Presidenti amerikan, Joe Biden, i tha kryeministrit të ri britanik, Keir Starmer, se mirëpret dëshirën e tij për raporte më të ngushta me homologët evropianë, sipas njoftimit të Qeverisë britanike.
Starmer u takua me Bidenin në Zyrën Ovale në Shtëpinë e Bardhë të mërkurën dhe liderët diskutuan për raportet mes dy shteteve të tyre si dhe për konfliktet në Ukrainë dhe Gazë.
“Presidenti mirëpriti deklaratat e bëra së fundi nga kryeministri për krijimin e raporteve të ngushta me homologët tanë evropianë, por edhe përkushtimin e Mbretërisë së Bashkuar për AUKUS”, tha Qeveria britanike, duke iu referuar paktit të sigurisë mes Britanisë, SHBA-së dhe Australisë.
“Në kohën kur ne po përballemi me sfida në mbarë botën, ne jemi më të fortë kur jemi bashkë dhe punojmë së bashku”.
SHIKONI EDHE:
Kush është kryeministri i ri britanik, Keir Starmer?Starmer ka marrë pjesë në samitin e NATO-s në Uashington, ku është takuar me liderët evropianë, përfshirë kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz.
Starmer tha se ai dëshiron që Britania të rivendosë raportet me Bashkimin Evropian, të përmirësojë bashkëpunimin në fusha sikurse ajo e sigurisë dhe tregtisë, duke kërkuar që të ulë tensionet që u shkaktuan pas referendumit të vitit 2016, kur britanikët vendosën të largonin shtetin nga blloku evropian.
Megjithatë, ai ka përjashtuar mundësinë e ribashkimit në tregun e përbashkët të BE-së apo në unionin e doganave.