Gjashtë të vdekur pas një shpërthimi në Athinë, tre prej tyre raportohet se janë me origjinë shqiptare

Ndërtesa e shkatërruar në Athinë.

Gjashtë persona kanë vdekur pasi një ndërtesë banimi u shkatërrua në Athinë si pasojë e një shpërthimi, që sipas autoriteteve ka gjasa të jetë shkaktuara nga rrjedhja e gazit. Tre prej viktimave, bazuar në raportime, sipas Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë, janë me origjinë shqiptare.

“Kjo tragjedi e prek Shqipërisë. Ne ndajmë dhimbjen me familjet e prekura dhe shprehim solidaritetin tonë me fqinjët tanë grekë dhe popullin amerikan”, u tha në reagim.

Ndërkaq, orë më parë, Besart Xhaferri nga forumi rinor i Partisë Demokratike, ka shkruar në rrjetet sociale se në mesin e viktimave janë tre shqiptarë, përfshirë motër e vëlla, teksa disa media në Shqipëri kanë publikuar edhe emrat e viktimave që raportohet se janë me origjinë shqiptare.

Agjencia AFP raportoi se sipas autoriteteve greke, në mesin e viktimave ishin katër shtetas amerikanë, që po vizitonin Greqinë. Ata po qëndronin në ndërtesën që u shkatërrua nga shpërthimi, e që gjendet afër zonës së Akropolit.

Ata, sipas mediave greke, dhe ndërkombëtare, po përgatiteshin që të ktheheshin në Shtetet e Bashkuara kur ndodhi shpërthimi.

Ndërkaq, The New York Times raportoi se familja amerikane përbëhej nga një çift, së bashku me djalin e tyre dhe të dashurën e tij.

Autoritetet greke nuk kanë bërë publike identitetet e viktimave, moshën apo se prej cilit vend në SHBA ishin.

Dy viktimat e tjera raportohet se janë një i moshuar nga Britania dhe gruaja e tij greke, që jetonin në katin e dytë të ndërtesës trekatëshe, ka raportuar transmetuesi shtetëror grek, ERT.

Shpërthimi ndodhi të premten dhe me gjasë është shkaktuar nga rrjedhja e gazit, tha kryetari i Athinës, Haris Doukas.

Si pasojë e shpërthimit u dëmtuan edhe disa shtëpi në afërsi, si dhe dyqane e makina.