Të paktën një i vrarë pas sulmeve iraniane në aeroportin e Kuvajtit

Një aeroplan i Kuwait Airways. Fotografi ilustruese nga arkivi.

Kuvajti raportoi se nga sulmet ajrore iraniane është vrarë të paktën një person dhe janë plagosur disa të tjerë, teksa Shtetet e Bashkuara thanë më herët se kanë penguar dronë dhe raketa iraniane në mbarë rajonin e Lindjes së Mesme.

Për shkak të sulmeve iraniane, autoritetet kanë mbyllur Aeroportin Ndërkombëtar të Kuvajtit, duke shtuar se janë dëmtuar “instalacione vitale”, përfshirë misione diplomatike.

Në një deklaratë, Ministria e Jashtme e Kuvajtit dënoi më 3 qershor “sulmet brutale dhe të vazhdueshme iraniane”.

“Ministri konfirmoi refuzimin kategorik të shtetit të Kuvajtit ndaj akteve të hapura të agresionit nga Irani, të cilat përshkallëzojnë tensionet, minojnë sigurinë dhe stabilitetin e rajonit dhe përbëjnë shkelje flagrante të së drejtës ndërkombëtare”, u tha në deklaratë.

Më herët, zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes së Kuvajtit, Saud Abdulaziz Al-Otaibi, tha se “një numër dronësh armiqësorë kanë shënjestruar terminalin e pasagjerëve [T1]”, duke e përshkruar sulmin si “agresion kriminal iranian, i cili ka shkaktuar dëme të mëdha materiale në ndërtesë dhe lëndimin e disa personave”.

Ai theksoi se forcat e armatosura të Kuvajtit po e monitorojnë situatën në koordinim me autoritetet përkatëse.

Autoriteti i Përgjithshëm i Aviacionit Civil të Kuvajtit njoftoi se fluturimet në Aeroportin Ndërkombëtar të Kuvajtit janë pezulluar dhe janë devijuar drejt aeroporteve alternative deri në një njoftim të dytë, ndërsa aeroporti ka aktivizuar planin e tij të reagimit emergjent.

Ndërkaq, më herët gjatë ditës Komanda Qendrore e Shteteve të Bashkuara (CENTCOM), tha se ka penguar me sukses disa raketa balistike dhe dronë në incidentet në Lindjen e Mesme.

Në deklaratat e lëshuara më 2 dhe 3 qershor, CENTCOM tha se disa raketa iraniane u lëshuan drejt fqinjëve rajonalë, por dështuan që të arrinin caqet e synuara.

Komanda amerikane raportoi se tri raketa të lëshuara drejt Bahrejnit u penguan nga sistemet e mbrojtjes ajrore të SHBA-së dhe Bahrejnit, ndërkaq dy raketa që ishin nisur drejt Kuvajtit ranë gjatë fluturimit ose u shkatërruan në fluturim e sipër.

CENTCOM po ashtu tha se forcat amerikane rrëzuan tre dronë sulmues iranianë që thuhet se po shënjestronin anijet civile në ujërat rajonale. Në përgjigje, forcat amerikane kryen ato që CENTCOM i përshkroi si “sulme vetëmbrojtëse” ndaj një stacioni të kontrollit ushtarak në ishullin Keshm të Iranit, që gjendet në Ngushticën e Hormuzit.

SHIKONI EDHE:

Ekspertja e gjeopolitikës: Marrëveshja që të gjithë po e presin vjen me zgjedhje të vështira për IraninIsh-zyrtarja amerikane thotë se diplomacia mes SHBA-së dhe Iranit është “gjallë”

Komanda amerikane theksoi se personeli i SHBA-së nuk është lënduar dhe hodhi poshtë pretendimet e Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike të Iranit se selia e Flotës së 5-të të SHBA-së në Bahrejn dhe një bazë ajrore amerikane në rajon janë goditur.

Edhe në ditët paraprake, Irani ka kryer sulme me dronë dhe raketa drejt Kuvajtit, teksa SHBA-ja ka kryer sulme “vetëmbrojtëse” ndaj caqeve në Iran.

Lufta mes SHBA-së dhe Izraelit me Iranin ka nisur në fund të shkurtit, por që nga prilli është në fuqi një armëpushim.

Uashingtoni dhe Teherani po zhvillojnë bisedime indirekte që synojnë zgjatjen e armëpushimit dhe rihapjen e Ngushticës së Hormuzit, të cilin Irani e ka mbyllur që nga nisja e konfliktit. Mbyllja e kësaj rruge të rëndësishme ujore po pengon në mënyrë të konsiderueshme furnizimet globale me naftë dhe ka bërë që çmimet e energjisë të rriten.

Presidenti amerikan, Donald Trump, tha më 2 qershor se beson që një marrëveshje me Iranin do të arrihet javën e ardhshme.