas Vuçiqt, do të paguajë “ashtu si i takon një shteti normal”.

“Ne nuk na shkon ndërmend t’i marrim askujt asgjë, por Serbia nuk do të mbetet pa naftë, pa industrinë e naftës dhe pa rafineri”, deklaroi Vuçiq për gazetarët në Nish.

Zbatimi i sanksioneve amerikane ndaj kompanisë më të madhe të naftës në Serbi nisi më 9 tetor, pas disa muajsh vonesë.

Shtetet e Bashkuara insistojnë në largimin e pronësisë ruse nga NIS-i, ku aktualisht pjesëmarrja e kompanive ruse është 56.2 për qind.

Qëllimi i sanksioneve të SHBA-së ndaj sektorit energjetik rus, nën të cilat u shënjestrua edhe kompania më e madhe e naftës në Rusi, është të pengojë Rusinë të financojë më tej pushtimin e Ukrainës.