Departamenti amerikan i Shtetit njoftoi se e thirri në takim të enjten ambasadorin e Irakut për t’i dënuar “sulmet e rënda terroriste” nga grupe të armatosura të mbështetura nga Irani ndaj interesave amerikane në Irak.
Shtetet e Bashkuara “nuk do të tolerojnë sulme ndaj interesave të tyre dhe presin që Qeveria irakiane t’i ndërmarrë menjëherë të gjitha masat për t’i shpërbërë grupet e milicive të lidhura me Iranin në Irak”, tha zëdhënësi Tommy Pigott në një deklaratë.
Zëvendëssekretari i Shtetit, Christopher Landau, e thirri ambasadorin irakian, Nazar Al-Khirullah, dhe para tij shprehu “dënimin e fortë” të Qeverisë amerikane për sulmet, “përfshirë një pritë më 8 prill ndaj diplomatëve amerikanë në Bagdad”, tha Pigott.
Ai nuk dha hollësi të tjera mbi rreth pritës së supozuar.
Iraku u përfshi në konfliktin mes Shteteve të Bashkuara, Izraelit dhe Iranit, pasi kishte sulme të vazhdueshme ndaj interesave amerikane, veçanërisht në Ambasadën amerikane në Bagdad.
SHIKONI EDHE:
Iraku përfshihet në luftën e Iranit, teksa Teherani zgjeron fushëbetejënGrupet e armatosura proiraniane njoftuan të mërkurën se do t’i pezullonin sulmet e tyre për dy javë, pas shpalljes së armëpushimit midis Shteteve të Bashkuara dhe Iranit.
“Derisa i njohu përpjekjet e forcave të sigurisë irakiane për t’iu përgjigjur këtyre sulmeve terroriste, zëvendëssekretari theksoi dështimin e Qeverisë irakiane për t’i parandaluar ato”, tha Pigott.
Ai shtoi se marrëdhëniet SHBA-Irak janë ndikuar negativisht nga fakti se “disa elementë të lidhur me Qeverinë irakiane vazhdojnë të ofrojnë mbulim politik, financiar dhe operacional për milicitë”.