SHBA-ja rrëzon një dron iranian që iu afrua aeroplanmbajtësit amerikan

Aeroplanmbajtësi amerikan USS Abraham Lincoln duke kaluar përmes Ngushticës së Hormuzit në nëntor të vitit 2019.

Ushtria amerikane e ka rrëzuar një dron iranian që “në mënyrë agresive” po i afrohej aeroplanmbajtësit USS Abraham Lincoln në Detin Arabik, tha ushtria amerikane përmes një njoftimi më 3 shkurt.

Droni iranian Shahed-139 po fluturonte drejt aeroplanmbajtësit “me qëllim të paqartë” dhe u rrëzua nga një avion luftarak amerikan F-35, u tha në njoftim.

“Një avion luftarak F-35C nga aeroplanmbajtësi Abraham Lincoln e rrëzoi dronin iranian në vetëmbrojtje, me qëllim mbrojtjen e aeroplanmbajtësit dhe personelit në bord”, tha kapiteni i Marinës amerikane, Tim Hawkins, zëdhënës në Komandën Qendrore të ushtrisë amerikane.

SHIKONI EDHE:

Hegseth: SHBA-ja, e përgatitur të ndërmarrë veprime kundër IranitMundësi “shumë të mëdha” për sulme amerikane ndaj IranitLuftanijet amerikane arrijnë në Lindjen e Mesme, Trump thotë se Irani dëshiron të bisedojë

Ai shtoi se asnjë pjesëtar i ushtrisë amerikane nuk është lënduar gjatë incidentit dhe asnjë pajisje e ushtrisë nuk ka pësuar dëme.

Incidenti ndodhi në kohën kur diplomatët po përpiqen të organizojnë bisedime bërthamore mes Iranit dhe SHBA-së dhe mes paralajmërimeve të presidentit amerikan, Donald Trump, se luftanijet amerikane janë nisur drejt Iranit dhe se “gjëra të këqija” mund të ndodhin nëse nuk arrihet një marrëveshje.

SHIKONI EDHE: Trump: Irani të arrijë një marrëveshje ose sulmi i ardhshëm i SHBA-së do të jetë shumë më i keq

Ushtria amerikane ka dislokuar në afërsi të brigjeve të Iranit një grup sulmues detar, të udhëhequr nga aeroplanmbajtësi USS Abraham Lincoln.

Presidenti Trump nuk e ka përjashtuar mundësinë e një veprimi ushtarak ndaj Iranit, si kundërpërgjigje ndaj shtypjes brutale të protestave antiqeveritare që shpërthyen në fund të dhjetorit në mbarë Iranin.