Trump thotë se bisedimet do të mbahen në Doha, pavarësisht mohimit nga Irani

Presidenti amerikan, Donald Trump, në Zyrën Ovale më 26 qershor 2026.

Presidenti amerikan, Donald Trump, tha më 29 qershor se Irani “ka kërkuar mbajtjen e një takimi” dhe se bisedimet do të mbahen nesër në kryeqytetin e Katarit, Doha.

Postimi i tij në rrjetet sociale erdhi pasi një zyrtar iranian mohoi se bisedimet teknike – hapi i radhës sipas kornizës së arritur për përfundimin e luftës – ishin planifikuar të mbaheshin këtë javë, pavarësisht pretendimeve nga zyrtarët amerikanë.

SHBA-ja dhe Irani kanë këmbyer sulme gjatë fundjavës, teksa tensionet u rritën sërish mes palëve.

“Irani ka kërkuar një takim. Do të mbahet nesër në Doha”, shkroi Trump në Truth Social.

SHIKONI EDHE:

Irani dhe SHBA-ja fajësojnë njëri-tjetrin pas rifillimit të sulmeve pavarësisht armëpushimit

Zëvendësministri i Jashtëm i Iranit, Kazem Gharibabadi, tha më herët gjatë 29 qershorit se grupi teknik punues nuk planifikohet që të takohet gjatë kësaj jave, raportoi agjencia iraniane e lajmeve, Tasnim.

“Megjithëse konsultimet me Katarin, përfshirë ato lidhur me vazhdimin e zbatimit të zotimeve të palës tjetër, po vazhdojnë si zakonisht, lajmet e publikuara nga disa media se në Doha po zhvillohen bisedime teknike nga grupet punuese nuk mund të konfirmohen”, u tha gazetarëve Gharibabadi.

Ai shtoi se rundi i parë i bisedimeve teknike do të mbahet në kuadër të grupeve të caktuara të punës sapo të krijohen kushtet dhe pasi të arrihet marrëveshje për datën dhe vendin e zhvillimit të tyre, duke theksuar se konsultimet për këtë çështje po vazhdojnë përmes shteteve ndërmjetëse.

Këto deklarata vijnë pasi Irani, duke përmendur sulmet amerikane ndaj vendit dhe ato që i cilësoi si shkelje të memorandumit të mirëkuptimit të arritur së voni, refuzoi të takohej me negociatorët amerikanë sipas planit më 28 qershor.

“Për shembull, një nga arsyet është të verifikojmë nëse kemi qasje në fondet e zhbllokuara. Nëse nuk kemi qasje, atëherë ky kusht nuk është përmbushur”, tha Mehdi Fazaeili nga zyra e udhëheqësit suprem të Iranit.

Detaje të tjera nuk ishin menjëherë të disponueshme.

Seanca e ardhshme, më 30 qershor, ishte planifikuar fillimisht të mbahej në Zvicër për të diskutuar programin bërthamor të Iranit. Megjithatë, Axios raportoi se përshkallëzimi i fundit i sulmeve nga të dyja palët bëri që bisedimet të zhvendoseshin në Katar, dhe tani ato do të përqendrohen mbi Ngushticën e Hormuzit.

Irani, i cili pretendon sovranitet mbi këtë rrugë ujore strategjike, ka qëlluar ndaj anijeve tregtare në ngushticë, duke bërë që forcat amerikane të godasin radarë bregdetarë dhe objekte ushtarake iraniane në përpjekje për të mbrojtur lundrimin.

Gjatë rundeve të mëparshme të negociatave, Uashingtoni dhe Teherani ranë dakord të krijonin një linjë komunikimi ndërmjet ushtrisë amerikane dhe Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC) për të koordinuar trafikun e anijeve dhe çështje të tjera. Megjithatë, sipas Axios, kjo linjë nuk ishte ende funksionale.

SHIKONI EDHE:

Armëpushimi sjell qetësi, por iranianët kërkojnë ndryshim

Më 24 qershor, Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, kishte deklaruar se bisedime të mëtejshme në nivel teknik mund të zhvilloheshin më 29 ose 30 qershor, dhe se ato me gjasë do të mbaheshin në Zvicër.

Presidenti amerikan, Donald Trump, dhe homologu i tij iranian, Masud Pezeshkian, në fillim të qershorit nënshkruan një memorandum të përkohshëm mirëkuptimi me 14 pika, i cili u jep palëve 60 ditë kohë për të negociuar një marrëveshje përfundimtare që synon t’i japë fund luftës që filloi më 28 shkurt.

Katari, së bashku me Pakistanin, ka shërbyer si ndërmjetës mes Uashingtonit dhe Teheranit në rundin aktual të negociatave.