SHBA-ja konfirmon sulmet e reja "mbrojtëse" në Iran

Një aeroplan luftarak amerikan. Fotografi ilustruese nga arkivi.

Ushtria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës kreu sulme të reja ndaj një objekti ushtarak iranian dhe rrëzoi disa dronë pranë Ngushticës së Hormuzit, thanë zyrtarë amerikanë më 27 maj, në shkëmbimin më të fundit të veprimeve ushtarake, pavarësisht shenjave për përparim diplomatik drejt një marrëveshjeje për t’i dhënë fund konfliktit.

Zyrtarë të lartë amerikanë, duke folur në kushte anonimiteti, u thanë gazetarëve se objekti i goditur konsiderohej si një kërcënim i mundshëm për forcat amerikane dhe për anijet tregtare që operojnë pranë kësaj rruge strategjike detare, përmes së cilës kalonte rreth një e pesta e transportit botëror të naftës para shpërthimit të luftës në fund të shkurtit.

Një zyrtar tha se forcat amerikane rrëzuan gjithashtu katër dronë kamikazë iranianë dhe goditën një qendër kontrolli në tokë në qytetin port jugor Bandar Abas, nga ku po përgatitej lëshimi i një droni të pestë.

Bandar Abas ndodhet në bregdetin jugor të Iranit, përgjatë Gjirit Persik, pranë Ngushticës së Hormuzit — një nga pikat më të rëndësishme strategjike për transportin detar në botë.

SHIKONI EDHE:

Irani po çimenton kontrollin mbi Ngushticën e Hormuzit

Komanda Qendrore Amerikane (CENTCOM) e konfirmoi më vonë sulmin përmes një deklarate, duke thënë se dronët kamikazë iranianë “paraqisnin kërcënim” pranë Ngushticës së Hormuzit dhe se “veprimet ishin të matura, thjesht mbrojtëse dhe të synuara për të ruajtur armëpushimin”.

Zhvillimet e fundit ushtarake vijnë në një kohë kur Uashingtoni dhe Teherani po vazhdojnë bisedimet për stabilizimin e situatës pas muajsh tensionesh të larta në rajon.

Më herët gjatë kësaj jave, SHBA-ja tha se kishte kryer ato që i quajti “sulme vetëmbrojtëse” ndaj anijeve që dyshohej se po vendosnin mina detare.

Irani i dënoi ato operacione, duke i cilësuar si shkelje të një armëpushimi që sipas tij mbetet i brishtë.

Përplasjet e fundit tregojnë se rajoni i Gjirit vazhdon të mbetet i paqëndrueshëm, pavarësisht deklaratave të presidentit amerikan, Donald Trump, që lënë të kuptohet se ka përparim në përpjekjet diplomatike për arritjen e një marrëveshjeje.

Shtetet e Bashkuara dhe Irani kanë shkëmbyer propozime përmes ndërmjetësimit të Pakistanit.

SHIKONI EDHE:

“Disa sinjale të mira”, por ende ka dallime në negociatat mes SHBA-së dhe Iranit

Reagimi i Iranit

Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC) tha më 28 maj se kishte shënjestruar një bazë ajrore amerikane, pas atij që e përshkroi si një sulm amerikan në orët e para të mëngjesit pranë aeroportit të Bandar Abasit në jug të Iranit, sipas agjencisë së lajmeve Tasnim, e lidhur me IRGC-në.

Në një deklaratë të publikuar nga Tasnim, IRGC-ja tha se kishte goditur bazën amerikane me “predha ajrore” në orën 04:50 të mëngjesit.

Gardat Revolucionare nuk e specifikuan vendndodhjen e bazës, megjithëse ushtria e Kuvajtit tha se mbrojtja e saj ajrore po i kundërpërgjigjej sulmeve “armiqësore” me raketa dhe dronë më 28 maj.

Kuvajti, i cili strehon një bazë ajrore amerikane, nuk sqaroi nëse kërcënimet ishin iraniane.

IRGC-ja paralajmëroi se çdo sulm i mëtejshëm amerikan do të përballej me një përgjigje “më vendimtare”, duke shtuar se Uashingtoni mban përgjegjësi për pasojat.