Të paktën shtatë të vrarë nga të shtënat në SHBA

Sulmuesi, i identifikuar si 67-vjeçari Zhao Chunli, në përcjellje të policisë së San Mateos.

Një sulmues i armatosur ka vrarë shtatë persona në dy lokacione të ndryshme në gjirin Half Mun në Kaliforni, rreth 50 kilometra në jug të San Franciskos. Kurse, një tjetër person është në gjendje kritike nga plagët e marra.

Zyra e Sherifit mori fillimisht raportime për të shtëna pak para orës 14:30 dhe gjeti katër persona të vdekur nga plagët me armë zjarri dhe një person të pestë të plagosur, në lokacionin e parë.

Menjëherë pas kësaj, oficerët gjetën tre persona të tjerë të vdekur në një vend tjetër, aty pranë, tha kapiteni Eamonn Allen në një njoftim për shtyp.

Sulmuesi, i identifikuar si Zhao Chunli, 67-vjeçar, u arrestua nga policia dy orë pas sulmit. Autoritetet në Kaliforni thanë se motivi i sulmit ende nuk dihet.

Christina Corpus, sherife e qarkut, tha se kjo ngjarje është "e tmerrshme" dhe "një tragjedi, të cilën do ta mbajmë në mend".

SHIKONI EDHE: I dyshuari për vrasjen e 10 personave në SHBA gjendet i vetëvrarë

Corpus gjithashtu konfirmoi se dëshmitarët e sulmit përfshinin fëmijë.

Ky sulm ndodhi vetëm dy ditë pasi një sulmues vrau 11 persona të komunitetit aziatik në një klub vallëzimi në Los Anxhelos, pas festimit të Vitit të Ri Hënor. Personat e vrarë ishin të moshës mes 50 dhe 60 vjeç. Sulmuesi u gjet i vetëvrarë pas disa orësh.

Guvernatori i Kalifornisë, Gavin Newsom, shkroi në Twitter se, "isha në spital duke i takuar viktimat e të shtënave të një dite më parë, kur më informuan për një tjetër sulm. Këtë herë në Gjirin e Half Mun. Tragjedi pas tragjedie”.

Gjiri Half Mun është një qytet i vogël bregdetar, shtëpi e rreth 12.000 banorëve.