Për të gjashtën herë me radhë, Gjykata Penale në Shkup ka shtyrë rastin, që në opinion njihet si “Shuplakat”,me ç`rast në bisedat e përgjuara dëgjohet se si ish-kryeministri Nikolla Gruevski urdhëron që të goditet me shuplakë kryetari i Komunës Qendër, Adrej Zhernovski. Ky rast kishte ndodhur në ditën kur ishte caktuar debati për ndryshimin e planit urbanistik, pasi këtë komunë e kishte marrë nën udhëheqje partia e kryeministrit të tanishëm të Maqedonisë, Zoran Zaev.
Seanca e së enjtes është shtyrë për shkak të mosparaqitjes në gjykatë të njërit prej të akuzuarve.
Si i dyshuar i parë për këtë rast gjyqësor është ish-kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski.
Prokurorja Speciale Publike, Fatime Fetai kërkoi që të mos përsëritet më e njëjta situatë në seancën e ardhshme. Prandaj, ajo kërkoi nga gjykatësja Tatjana Mihajllova, që i akuzuari Dimçe Kërstev, të sillet me forcë në gjykatë nga ana e organeve të sigurisë.
Prokuroja Fatime Fetai, që është pjesë e ekipit të Prokurorisë Speciale Publike, gjatë seancës së sotme ka drejtuar akuza edhe ndaj gjykatës, siç ka thënë për stërzgjatje të panevojshme të këtij gjykimi.
“Kjo është përpjekje që të justifikoheni për atë që e kam thënë herën e kaluar, se me qëllim i zgjatni seancat”, tha Fetai duke shtuar se çdo kush është përgjegjës për veprimet e veta.
Prokurorja Fetai tha se nëse ky gjykim vazhdon sipas kësaj dinamike, atëherë kryesore do të mund të mbahet në vitin 2020, ku dhe do të vjetërsohej ky rast si lëndë.
Ndryshe, për rastin e njohur si “Shuplakat”, Prokuroria Speciale ka ngritur proces gjyqësor një vit më parë, përkatësisht më 15 shtator të 2016-tës.
Nga ana tjetër, zyrtarët e lartë të VMRO-DPMNE-së thonë se po bëhet presion ndaj kësaj partie me zhvillimin e proceseve gjyqësore ndaj ish-funksionarëve të saj, në momentin që Maqedonia është futur në fushatë zgjedhore.
Njohësit e çështjeve juridike thonë se në asnjë mënyrë rastet të cilat janë ngritura nga Prokuroria Publike Speciale nuk duhet parë nën prizmin e fushatës zgjedhore.
Osman Kadriu, ish-gjykatës për Radion Evropa e Lirë thotë se zvarritja e proceseve gjyqësore që i ka ngritur Prokuroria Speciale publike është si rrjedhojë e krizës juridike nga e cila nuk arrin të dalë Maqedonia edhe pas formimit të Qeverisë së re të vendit.
“Nga ana e gjykatave duket se ka një frenim, obstruksion nga ana e strukturave të caktuara në gjyqësor, që assesi të mos zbardhen këto raste penalo-juridike. Jam i mendimit se tani duhet të shkohet në masa konkrete të përgjegjësisë penalo-juridike për funksionarë të pushtetit gjyqësor”, thotë Kadriu.
Nga ana tjetër, njohësi i çështjeve politike, Arsim Sinani vlerëson se duhet investuar më shumë në profesionalizmin e mediave kur ata raportojnë për çështje të ndjeshme siç janë proceset gjyqësore për ish-zyrtarët e lartë të shtetit, të cilët akuzohen se janë përfshirë në aktivitete kriminale.
“Mendoj se duhet të investohet në media, në kuptimin që të kemi gazetarë të cilët në formë profesionale do t’i qasen raportimit për këtë çështje”.
“Dalja nga rrjeti i merimangës që përbën luftën ndaj korrupsionit do të duhet të fillohet me këto dy segmente, përkatësisht reforma të thella në mediat dhe gjyqësor”.
“Faktori ndërkombëtar do të duhet të investojë në drejtim që të lirohet nga rrjeti i merimangës, si gazetarët ashtu dhe gjykatësit”, thotë Sinani.
Ndryshe, sot është shtyrë dhe seanca e parë e caktuar në Gjykatën Penale të Shkupit për rastin e njohur si“Transporter ”, në të cilën i dyshuar i parë është kryetari i Komunës së Manastirit për keqpërdorim të detyrës zyrtare me ndarjen e tenderëve për transportin e nxënësve në këtë komunë.
Seanca për këtë lëndë gjithashtu është shtyrë për shkak mungesës së njërit nga të akuzuarit.