SHBA-ja publikon të dhëna për laboratorë biologjikë në mbi 30 vende, përfshirë Ukrainën

Për muaj të tërë, administrata Trump ka shqyrtuar të dhënat dhe dosjet e SHBA-së mbi biolaboratorët e financuar nga Uashingtoni.

Drejtoresha e Inteligjencës Kombëtare të Shteteve të Bashkuara (DNI) ka publikuar prova që, sipas zyrës së saj, tregojnë se Qeveria amerikane i ka financuar për kohë të gjatë më shumë se 120 laboratorë biologjikë në mbi 30 vende, ku kryhen kërkime mbi patogjenë biologjikë, disa prej të cilëve janë të rrezikshëm.

“Këta biolaboratorë përfshijnë laboratorë në Ukrainë, të cilët mund të jenë në rrezik për t’u kompromentuar, për shkak të luftës së vazhdueshme midis Rusisë dhe Ukrainës”, thuhet në një komunikatë të zyrës së DNI-së më 12 qershor.

“Për shembull, Komuniteti i Inteligjencës kishte paralajmëruar më parë se një biolaborator i financuar nga SHBA-ja në Ukrainë me gjasë strehonte patogjenë të rrezikshëm dhe mbetet i cenueshëm ndaj kërcënimeve të kahershme nga sulmet, sekuestrimet ose dëmtimet nga Rusia”, thuhet tutje në komunikatë.

Ky veprim i pazakontë nga Tulsi Gabbard erdhi vetëm pak ditë para largimit të saj nga posti i DNI-së, institucion që bashkërendon shkëmbimin e të dhënave ndërmjet agjencive të shumta të inteligjencës amerikane.

Nuk është e qartë pse Gabbard po i publikon këto të dhëna. Po ashtu, nuk është e qartë nëse dokumentet përmbajnë ndonjë zbulim të ri.

Prej vitesh, përmes një programi të quajtur “Bashkëpunimi për Reduktimin e Kërcënimeve”, Qeveria amerikane ka financuar përpjekje për t’i siguruar programet kërkimore të periudhës së Luftës së Ftohtë, kryesisht ato që rrjedhin nga programet sovjetike për zhvillimin e teknologjive biologjike dhe të luftës kimike.

Disa nga objektet e trashëguara nga Bashkimi Sovjetik ndodheshin në Kiev, Tbilisi dhe vende të tjera në territorin e ish-Bashkimit Sovjetik.

Administrata e Donald Trumpit ka shqyrtuar prej muajsh dokumentet dhe asetet amerikane që lidhen me biolaboratorët e financuar nga Uashingtoni, pasi ndaloi financimin federal për kërkimet e njohura si fitimi nga funksioni në vende si Kina, ku sipas saj mungon mbikëqyrja e duhur.

Kërkimet e tilla përfshijnë modifikimin e organizmave për të rritur ose ndryshuar funksionet e tyre biologjike.

Degë të ndryshme të Qeverisë amerikane, përfshirë Departamentin e Mbrojtjes, kanë financuar prej kohësh laboratorë jashtë vendit që kryejnë kërkime mbi sëmundjet.

Pasi marrëdhëniet e Rusisë me Perëndimin janë përkeqësuar, Moska e ka akuzuar gjithnjë e më shpesh SHBA-në për financimin e “biolaboratorëve” që synojnë zhvillimin e armëve të mundshme biologjike. Nga ana tjetër, vetë SHBA është nënshkruese e Konventës së Armëve Biologjike të vitit 1975.

SHIKONI EDHE:

Si i prodhon dhe i përdor Rusia granatat kimike kundër Ukrainës

Këto akuza kanë ushqyer teori të vazhdueshme konspirative ndër vite, të cilat Qeveria amerikane është përpjekur vazhdimisht t’i kundërshtojë dhe demaskojë.

Në vitin 2023, një vit pas pushtimit në shkallë të plotë të Ukrainës nga Rusia, Departamenti amerikan i Shtetit akuzoi Moskën se po “rriste vëllimin dhe intensitetin e dezinformimit të saj mbi armët biologjike, në një përpjekje të pasuksesshme për të larguar vëmendjen nga pushtimi i Ukrainës, për të zvogëluar mbështetjen ndërkombëtare për Ukrainën dhe për të justifikuar luftën e saj të pajustifikueshme”.

Që nga rikthimi në Shtëpinë e Bardhë në vitin 2025, administrata e presidentit Trump ka zbatuar një qasje më të ashpër ndaj çështjes së patogjenëve biologjikë, veçanërisht në lidhje me pandeminë COVID-19, origjina e së cilës në Kinë vazhdon të jetë temë e debateve të ashpra.

Administrata Trump ka deklaruar se shumë prej biolaboratorëve të financuar nga Uashingtoni kanë kryer kërkime duke përdorur “patogjenë të rrezikshëm dhe shumë ngjitës” dhe se aktivitete të tilla nuk mund t’iu shpëtojnë “kufizimeve”.

Në maj të vitit 2025, Trump e nënshkroi një urdhër ekzekutiv për t’i dhënë fund financimit federal të kërkimeve “fitimi nga funksionimi” në mbarë botën.