Gjatë një takimi me senatorët amerikanë, Jeanne Shaheen dhe Dick Durbin, presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula, ka kërkuar rikthimin e Dialogut Strategjik me SHBA-në, të pezulluar nga Uashingtoni në shtator të vitit 2025.
Ajo ka theksuar rëndësinë e këtij dialogu për thellimin e partneritetit strategjik dhe avancimin e prioriteteve të përbashkëta.
Sipas njoftimit të Ambasadës amerikane në Kosovë, Shaheen dhe Durbin janë takuar gjatë ditës edhe me kryeministrin, Albin Kurti.
Shtetet e Bashkuara e patën pezulluar Dialogun Strategjik me Kosovën për një periudhë të pacaktuar, pasi kishin përmendur veprimet e Qeverisë së atëhershme ndaj institucioneve serbe në Kosovë dhe kritikat ndaj Gjykatës Kushtetuese.
Sipas Uashingtonit, këto veprime rritën tensionet dhe kufizuan mundësinë për bashkëpunim me Kosovën në prioritetet e përbashkëta.
Në korrik të këtij viti, Departamenti amerikan i Shtetit i tha REL-it se rifillimi i dialogut varet nga krijimi i kushteve të nevojshme, përfshirë përmbushjen e zotimeve të Kosovës ndaj serbëve. Në mesin e tyre janë obligimet që dalin nga marrëveshjet e dialogut me Serbinë, përfshirë Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
SHIKONI EDHE:
DASH: Dialogu Strategjik me Kosovën kur të përmbushen kushtet dhe zotimet ndaj serbëveKosova, në anën tjetër, ka kërkuar që obligimet të jenë të ndërsjella, duke insistuar që Serbia ta nënshkruajë Marrëveshjen Bazë të vitit 2023 dhe ta dorëzojë te autoritetet kosovare Milan Radoiçiqin, i cili ka marrë përgjegjësinë për sulmin e armatosur në Banjskë më 24 shtator 2023.
Ndërkaq, gjatë takimit të së hënës, Shiroka Pula ka theksuar edhe se anëtarësimi në NATO mbetet synim parësor i Kosovës dhe se mbështetja amerikane është thelbësore për këtë proces.
“Anëtarësimi i Kosovës në NATO do të thotë më shumë siguri dhe stabilitet jo vetëm për vendin tonë, por për të gjithë rajonin”, ka deklaruar ajo, sipas njoftimit të Presidencës.
Gjatë takimit, në shenjë mirënjohjeje për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës, presidentja i ka ndarë senatores Shaheen Medaljen Presidenciale të Meritave, të parën të ndarë që nga marrja e mandatit si presidente.
Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula, dekoron senatoren amerikane, Jeanne Shaheen, me Medaljen Presidenciale të Meritave në Prishtinë, 12 tetor 2026.
Shaheen, senatore demokrate nga New Hampshire dhe anëtare e rangut më të lartë të pakicës në Komitetin për Marrëdhënie me Jashtë të Senatit amerikan, po udhëheq një delegacion të Kongresit gjatë një vizite disaditore në Ballkanin Perëndimor.
Gjatë vizitës, ajo ka diskutuar me zyrtarë të rajonit për marrëdhëniet me SHBA-në dhe çështjet e sigurisë e stabilitetit.
SHIKONI EDHE:
Shaheen: SHBA duhet të përqendrohet te ekonomia, stabiliteti e demokracia në Ballkanin PerëndimorKjo është vizita e fundit e Shaheenit në rajon si udhëheqëse e një delegacioni të Kongresit në këtë cilësi, para përfundimit të mandatit të saj në këtë rol.
Para vizitës në Kosovë, Shaheen qëndroi në Bosnje e Hercegovinë dhe Shqipëri.
Gjatë vizitës dyditore në Sarajevë, ajo vizitoi Qendrën Përkujtimore të Srebrenicës dhe u shpall “Qytetare Nderi e Sarajevës”, për mbështetjen shumëvjeçare ndaj Bosnjës dhe Hercegovinës dhe synimeve të saj euroatlantike.
Ajo u bëri thirrje autoriteteve të vendit të vazhdojnë rrugën drejt Bashkimit Evropian dhe NATO-s, duke paralajmëruar për ndikimin rus dhe rreziqet për stabilitetin e rajonit.
SHIKONI EDHE:
Senatorja Shaheen: Bosnja të largohet nga Rusia dhe ta vazhdojë rrugën drejt BE-së e NATO-sNë Tiranë, senatorja tha se politika amerikane ndaj Ballkanit Perëndimor duhet të përqendrohet te mundësitë ekonomike, stabiliteti dhe institucionet demokratike.
Gjatë një diskutimi me liderë të rinj, ajo theksoi rëndësinë e zgjerimit të qasjes në tregje, heqjes së barrierave tregtare dhe mbështetjes për bizneset amerikane dhe sipërmarrësit shqiptarë.
Shaheen paralajmëroi gjithashtu se paqëndrueshmëria në një vend të rajonit ndikon edhe te vendet e tjera.