Nënsekretarja për diplomacinë publike e Departamentit amerikan të Shtetit, Sara B. Rogers, nënshkroi të hënën në Beograd marrëveshjen për pjesëmarrjen e SHBA-së në ekspozitën ndërkombëtare EXPO 2027.
Pas nënshkrimit të marrëveshjes, Rogers tha se çdo ekspozitë EXPO është mundësi për të promovuar ekonominë amerikane dhe interesat tregtare.
"Presidenti [amerikan Donald] Trump i gëzohet pjesëmarrjes në ngjarje të tilla", tha ajo.
Nënsekretarja Rogers tha se Trump është i përkushtuar në raporte me Serbinë.
"Ne duam të vëmë në pah zotimin e presidentit Trump në një raport të dobishëm për të dy palët me Serbinë", shtoi ajo.
Më herët, Departamenti amerikan i Shtetit tha se ekspozitat botërore ofrojnë mundësi për angazhim dhe frymëzim të publikut global, për promovimin e interesave ekonomike dhe tregtare të SHBA-së, si dhe për shfaqjen e ekselencës amerikane
Zyrtarët serbë besojnë se pjesëmarrja e SHBA-së do të japë kontribut të madh në këtë ngjarje, të cilën e vlerësojnë si një mundësi të madhe për zhvillim.
Ministrja për Tregti të Brendshme dhe të Jashtme e Serbisë, njëherësh komisionarja e Beogradit për EXPO 2027, Jagoda Llazareviq, tha se SHBA-ja do të ketë një pavijon të madh në ekspozitë.
“Ne duam të hapim dyert edhe më shumë për kompanitë amerikane dhe besoj që mund të jetë një mundësi e madhe për ta që të vijnë dhe të shohin se çfarë ofron rajoni”, tha ajo..
EXPO 2027 është planifikuar të zhvillohet nga 15 maji deri më 15 gusht 2027 në kryeqytetin e Serbisë, Beograd.
Serbia zgjodhi temën: Loja për Njerëzimin: Sport dhe Muzikë për të Gjithë.
Model i hapësirës për ekspozitën ndërkombëtare EXPO 2027.
Gjatë vizitës në Beograd, Rogers do të takohet me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Departamenti amerikan i Shtetit njoftoi se ajo do të takohet edhe me anëtarë të Qeverisë së Serbisë, me të cilët do të diskutojë për prioritetet e përbashkëta të Serbisë dhe SHBA-së në Ballkanin Perëndimor.
Nënsekretarja amerikane po qëndron në Beograd dhe në Venecia nga data 6 deri më 12 maj.