Përderisa bota vazhdon të monitorojë zhvillimet në Afganistan, shtrohen shumë pyetje në lidhje me pasojat afatgjata të kthimit të talibanëve në pushtet. Pse?
Një prej atyre pyetjeve ka të bëjë me tregtinë me narkotik sepse marrja e pushtetit nga talibanët mund të ndikojë në tregtinë globale të drogës dehëse, heroinës.
Lulëkuqja e opiumit është përbërësi bazë, prej të cilit, nga përpunimi merren disa lëndë narkotike që krijojnë shumë varësi, në mesin e të cilave është edhe heroina.
Kultivimi i lulëkuqes së opiumit është burimi kryesor i punësimit në Afganistan. Sipas Zyrës së Kombeve të Bashkuara për Drogën dhe Krimin (UNDOC), vjelja e lulëkuqeve, në vitin 2019 ka ofruar punë për gati se 120.000 njerëz. Në vitin 2020, u vlerësua se prodhimi i opiumit në Afganistan ishte mesatarisht 6.300 tonë.
Vjelja e opiumit në Afganistan vlerësohet se përbën 80 për qind të furnizimit të përgjithshëm të tregut botëror.
Një raport i UNDOC-it thotë se prodhimi i opiumit përbënte 11 për qind të ekonomisë afgane.
Lidhja midis talibanëve dhe prodhimit të opiumit
Në një raport të kryeinspektorit amerikan për Afganistanin, në maj të vitit 2021, citohet një zyrtar amerikan i cili vlerëson se talibanët gjenerojnë deri në 60 për qind të të ardhurave vjetore nga lëndët narkotike ilegale.
“Talibanët kanë llogaritur se tregtia afgane e opiumit është një nga burimeve të tyre kryesore të të ardhurave”, tha Cesar Goodes, kreu i zyrës së UNODC-it në Kabul.
“Prodhimi më i madh sjell narkotikë më të lirë dhe rrjedhimisht edhe qasje më të gjerë”.
Raporti i UNDOC-it thotë se tregtari afgan i drogës, Abdul Satar dhuroi 333,000 dollarë për udhëheqësit e lartë talibanë.
Talibanët fitojnë drejtpërdrejtë përmes taksave mbi prodhimet e opiumit dhe në mënyrë jo të drejtpërdrejtë përmes përpunimit dhe kontrabandës, thotë Departamenti i Shtetit, duke vënë në dukje se një taksë prej 10 për qind u është marrë prodhuesve të opiumit. Taksat u mblodhën edhe nga laboratorët ku heroina prodhohej nga opiumi, si dhe nga kontrabandistët e drogave ilegale.
Tregtia me drogë përbën deri në 60 për qind të të ardhurave vjetore të talibanëve, thotë gjenerali amerikan John Nicholson në një raport të Inspektorit Kryesor Special për Rindërtimin e Afganistanit (Sigar), por disa ekspertë i kundërshtojnë këto shifra.
David Mansfield, një hulumtues i tregtisë së drogës së paligjshme, thotë:
“Sistemi i taksave, siç e ka përshkruar OKB -ja dhe të tjerët, është i panjohur në terren – administrativisht dhe ekonomikisht është i parealizueshëm”.
“Fitimet nga taksat për opiumin mund të gjenerojnë më së shumti 40 milionë dollarë në vit”, ka thënë Mansfield, ka transmetuar BBC-ja.
Megjithatë, të dhënat tregojnë se gjatë tre vjetëve, pasi që talibanët morën pushtetin më 1996, Afganistani ka prodhuar një sasi rekord të opiumit.
Duke taksuar prodhimin e opiumit, talibanët mund të financonin ushtrinë e tyre dhe qeverinë e sapoformuar.
Ndalimi i kultivimit nga talibanët
Sipas Departamentit të Shtetit, fillimisht, kultivimi i lulëkuqes së opiumit u rrit ndjeshëm nën sundimin taliban - nga 41.000 hektarë në vitin 1998 në më shumë se 64.000 hektarë në vitin 2000.
Pasja, në vitin 2000, udhëheqësi taliban Mulla Hamad e shpalli kultivimin e opiumit se është në kundërshtim me Ligjin e Sheriatit. Në korrik të vitit 2000, talibanët ndaluan kultivimin e lulëkuqeve të opiumit në territoret nën kontrollin e tyre.
Pavarësisht nëse ndalimi ishte për “arsye altruiste dhe idealiste ose thjesht për të parandaluar kryengritjen e zotëve të luftës afganë, për t’u revoltuar kundër talibanëve", siç shkruan John Coyne, konfiskimet e opiumit dhe heroinës në botë ranë në vitin 2001 dhe vitin 2002.
SHIKONI EDHE: OKB: Sulmet amerikane në laboratoret afgane të drogës janë të "paligjshme"Megjithatë, gjërat kanë ndryshuar që atëherë, thekson BBC-ja. Ndonëse kultivimi u zhvillua në rajonet që deri vonë ishin të kontrolluara nga ish-qeveria afgane, shumica e kultivimit të lulëkuqes është përqendruar në zonat e mbajtura nga talibanët.
Për shembull, provinca Helmand e kontrolluar nga talibanët në Afganistanin jugor, ka pasur më së shumti tokë që përdorej për kultivimin e lulëkuqes në vitin 2020.
Talibanët pretendojnë se kultivimi i lulëkuqes dhe trafiku i drogës u ndalën kur ata ishin në pushtet deri në 2001. Por, megjithëse u regjistrua rënie në vitin 2001, prodhimi i lulëkuqes së opiumit u rrit në territoret që ishin nën kontrollin e tyre, në vitet pas rënies së tyre nga pushteti, shkruan BBC-ja.
Pasi taibanët rivendosën kontrollin në Afganistan, zëdhënësi i tyre Zabihullah Mujahid tha: “Kur ishim në pushtet më parë, nuk kishte prodhim droge”.
Ai tha gjithashtu se prodhimi i opiumit do të “reduktohet në zero” përsëri dhe se nuk do të ketë tregti ilegale dhe kontrabandë.
Faktorë të ndryshëm që nxisin kultivimin
Kultivimi i lulëkuqes së opiumit në Afganistan nxitet nga shumë faktorë, sipas një raporti të UNDOC-it. Faktorët janë të lidhur me sfida të ndryshme, sikurse paqëndrueshmëria politike dhe pasiguria e shkaktuar nga grupet rebele, e cila është një nga shtytësit kryesorë. Faktorët socio-ekonomikë ndikojnë gjithashtu në vendimet e fermerëve afganë, për shkak të mundësive të dobëta të punësimit, mungesës së arsimit cilësor dhe qasjes së kufizuar në treg.
Në vitin 2020, zonat e mbjella me lulëkuqe ishin në mesin e katër më të mëdhave të matur ndonjëherë, ndërkaq, kultivimi ka shënuar një trend në rritje në dekadën e fundit, me lëkundje më të vogla në vitin 2018, për shkak të një thatësire të madhe ose në vitin 2019 për shkak të përmbytjeve. Pasiguria e shtuar në vitin 2020 dhe kriza e shkaktuar nga pandemia COVID-19 nuk ndikuan në sezonin e rritjes së opiumit, për sa i përket sipërfaqeve të kultivuara ose punës në dispozicion për korrje. Megjithëkëtë, mund të pritet që rënia ekonomike pas pandemisë e kombinuar me rritjen e çmimeve të ushqimit do të çojë në një rritje të mëtejshme të kultivimit të lulëkuqes së opiumit në vitet e ardhshme, thuhet në raportin e UNDOC-it.