Ambasada amerikane ka mirëpritur themelimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë së Kosovës.
“Mezi presim që të bashkëpunojmë me Qeverinë e re për avancimin e prioriteteve të përbashkëta, përfshirë paqen rajonale, stabilitetin dhe prosperitetin e ndërsjellë ekonomik”, u tha në një njoftim të publikuar në rrjetet sociale.
Më 11 shkurt, deputetët e konstituuan Kuvendin e Kosovës, duke zgjedhur Albulena Haxhiun si udhëheqëse të re të organit ligjvënës.
Disa orë më vonë, u votua edhe Qeveria e re e Kosovës e udhëhequr nga Albin Kurti, kreu i Lëvizjes Vetëvendosje – fitueses së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit.
Video përmbledhëse e formimit të Kuvendit dhe Qeverisë së re të Kosovës
Your browser doesn’t support HTML5
Kosova i bën institucionet e reja
Gjatë ekspozesë së tij para Kuvendit, Kurti tha se aleanca me Uashingtonin “nuk do të lëkundet”.
“Kosova është më demokratike dhe më e sigurt se kurrë më parë, Kosova është rreshtuar në anën e paqes, të drejtësisë, dhe të aleatëve të saj demokratikë. Aleanca jonë me BE-në, SHBA-në dhe vendet mike nuk do të lëkundet, sepse ky bashkëpunim nuk është strategji, është vlerë”, tha Kurti.
Themelimi i institucioneve të reja të Kosovës vjen pas një viti bllokade politike.
SHIKONI EDHE: Kurti rikthehet pas gati një viti në detyrëGjatë vitit të kaluar, Kosova u udhëhoq me Qeveri në detyrë, pasi Kurti - ndonëse i fitoi zgjedhjet e 9 shkurtit 2025 - nuk ka arritur të formojë Qeverinë e re, çfarë ka çuar në shpërndarjen e Kuvendit dhe zgjedhje të parakohshme.
Gjatë mandatit të mëparshëm, Qeveria e tij është përballur shpesh me kritika nga partnerët ndërkombëtarë, veçanërisht për shkak të veprimeve që janë cilësuar si të pakoordinuara dhe të njëanshme.
Nga mbyllja e shumicës së institucioneve serbe në Kosovë deri te heqja e dinarit serb nga përdorimi, këto veprime janë parë si të dëmshme për komunitetin serb dhe si faktor që ka rritur tensionet në veri të vendit.
SHIKONI EDHE:
A fshihet diçka tjetër, përtej çështjes serbe, në mosmarrëveshjet Kosovë-SHBA?Kurti: Mospajtimet me SHBA-në, gjithmonë lidhur me Serbinë dhe strukturat e sajKritikat kanë shkuar deri në atë pikë sa është folur edhe për lëkundje të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara.
Por, Kurti vazhdimisht ka insistuar se SHBA-ja mbetet partnerja kryesore e Kosovës, ndonëse ka pranuar se ekzistojnë dallime në qasje për disa çështje. Ai ka thënë se mopajtimet me Uashingtonin gjithmonë janë lidhur me Serbinë dhe strukturat e saj.
Vitin e kaluar, Shtetet e Bashkuara kanë marrë një nga masat më të ashpra ndaj Kosovës, duke pezulluar nisjen e Dialogut Strategjik mes dy vendeve - një mekanizëm i krijuar për thellimin e marrëdhënieve dypalëshe.
Uashingtoni e kishte lidhur këtë vendim me veprimet e Qeverisë në detyrë të Kosovës të udhëhequr nga Kurti.