Gjashtë të vrarë pasi SHBA-ja sulmon një anije në Karaibe

Fotografi e publikuar nga sekretari Hegseth i sulmit ndaj anijes në Karaibe.

Në sulmin e kryer gjatë natës ndaj një anijeje që dyshohet se po operohej nga një bandë venezuelase e trafikimit të drogës janë vrarë gjashtë persona në Detin e Karaibeve, tha sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, më 24 tetor.

Veprimi i fundit ushtarak e çon në të paktën 10 numrin total të sulmeve amerikane ndaj të dyshuarve për trafik droge në Karaibe dhe Paqësorin lindor, duke lënë të paktën 43 persona të vrarë, sipas një përllogaritjeje që ka bërë AFP-ja, bazuar në të dhënat amerikane.

SHIKONI EDHE: SHBA-ja thotë se dy persona u vranë gjatë sulmit ndaj një anijeje në Paqësor

Hegseth njoftoi për sulmin përmes një postimi në X, duke shfaqur një anije që shkatërrohet nga një shpërthim.

“Gjashtë narkoterroristë ndodheshin në bord gjatë sulmit, i cili u krye në ujëra ndërkombëtare dhe ishte sulmi i parë i kryer natën”, shkroi Hegseth.

“Nëse jeni narkoterroristë dhe kontrabandoni drogë në hemisferët tonë, do të trajtoheni si Al-Kaida”, shtoi ai.

SHIKONI EDHE: Venezuela dislokon trupa, raportohet për sulm të ri të SHBA-së

Uashingtoni nisi një fushatë ushtarake kundër anijeve të dyshuara për trafik droge në fillim të shtatorit, duke dislokuar forca përfshirë avionë dhe anije të Marinës amerikane drejt rajonit.

Tensionet rajonale janë rritur si rezultat i kësaj fushate, me Venezuelën që akuzon Shtetet e Bashkuara se po synon të rrëzojë nga pushteti presidentin Nicolas Maduro, i cili më herët gjatë javës deklaroi se shteti i tij ka 5 mijë raketa tokë-ajër për t’u përballur me forcat amerikane.