Dhjetëra viktima nga zjarri në Zvicër

Policë dhe një autoambulancë shihen në vendin ku shpërtheu zjarri në Zvicër.

Dhjetëra persona dyshohet se kanë vdekur dhe afër 100 të tjerë janë plagosur pasi një bar ku po festohej për Vitin e Ri në një resort luksoz të skijimit në Zvicër, u përfshi nga zjarri bëri të ditur policia zvicerane më 1 janar.

Zjarri shpërtheu në orën 01:30 të mëngjesit, sipas kohës lokale, në një bar të quajtur “Le Constellation” në resortin në jugperëndim të Zvicrës. Shkaku i zjarrit, që fillimisht u raportua si shpërthim, mbetet i paqartë, por autoritetet thanë se duket se është një incident dhe jo një sulm.

Policia zviceriane tha se "dhjetëra" persona dyshohet se kanë vdekur dhe afër 100 të tjerë janë plagosur, teksa Ministria e Jashtme italiane tha se informacionet nga policia e Zvicrës sugjerojnë se afër 40 persona kanë vdekur. Autoritetet zviceriane kanë refuzuar që të japin ndonjë shifër speciike.

Sipas videove të shpërndara, në vendngjarje janë parë autoambulanca të shumta dhe helikopterë që kanë transportuar viktimat në spitalet e afërta dhe në klinikat e specializuara për djegie në qytete të tjera të Zvicrës.

Një helikopter duke transportuar viktimat e zjarrit në Zvicër.

Dy të reja franceze, të cilat thanë se ndodheshin në bar, i thanë televizionit francez BFM se panë zjarrin që nisi në pjesën e bodrumit të lokalit, pasi një shishe me fishekzjarrë ishte mbajtur shumë afër tavanit prej druri.

“Zjarri u përhap nëpër tavan jashtëzakonisht shpejt”, i tha BFM TV njëra prej tyre, të cilat u prezantuan si Emma dhe Albane. Ato thanë se arritën të ngjiteshin nëpër një shkallë të ngushtë drejt katit përdhes, dhe dolën nga ndërtesa. Sipas tyre, disa minuta më vonë, zjarri kaploi katin përdhesë.

Ambasadori i Italisë në Zvicër, Gian Lorenzo Cornado, i tha Sky TG24 se autoritetet lokale e kanë informuar se zjarri u shkaktua nga dikush që hodhi një fishekzjarr brenda barit, që ia vuri flakën tavanit.

Ai ishte në Crans-Montana, ku ndodhi ngjarja, dhe tha se disa italianë u mblodhën për të kërkuar informacione për të afërm ose miq që ishin zhdukur.

Megjithatë, ambasadori nuk tregoi nëse në mesin e viktimave kishte shtetas italian.

Autoritetet thanë se arritën në vendngjarje menjëherë sapo morën informacionin.

“Ekipet e para, zjarrfikësit dhe policët, mbërritën në një skenë kaosi, në një skenë dramatike", u tha gazetarëve Stephane Ganzer, shefi i sigurisë për kantonin Valais.

Ai tha se disa nga viktimat ishin nga shtete të tjera, duke shtuar se qindra persona ishin angazhuar në këtë rast dhe se ishte hapur një linjë telefonike për të ndihmuar njerëzit që kërkojnë të afërmit e tyre.

Zyrtarët thanë se identifikimi i trupave të djegur rëndë do të marrë mjaft kohë.

“Nuk mund ta fsheh se të gjithë jemi të tronditur nga ajo që ndodhi mbrëmë në Crans", tha në një konferencë për media shefi i policisë së kantonit, Frederic Gisler.

“Sipas vlerësimeve tona janë rreth 100 të plagosur, shumica në gjendje të rëndë, dhe fatkeqësisht dhjetëra persona mendohet se kanë humbur jetën", tha ai, duke shtuar se të lënduarit janë dërguar në spitale në Sion, Lozanë, Gjenevë dhe Cyrih.

Prokurorja lokale Beatrice Pilloud tha se ka nisur një hetim për incidentin në barin, që sipas të dhënave biznesore, është në pronësi të një çifti francez.

“Për momentin po e trajtojmë këtë si zjarr dhe nuk po e konsiderojmë mundësinë e një sulmi", tha ajo.

Policia tha më herët gjatë ditës se zona është mbyllur plotësisht dhe mbi Crans-Montana është vendosur një zonë e ndalim-fluturimit.