Sekretari amerikan i Mbrojtjes*, Pete Hegseth, ka urdhëruar tërheqjen e afër 5 mijë trupave nga Gjermania brenda vitit të ardhshëm, tha Pentagoni të premten.
Ky vendim erdhi pasi presidenti amerikan, Donald Trump, njoftoi se tarifat për makinat dhe kamionët nga Bashkimi Evropian do të rriten në 25 për qind javën e ardhshme, duke e akuzuar bllokun evropian se nuk po respekton një marrëveshje tregtare të nënshkruar verën e kaluar.
SHIKONI EDHE:
SHBA-ja dhe BE-ja arrijnë marrëveshje për tarifatPas njoftimit të Pentagonit, ministri i Mbrojtjes i Gjermanisë, Boris Pistorius, tha më 2 maj se tërheqja e trupave amerikane nga vendi i tij pritej, duke shtuar se Evropa ka nevojë që të bëjë më shumë që të ofrojë siguri për vete.
“Që trupat amerikane po tërhiqen nga Evropa dhe po ashtu nga Gjermania ishte diçka që pritej. Ne, evropianët duhet të marrim më shumë përgjegjësi për sigurinë tonë”, tha ai përmes një deklarate për AFP-në.
Ndërkaq, NATO-ja tha të shtunën se po “punon” me SHBA-në për të kuptuar vendimin e Uashingtonit për reduktimin e numrit të trupave në Gjermani.
“Ky ndryshim vë në pah nevojën e Evropës për të vazhduar që të investojë më shumë në mbrojtje dhe të marrë më shumë përgjegjësi në sigurinë tonë të përbashkët, ne veçse po shohim përparim që kur aleatët u pajtuan të investonin 5 për qind të GDP-së. Ne mbesim të sigurt në aftësinë tonë për të ofruar më shumë parandalim dhe mbrojtje, teksa ky ndryshim drejt një Evrope më të fortë dhe NATO-je më të fortë po vazhdon”, shkroi në X zëdhënësja e NATO-s, Allison Hart.
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka ripërsëritur kritikat ndaj kancelarit gjerman, Friedrich Merz, i cili të hënën tha se Irani po e “poshtëronte” Uashingtonin në tryezën e negociatave. Trump tha se Merz “mendon se është në rregull që Irani të ketë armë bërthamore. Ai nuk e di se për çfarë po flet!”.
Të mërkurën, udhëheqësi amerikan tha se Uashingtoni po “studion dhe shqyrton mundësinë e reduktimit” të trupave amerikane në Gjermani dhe se do të marrë një vendim për këtë çështje “brenda një periudhe të shkurtër kohore”.
Zëdhënësi i Pentagonit, Sean Parnell, tha përmes një deklarate të premten se “presim që tërheqja të përfundojë gjatë gjashtë deri në dymbëdhjetë muajt e ardhshëm”.
“Ky vendim vjen pas një shqyrtimi të hollësishëm të dislokimit të forcave të Departamentit në Evropë dhe merr për bazë kërkesat e teatrit operacional dhe kushtet në terren”, shtoi Parnell.
Gjatë dy mandateve presidenciale, Trump ka deklaruar se do të ulë numrin e trupave amerikane në Gjermani dhe në shtete të tjera evropiane, duke thënë se dëshiron që Evropa të marrë më shumë përgjegjësi për mbrojtjen e saj, në vend se të varet nga Uashingtoni.
Trump të premten akuzoi prodhuesit gjermanë të makinave, si Mercedes-Benz dhe BMW, se po i shfrytëzojnë amerikanët, duke thënë se Gjermania dhe “shtetet të tjera evropiane nuk i janë përmbajtur marrëveshjes sonë tregtare”.
SHIKONI EDHE:
A po kryen punë bllokada detare e SHBA-së ndaj Iranit?Gjermania me gjasë të goditet rëndë nga një tarifë e lartë për automjetet, pasi ajo përbën një pjesë të konsiderueshme të eksporteve të makinave të BE-së.
Të enjten, Trump tha se mund të tërheqë trupat amerikane nga Italia dhe Spanja për shkak të kundërshtimit të luftës në Iran, teksa u tha gazetarëve në Zyrën Ovale: “Italia nuk na ka ndihmuar dhe Spanja ka qenë e tmerrshme”.
“Po, me shumë gjasa do ta bëj. Pse të mos e bëj këtë”, tha Trump.
Deri më 31 dhjetor 2025, në Itali kishte 12.662 trupa aktive amerikane dhe 3.814 në Spanjë. Në Gjermani, ky numër ishte 36.436.
Duke folur gjatë një vizite në Marok, ministri i Jashtëm gjerman, Johann Wadephul, tha të enjten se Gjermania ishte “e përgatitur” për një reduktim të trupave amerikane, duke shtuar se “po e diskutojmë nga afër dhe në frymë besimi në të gjitha organet e NATO-s”.
Teksa tha se ishte “i qetë” lidhur me idenë që në Gjermani të ketë më pak trupa amerikane, Wadephul theksoi se bazat e mëdha amerikane në Gjermani “nuk janë fare në diskutim”.
Ai tha, për shembull, se baza ajrore Ramstein ka “një funksion të pazëvendësueshëm si për Shtetet e Bashkuara, ashtu edhe për ne”.
*Shënim: Presidenti amerikan, Donald Trump, e ka nënshkruar një urdhër ekzekutiv në shtator të vitit 2025, duke e ndryshuar emrin e Departamentit të Mbrojtjes në Departament të Luftës, si emër të dytë.